Iluminizmi me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë
E enjtja e tretë e çdo muaj nëntor është Dita Botërore e Filozofisë. Bazuar në rëndësinë e kësaj disipline në formimin njerëzor, UNESCO shpalli këtë ditë si të tillë që në vitin 2002. Me rastin e kësaj dite po i dedikojmë një artikull të shkurtër iluminizmit.
Dijet filozofike dhe krijimtaria letrare kanë lindur në kohë dhe vende të caktuara, por as koha as vendi nuk kanë qenë një limit apo kufizim për përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm si të ideve filozofike, ashtu dhe të krijimtarisë letrare. Pikërisht për kohën dhe vendin ku lindi iluminizmi, shekulli XVIII është konsideruar si shekulli i iluminizmit (ndriçimit) dhe Franca vendi i tij. Iluminizmi është konsideruar si kritikë ndaj metafizikës dhe ndaj ndikimit të madh të fesë në të gjitha aspektet e jetës së njeriut. Kjo rrymë filozofike do të gjej terren të përshtatshëm në Itali, në Gjermani e më gjerë. Përfaqësuesit e saj janë të shumtë si Montesquieu, Volteri, Diderot, Rusoi etj. Tek këto autorë spikat ndjeshmëria për gjendjen në të cilën gjendej njeriu në atë kohë dhe dëshira e tyre për të mbi kaluar atë gjendje në një shoqëri më të lirë e ku njerëzit të jenë të barabartë.
Sipas Montesquieu-t (1689-1755), ligjet do të jenë relative me strukturën fizike të vendit, me klimën, me llojin e jetës së popullit; ato do ti referohen shkallës së lirisë të përshtatshme me kushtetutën, fenë, origjinën e tyre. Për sa i përket gjendjes së trishtë në të cilën gjendet njeriu, atë e përshkruan Volteri (1694-1778) në Candide. Sipas tij, njeriu ka lindur për të jetuar në tronditje dhe shqetësime ose në letargjinë e mërzisë. Ndërsa kënaqja e dëshirave (kur mund të arrihen) shkakton mërzi, ndjenjë boshllëku, nga ku rilind shqetësimi; një cikël ferri. Ai është në luftë kundër paragjykimeve. Po ashtu dhe Holbach (1723-1789) tek vepra "Sistemi i natyrës" shprehet se njeriu do të pushojë së kërkuari jashtë botës qenie të tjera që ta bëjnë të lumtur.
Kurse Rusoi (1712–1778) ka si qëllim rinovimin rrënjësor të shoqërisë. Ai në shkrimin "Mbi origjinën e pabarazisë ndërmjet njerëzve" mohon faktin se zhvillimi i shkencës dhe kulturës të ketë qenë një e mirë për shoqërinë. Ndjenja e lirisë, që njeriu në origjinën e tij kishte, është shuar. Dominon një uniformitet verbues. Një stampë e vetme ka modeluar njerëzit. Sipas tij, njerëzit janë për natyrë të barabartë ndërmjet tyre dhe në origjinën e tyre kanë jetuar të lirë, të lumtur dhe të shëndetshëm. Në momentin që doli nevoja për të ruajtur diçka zhduket pabarazia dhe lind prona. Rusoi bën një kritikë radikale kushteve të jetës së kohës së tij dhe bën thirrje për elementet primitiv natyror të privuar nga çdo lloj korrupsioni.
Mendimi më i përhapur i iluministëve ishte se njeriu mund të realizojë veten vetëm duke iu hapur shoqërisë dhe, për iluministët, të jesh i nevojshëm për të tjerët do të thotë të jesh i nevojshëm për vete. Iluministët kishin si qëllim të eliminonin padrejtësitë.
Kryesisht dominon optimizmi por ka pasur dhe opinione pesimiste që konsistonin në pamundësinë e përmirësimit të jetës së njerëzve në tokë. P.sh. Giovanni Maria Ortes (1713 – 1790) ka mendimin që të paktën vuajtja ose dëshpërimi natyrore i njerëzve mos të rritet me iluzione false të iluministëve.
Ndonëse në emër të ideve iluministe ngjarjet historike kanë degraduar në drama, ato janë të pafshishme në memorien e njerëzimit.
Në një nga kartelat e studenteve, që protestonin në mënyrë paqësore në Paris shkruhej: Jo errësirë në vendin e ndriçimit.

Add new comment