Sponsorizimi i tavanit dhe komanda e qokave?

Draft-ligji i sponsorizimit, që ministri Gonxhe, apo siç shoferi i suksesshëm socialist (siç vetë Blendi publikoi) nxitoi ta lançonte si një sukses madhështor për trinomin: ART-KULTURË-SPORT, mbetet ende një dilemë e bukur në nëntorin e buxhetit të madh shtetëror. Një draft që do duhet të marrë kartonat respektivë të Kuvendit, por që natyrisht ka nën vete edhe mospëlqimin radikal jo-publik të ministrit të financave. Njëherësh në këtë nismë reflektohet edhe një vullnet deri diku i deformuar politik, për të mbyllur gojën, sportit e futbollit. Natyrisht që akulli u thye, dhe ato 22 miliardë lekë tavan, që do të vazhdonin të rrinin në buxhet, tani do të shkojnë në modelin sponsorizues për artin, sportin e kulturën, por natyrisht në formatin: Do shkojnë, aty ku dua unë dhe si dua unë.
E kjo komandë është shumë herë më e errët, dhe më e dëmshme në praktikë, se sa tavani i fiksuar, që nga 22 miliardë lekë, mund të rritet, apo edhe të ulet. Z.Gonxhe në mesazhin e tij drejtuar komuniteteve të interesit, foli në makro, teksa kurioziteti është shumë më i madh, në mikro. Të gjithë në një thes, por si, sa, kush, çfarë e në çfarë mënyre do të orientohet tavani-shtet prej 22 miliardësh i sponsorizimit?
Për momentin, thjesht hamendësohet. Janë detaje që bëjnë e do të bëjnë diferencën, por në fund thelbi është shumë i qartë: Sponsorizimi priret se do të shkojë aty ku do politika, pse jo, edhe aty ku nevojitet interesi elektoral mbase. Kjo është më ulëritëse, se sa një tavan që kërkon disa ndarje, sepse mes artit, kulturës e sportit, kriteri financiar përcaktues është i pashmangshëm, për kufirin 22 miliardësh. E kjo do të kërkojë një VKM më vete, si një akt-nënligjor rregullator. Fakti që futbolli vazhdon ta monitorojë në distancë një proces të tillë, nuk do të thotë që as e përshëndet, por as e mirëpret entuziazmin e Ministrisë, pikërisht për të vetmin element:
procesi presupozohet që do të komandohet si një orientim kapitali, nën emrin e sponsorizimit, por me efektin e menjëhershëm të cuarjes së lekut aty ku don, e ku do dojë mekanizmi-shtet, dhe jo vullneti i biznesit
E në rastin konkret, jo çdo gjë mund të lidhet me Kryeministrin. Orientimi i procesit të sponsorizimit, përvecëse do të diktojë politikisht fondet, nën mburojën sponsorizim, natyrisht do të disiplinojë edhe shumë akse “rebele”, që në këmbim të sponsorizimit, më pas duhet të sillen mirë.
Nëse do të vazhdojë të jetë në ligj si dicka e komanduar, atëherë fare mirë mund të quhet cdo destinacion financiar sponsorizimi, si një qokë politike. Këtë Gonxhja nuk e sqaroi, por ka ende kohë që një kleçkë e tillë burokratike të pastrojë këtë draft-ligji nga komanda politike dhe ajo klienteliste me të. Dhe për këtë duhet një lobim publik, pikërisht tani në kohën e diskutimit të ligjit, paketës fiskale dhe buxhetit. Shanset janë që drafti të mos ketë ndryshime, pasi presioni i madh i ministrit të financave çoi në tavanin 22 miliardësh, e përtej kësaj edhe në certifikimin komandues për këdo që do të operojë me procesin e sponsorizimit. Pra, në një mënyrë, apo një tjetër mund të thuhet deri tani, me këtë draft që do të jetë:
Një proçes sponsorizimi i centralizuar, dhe aspak i lirë, nën menunë e politikës. Dhe nëse do të lëvizë për më lart tavani i caktuar, siç flitet lart e poshtë në shumë tavolina krudosh, por edhe nëse do të qëndrojë 22 miliardë, siç ministri vrapoi të deklaronte në stadium, atëherë, si sporti, arti e kultura duhet të dinë limitet e shifrës se deri ku do të mund të operojnë. Përtej kësaj, praktika e komandës së procesit, është thjesht ndarje fondesh me indikacion politik dhe vullnet të orientuar.
Detaje të cilat duhet t’i sqarojë në vijim ministri Gonxhe, sikundër edhe disa të tjera që nuk duhen neglizhuar, apo harruar, si psh:
1. Kur do të bëjë Ministri Gonxhe transparencën e alokimit të 170 milionë lekëve për eventin e sportit universitar?
2. A duhet që taksa-paguesit shqiptarë të kenë një transperencë në lidhje me këto para të dhëna me firmën e ministrit?
3. A ka një strategji për ndarjen e parave të shpërblimeve të sportistëve-studentë medalierë në kompeticionet ndërkombëtare, apo shteti nuk do të japë më kurrë lekë për ta, edhe pse ka një VKM?
4. Pse ministri Gonxhe, apo vartësit e tij nuk bëjnë publik buxhetin për federatat sportive për vitin 2027?
5. A do të alokohet fond për Europianin e U-21 që do të realizohet në Shqipëri në vitin 2027?
6. A do të alokohet fond për përgatitjen e sportistëve elitarë për Lojërat Olimpike të Atlantës?
7. Pse u shkarkua zv.ministri i sporteve, për qarkullim elitash, apo për problematika të tjera?
8. A do të ketë një riformatim kabineti i sportit?
Janë thjesht vetëm pyetje, jo akuza. Duan një përgjigje, lipset një përgjigje, një transparencë e plotë dhe komunikim me publikun sportdashës, e jo vetëm. Transparenca është pa lekë, nuk ka kosto, s’ka tavan, apo kritere. Nuk do ligj, apo VKM, duhet vetëm pak vullnet. Asgjë tjetër…

Add new comment