Arkiv-Lajme
Shkrimi në “Gazeta Shqiptare”/ Durim Bami, njeriu kyç në hetimet për dosjen “Doshi”, drejt lirisë. Bien akuzat
“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se Durim Bami, personazhi i njohur nga FushëKruja, që është dhe njeriu kyç në hetimet për dosjen “Doshi”, po shkon drejt lirisë. Sipas “Gazeta Shqiptare” pritet që ai të këmbëngulë sot përpara Gjykatës së Lartë, për ndryshimin e masës së sigurisë. Bami ndodhet nën masën e arrestit me burg, të caktuar ndaj tij nga gjykata supreme, pasi është në proces të bashkëlidhur me dy deputetët, Tom Doshi dhe Mark Frroku, në bashkëpunim me të cilët dyshohet se sajoi një skenar për vrasje deputetësh.
Grida Duma me mbiemrin Shqina në certifikatë, KQZ nuk regjistron. Kryetarja, Lefterije Luzi, bashkon votat me të majtën: Të riplotësohet dokumentacioni
KQZ ka nxjerrë dje pengesën e parë për kandidaten e PD-së në Durrës, Grida Duma. Me 4 vota pro dhe 3 kundër KQZ vendosi të rikthejë për plotësim dosjen e paraqitur nga kandidatja Grida Duma. “Panorama” shkruan sot se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur për zyrtarizmin e garës, administrata e KQZsë ka vënë re se nuk kishte përputhje mes deklaratës së plotësuar nga Duma, me certifikatën e gjendjes civile që ajo ka paraqitur.
Haki Stërmilli, i harruar në këtë përvjetor. "E bllokuar" edhe një dekoratë nga presidenti
Në emisionin "Natë me Xhaxhiun" është diskutuar per shkrimtarin Haki Stërmilli. "Një humbës i madh" është quajtur shkrimtari, kurse studiuesi Xhezair Abazi ka vlerësuar se ai është themelues i zhanrit të romanit shqiptar. Meriton të sillet çështja se përse nuk ka një vlerësim për të, një dekoratë p.sh nga presidenti. Abazi ka deklaruar se kërkesa është bërë, por nuk dihet pseja e kësaj heshtjeje.
Shqipëria prezantohet me një pavijon të vetin në Bienalen e Venecias
Shqipëria prezantohet sivjet me një Pavijon të vetin në Bienalen e Venecias. Kurator është Marco Scotini dhe artisti Armando Lulaj me "Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems". "Albanianscreen" raporton se "pavijoni u hap nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh se "Artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi. Për fat, por jo rastësisht, Shqipëria ka shumë prej tyre".
Natasha Ahmetaj zgjidhet zv.guvernatore e dytë e Bankës së Shqipërisë
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka zgjedhur dje zv.guvernatoren e dytë. Ajo është Natasha Ahmetaj, diplomuar në degën e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ku edhe ka doktruar. “Në vitet e fundit ajo ka punuar në Bankën Kombëtare Tregtare, fillimisht si menaxhere e degës së këtij institucioni në Vlorë dhe po ashtu si dekane e Fakultetit të Tregëtisë në këtë qytet”, raporton Top-Channel. Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar edhe emrat e tre anëtarëve të Komitetit të Auditit.
Eksodi prek edhe veriun e Malit të Zi. 30 njerëz largohen çdo ditë. Qeveria: “Lidhet me ardhjen e sezonit të ndërtimit”. Ende asnjë raportim për përfshirje të shërbimeve të huaja
“Shekulli” përcjell në faqen e vet online një lajm që flet për eksodin që ka prekur edhe Malin e Zi. Madje jo zonën që banohet me shqiptarë, por veriun e vendit. “Të dhënat e fundit të organizatave joqeveritare tregojnë se nga veriu i vendit, largohen çdo ditë rreth 30 njerëz. Situata e rëndë ekonomike në veri të Malit të Zi, papunësia e madhe, mungesa e investimeve, janë vetëm disa nga arsyet pse kohët e fundit, qytetarët po largohen drejt Europës...Qeveria e Malit të Zi shprehet se nuk ka vend për panik, ndërsa disa parti politike kërkojnë reagim urgjent të qeverisë.
Pasuria e deklaruar, të zgjedhurit e popullit tallen edhe vetë me varfërinë zyrtare të njëri-tjetrit
Gazetat kanë publikuar sot deklaratat e pasurisë së ministrave dhe politikanëve kryesorë. Konkluzioni që del, po të heqim Lefter Kokën, Arben Ahmetajn dhe Ridvan Boden, është se kemi qeveritarë dhe politikanë që e shtyjnë me rrogë. Por edhe kursimtarë të zotë, nisur nga rroga që kanë. Çështja është bërë temë diskutimi edhe sot në Parlament; p.sh deputeti Taulant Balla ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha, i “përndjekur” për një kohë të gjatë nga nami i njeriut të ndershëm, se ka një vilë në Gjirin e Lalëzit. Madje sipas Ballës, e ka vilën më të madhe se Shtëpia e Bardhë.
Dy nxënës të Medresesë së Kavajës, fitojnë çmim të dytë në një olimpiadë në Gjeorgji me një projekt për...pastrimin e mjedisit
Një olimpiadë e zhvilluar në Gjeorgji i ka dhuruar Shqipërisë një medalje argjendi. Në faqen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, njoftohet se dy nxënës të Medresesë së Kavajës, Esmir Keci dhe Xhevit Dushku, “morën pjesë në konkurs me një projekt i cili ka të bëjë me pastrimin e mjedisit nga mbetjet, projekt i cili është pritur mjaft mirë dhe vlerësuar me çmim”. Sipas KMSH-së, olimpiada e zhvilluar, IYIPO, ka karakter shkencor. Çmimi dhe projekti i paraqitur nga dy nxënësit shqiptarë, tingëllojnë ironikë po të shohim se ç’vete me mjedisin në Shqipëri.
Për politikanët, përgjimet janë, një herë akte të kapjes në flagrancë dhe një herë tjetër akte të “të shikuarit prapa ferrave”. Komenti i kryeministrit për rastin e Shkodrës
Sot në Parlament është diskutuar edhe për përgjimin e kryeministrit në takimin me strukturat e PS-së në Shkodër, ku ndër të tjera jepeshin edhe porosi për zgjedhjet. Kryeministri vetë ka dhënë këtë përgjigje: “Meqë u hap tema e të shikuarit mbrapa ferrave dhe e përpjekjes për të kthyer përmbys një fakt që po e them si ka ndodhur, si ndodh dhe si do ndodhë. Ne nuk bëjmë mbledhje me administratën për fushatë. Këtu fillon ndryshimi i parë mes nesh dhe jush.
Një autokritikë e thellë nga një përfaqësues i LSI-së: “Më vjen turp që para katër vjetësh votova për Lulin!!!”
Brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim ka një të penduar. Një të penduar për votën që i ka dhënë Lulzim Bashës më 8 maj 2011. Ky është Ralf Gjoni, sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në partinë që drejtohet nga Ilir Meta. Gjoni publikon sot “një opinion tërësisht personal” në gazetën “Mapo”, duke i bërë të ditur botës pendesën e tij të madhe. “Më vjen turp që para katër vitesh e ndihmova, dhe më pas duke e zhytur në kuti atë dreq letre, e votova Lul Bashën në krye të Tiranës.