Fundi i Tranzicionit/Mero Baze ka rënë në dashuri

Publiku shqiptar ka tashmë rreth dy vjet që ka mësuar një lajm cilësisht ndryshe. Një nga ato lajmet që të jep ndjesinë e mirë se tranzicioni po shkon drejt fundit. Lajmi është se Mero Baze, një ndër gazetarët më të mirë siç jemi mësuar të dëgjojmë, ka rënë në dashuri. Madje në një dashuri të thellë e pa kthim.
Bazes, tepelinizuesit të uftës mediatike në politikë, i ka rënë në kokë me Drejtësinë. Nuk ka ditë që të mos flasë për të; si duhet të ishte, si e lëndojnë, si e shkelin, e përdhosin, e përgojojnë. Dhe ai përditë me tastierë në dorë e rishkruan, e rivizaton, ia heq cikatriçet e paradites. Si një Penelopë ai thurr natën pëlhurën e drejtësisë së pastër që zhbëjnë ditë mëtonjësit e tërbuar, këta gaxhgaunë që i morën frymën drejtësië së bukur që e duam të gjithë.
Saga e Erjon Veliajt është kashmiri i kësaj pëlhure në të cilën shkrim pas shkrimi, Baze ka shënuar të gjitha plagët, njollat. Një epos i vërtetë nën heshtjen e një Shqipërie që ka hyrë në borxh moral tashmë me këta dy heronj- njëri Penelopa e tjetri Telemaku që po ngrohin harkun e për të qëlluar dikur në shenjë. Kafazi ku mbahet Veliaj është “agimi i një dite të re” në apologjinë pa fund të Veliajt, kafaz që tanimë na kujtohet se nuk përdorej as për Zani Çaushin. Kufizimet e GJKKO-së janë një tjetër episod që e eksiton Bazen me sensin e drejtësisë dhe logjikës solide, edhe pse kafaz ka vënë me kohë qeveria dhe Kuvendi dhe askush nuk u shqetësua.
Aq i thellë është ky pasion saqë drejtësia po barazohet me përfundimin e procesit ndaj Veliajt, për të cilin kërkohen gjëra të mundshme nga Ligji por të panjohura dhe të huaja për të vetë. Një i tillë është Dinjiteti, të cilin Baze mendon se Veliajt j takon se duket si njeri, por në fakt ai i takon me ligj pasi ligji është bujar: nuk e lë Dinjitetin në mëshirën e gjykimit të disa homininëve si Veliaj. Është pikërisht verbimi nga dashuria për Drejtësinë që e çon Bazen drejt kësaj perspektive të deformuar kur sheh njeriun te Veliaj dhe pastaj kërkon normën. Jo. Është norma që e bën Veliaj njeri, e kujtoi më në fund se është i tillë. Pasi siç e dimë Zdroms Këllira(mos të na keqkuptojë kush për mbiemrin) kalonte në autostradën e vëmendjes si Superman. Apo jo?
Ka ca që thonë se Baze e ka edhe sy. Mundet. Kjo sevda për drejtësinë në këtë moshë vështirë se shpjegohet me letrat e mjekësisë, por një të mirë e ka: ajo i jep forcë Penelopës të vazhdojë e të thurë. Çdo natë, pa u ndalur. Pa pushim. Deri sa shigjeta të ngulet aty ku duhet.

Comments
Sa keq keni perfundu mor burr
Sa keq keni perfundu mor burr. Tu numuru pordhet e Mero Bazes. Fukarallek i modh.
Add new comment