Unë nuk di gjë!

Në vitin 1974, Pier Paolo Pasolini, publikoi në “Corriere della Sera” një ndër shkrimet më të njohura të tij: Unë di(Io so). Jemi në vitet e masakrave dhe bombave, atentateve dhe mobilizimit politik të së majtës. Vitet e plumbit, siç do të pagëzohet ajo periudhë në vendin fqinj me ne. Vite kur omertaja kapi majat e politikës, preku ndërgjegjen e shoqërisë, duke krijuar një mur të ftohtë refuzimi, injorimi, banalizimi dhe dhune psikologjike, përkundër të cilit, Pasoli del me një fjali: Io so. Unë di.
Çfarë dinte Pasolini që më pas dikush do ta quante si “ndërgjegja e fajit e Italisë”? Ai dinte gjithçka: emrat e atyre që organizonin masakrat, grushtet e shtetit, e atyre që operonin strategjitë e tensionit për të bllokuar valën e lëvizjeve sociale. Pasolini deklaron se di dhe njeh të gjithë përgjegjësit e asaj që po ndodhte në Italinë e asaj kohe, por siç shtonte ai mandej:
Unë i di. Por nuk kam provat dhe as adresat
Për të vijuar mandej me një reflektim që kumton edhe sot të vërtetën e një krize të gjatë morale që ka prekur në mënyrë vertikale këdo:
Unë i di sepse jam një intelektual, një shkrimtar, që përpiqet të ndjekë çdo gjë që ndodh, të njohë çdo gjë për të cilën shkruan, të imagjinojë gjithçka që nuk dihet, apo për të cilat heshtet; që koordinon fakte edhe të largët, që bën bashkë copëza e çorganizuara dhe fragmentarizuara të një kuadri të tërë politik koherente…Besoj po ashtu se shumë intelektualë të tjerë dhe shkrimtarë dinë atë që unë di si intelektual dhe shkrimtar. Sepse rindërtimi i së vërtetës rreth asaj që ka ndodhur në Itali pas 1968-s nuk është edhe aq e vështirë
Kanë kaluar 52 vjet nga ajo kohë e vështirë politike për Italinë të cilën ne shqiptarët e njohëm në ditët e saj më të mira. Dhe asgjë nuk duket të ketë ndryshuar për statusin e së vërtetës në këtë anë të Adriatikut që në ato vite përjetonte një ndër spastrimet më të egra politike dhe inauguronte hyrjen në një autarki që do të çonte në rrënimin e fund viteve ’80.
Ndoshta Pasolini nuk do ta kishte parashikuar dot se përkundër strategjisë së tensionit, krijuar megjithatë nga predispozita të luftës ideologjike, ka një strategji edhe më malinje, që nuk vepron me idenë e represionit, por me pushtetin topitës të narkotikut. Është strategjia e korruptimit tërësor, qelizor, që nis e vetëstrukturohet si e tillë pikërisht sapo një shoqëri I dorëzohet edhe kulturalisht Konsumit, kundër të cilit foli me aq dëshpërim Pasolini dhe me të cilin kishte luftë thuajse ekzistenciale.
Është një strategji pushteti e mirëfilltë që nuk korrupton vetëm njerëzit, por edhe mundësitë e shoqërisë për të identifikuar të mirën si opsion zhvillimi dhe mirëqenieje, si hapësirë ku elaborohet evolucioni dhe identiteti njerëzor sipas një rendi vlerash.
Kjo strategji përjashton mundësinë e heronjve, dobinë e artikulimit të së vërteës sonë, ajo vepron në vetështytje të vazhdueshme duke shkallmuar me lehtësi çdo kod dhe normë që deri më dje besohej si referues.
Është e thjeshtë, shumë e thjeshtë për ta kuptuar këtë. Në dallim nga Pasolini dikur që kishte emrat por jo provat dhe adresat, që nënkuptonte se “E Keqja” asociohej me Sekretin, sot ne dimë emrat, adresat; provat janë sheshit, hapur, kudo, nëpër institucione ku është gdhedhur në ballë fajësia flagrante, përgjëgjësia e plotë për këtë strategji të cilën ato e mishërojnë dhe shpallin madje si model suksesi.
Është paradoksale që sot në kohën e informacionit, në epokën e mediave sociale dhe të pamundësisë për kontroll të impulseve të shoqërisë, ata që NUK DINË, janë në krye të shtetit. Të qeverisë. Kryeministri unë nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur rreth tij, me firmën e tij, apo në kopshtijen e qeverisë së tij. Ai nuk di asgjë. Zoti Rama, ia lejon vetes këtë luks të Padijes Universale në një kohë kur të Dish, është parakusht për të kuptuar informimin nga dezinformimi, të shmangësh revoltën që sugjerojnë faktet nga revolta që provokon shmangia nga përgjegjësitë, duke rrezikuar që raporti qeveri-shoqëri të shndërrohet në një luftë hibride më vete.
Unë e Di – thërriste me të madhe Pasolini që ishte i privuar nga Provat. Ekzigjenca për të cilat dhe skrupoloziteti i intelektualit nuk e lanë të shprehej. Mjaftoi ajo fjali që ta çonte siç thonë në vdekjen e tij misterioze. Dhe kështu shteti mbeti shtet dhe intelektuali intelektual në altarin e të vërtetës që besonte.
Ne sot dimë të gjithë, madje i kemi thënë të gjitha; publikisht, me emër, pseudonim, anonim, por askush nuk e prish terezinë sa të përpiqet për mbylljen e gojës. E keqja zëvendësohet sepse ajo ka kapur mendësinë e njeriut, duke u legalizuar me të si formë e bashkëjetesës më të lehtë. Edhe pse, thellë-thellë, kushdo e ndjen se rruga e nisur është drejt humnerës dhe me sy hapur.

Add new comment