Arkiv-Lajme
Tjetër largim nga Agon Channel Italia, ikën edhe drejtori i rrjetit të televizioneve, Lorenzo Petiziol
Pas largimit të drejtorit editorial në Agon Channel Italia, Antonio Caprarica, kontrata ka përfunduar para kohe edhe për drejtorin e i rrjetit të televizioneve Agon, Lorenzo Petiziol. Në një intervistë për Udine Today, ai ka deklaruar se kanë qenë arsye familjare që e detyruan të braktisë projektin e nisur nga Francesco Becchetti, duke mos fshehur zhgënjimin nga realiteti që gjeti në studiot e Agon Channel Italia në Tiranë. Lapsi. al ka zbardhur një pjesë të intervistës së tij për gazetën italiane, ku zbulohen detaje si punohej në Agon Channel Italia dhe si hartohej programacioni ditor.
Plotësimi i vakancave, KQZ, rrezikon të përfshihet nga një ngërç institucional
KQZ, rrezikon të përfshihet nga një ngërç institucional, nëse trupa zgjedhore nuk plotësohet, pasi prej më shumë se një viti funksionon me 4 nga 7 anëtare. “Balkanweb” shkruan se tashmë që opozita është rikthyer në Parlament, shumica thotë se nuk ka më asnjë pengesë për plotësimin e vakancave. Jo më vonë se data 21 janar 2015, Komisioni Qendror duhet të marrë të paktën 2 vendime që kërkojnë 5 vota të anëtarëve.
PD denoncon: Rama la në errësirë natën e vitit të ri 147 komuna e 15 bashki. Guxholli: Nga 1 janari fatura e energjisë 24% më shtrenjtë
Drejtuesja e Departamentit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Zana Guxholli denoncoi mungesën masive të energjisë në pjesën më të madhe të vendit dhe bllokimin e mjaft komunave. Sipas saj: “Shqipëria dhe shqiptarët i kaluan festat e fundvitit të errësirë dhe ndërprerje disa ditore. 147 komuna dhe 15 bashki kanë patur ndërprerje në datën 31 dhjetor dhe 1 janar”. Ndërkaq Guxholli denoncoi rritjen e ccmimit të energjisë elektrike. Para medieve ajo tha se: “rreth 76% e familjeve shqiptare do paguajnë energjinë 24 % më shtrenjtë nga data 1 janar.
Shtrenjtohen çmimet e shitjeve për E-book dhe iTunes. Hyn në fuqi rregullorja e re e BE. Taksa e re kërkon të nxjerrë jashtë loje Amazon dhe Apple
Dy faqet elektronike shitje-blerje online, ajo për libra E-books dhe ajo e shkarkimeve muzikore iTunes janë ndër produktet e përzgjedhura për t’u bërë më të kushtueshme sipas rregullave të reja të Bashkimit Europian. Vendimi për taksën e re ka hyrë në fuqi në datën 1 janar. TVSH-ja për prodhimet dixhitale, të tilla si E-books, shkarkime muzikore dhe aplikacione të tjera, do të ngarkohet sipas vendit ofrues. TVSH do të jetë e pagueshme në vendin ku produkti dixhital është blerë.
Hyn në fuqi buxheti i vitit 2015. Rritja ekonomike parashikohet 2%, sipas FMN
Nga data 1 janar, ka hyrë në fuqi buxheti i vitit 2015. Sipas Ministrisë së Financave ky buxhet ka në objektiv vendosjen e balancave makroekonomike, uljen e borxhit, rritjen e qëndrueshme ekonomike, rritjen e investimeve, si dhe garantimin e reformave të ndërmarra. Për vitin 2015 rritja ekonomike parashikohet 3% sipas Qeverisë Shqiptare por 2%,sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Jahjaga përtej kostumit të detyrës
Gazeta “Express” përcjell foto të presidentes Atifete Jahjaga gjatë natës së ndërrimit të viteve. Jahjaga është shfaqur e çlirët duke kënduar në nje lokal, shoqëruar nga një grup instrumentistësh. Foto interesante që japin presidenten jashtë kostumit detyrës, në të cilin jemi mësuar ta shohim gjatë vitit.
s.z
Deutsche Welle: Evropa 2015, Gjermania i ka punët mirë, shtetet e tjera të mëdha të eurozonës do të kenë rënie
Problemet do të vazhdojnë dhe në vitin 2015: ekonomia, Rusia, kriza e euros. Në një shkrim të Bernd Riegert botuar në “Deutsche Welle” ngrihet pikëpyetja: Por a ka Evropa përgjigje për sfidat e reja? "Do të ketë një fllad të freskët, por jo stuhi", tha Jean-Claude Juncker i pyetur nga DW në lidhje me ndryshimet në vitin 2015. Komisioni Evropian dëshiron t'i japë një shtysë të re të BE-së sidomos për krijimin e vendeve të punës dhe për programin e investimeve në vlerë 315 miliardë euro.
Papandreu zyrtarizon partinë e tij, pikërisht kur Greqia ndodhet në ethet e zgjedhjeve të parakohshme të 25 janarit
Ish-kryeministri grek dhe ish-kreu i PASOK, Jorgos Papandreu shpall zyrtarisht partinë e tij. Shpallja e partisë së krijuar nga ish-kryeministri dhe ish-kryetar i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, bëhet në një kohë kur Greqia ndodhet në ethet e zgjedhjeve të parakohshme të 25 janarit, dhe kur SYRIZA mund të jetë forca fituese. Në një deklaratë me shkrim, Papandreu thekson: “Vit i ri, fillim i ri. Erdhi ora për hapin tjetër të madh të forcave progresive të vendit.
86 për qind e serbëve nuk pranojnë ta njohin Kosovën edhe pse kjo do t’u kushtonte anëtarësimin në BE
Serbët vazhdojnë të mos e kuptojnë realitetin e krijuar prej vitesh në Kosovë. Gazeta “Tribuna” shkruan se në një anketim të bërë në Serbi, del që 86 për qind e serbëve janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Anketa është bërë nga agjencia “Faktor Plus” e porositur nga gazeta “Politika”. Sipas “Tribunës” del se nga kjo përqindje, serbët do të ishin kundër njohjes së Kosovës, edhe nëse kjo do t’u kushtonte me anëtarësim në Bashkim Evropian.
Reformat e reja të taksave dhe tatimeve në vitin 2015, pritet të gjenerojnë 16 miliardë lekë
Tani kur ka hyrë në fuqi paketa fiskale, Ministria e Financave ka bërë gati një pjesë të udhëzimeve që e shoqërojnë dhe mundësojnë zbatimin e saj si nga ana e biznesit dhe administratës tatimore. “Monitor” shkruan se politikat e reja të taksave dhe tatimeve në vitin 2015 synojnë një zgjerim të mëtejshëm të bazës së të ardhurave për të mbështetur rritjen e shpenzimeve publike dhe konsolidimin fiskal. Këto politika pritet të gjenerojnë rreth 16 miliard lekë. Sipas “Monitor” kjo paketë ka ndryshuar normën e taksimit mbi të ardhurat personale nga 10% në 15%.