Deutsche Welle: Evropa 2015, Gjermania i ka punët mirë, shtetet e tjera të mëdha të eurozonës do të kenë rënie

Problemet do të vazhdojnë dhe në vitin 2015: ekonomia, Rusia, kriza e euros. Në një shkrim të Bernd Riegert botuar në “Deutsche Welle” ngrihet pikëpyetja: Por a ka Evropa përgjigje për sfidat e reja? "Do të ketë një fllad të freskët, por jo stuhi", tha Jean-Claude Juncker i pyetur nga DW në lidhje me ndryshimet në vitin 2015. Komisioni Evropian dëshiron t'i japë një shtysë të re të BE-së sidomos për krijimin e vendeve të punës dhe për programin e investimeve në vlerë 315 miliardë euro. "Megjithatë, rikuperimi i financave publike do të mbetet i rëndësishëm," tha Junker duke kufizuar pritjet e ekzagjeruara në vendet në krizë ekonomike si Italia dhe Franca. Parashikimet ekonomike të Komisionit Evropian flasin për një rritje modeste prej 1,1 për qind në vendet e eurozonës. Zhvillimi në shtetet e ndryshme anëtare do të vazhdojë të jetë shumë i ndryshëm. Sipas “Deutsche Welle” Gjermania i ka punët mirë, ndërsa shtetet e tjera të mëdha të eurozonës do të kenë rënie. Komisioneri evropian, Jyrki Katainen, tha se: "Situata ekonomike dhe e punësimit nuk po përmirësohen aq shpejtë sa duhet." Në arsyetimin e tij autori shkruan në “Deutsche Welle” se Banka Qendrore Evropiane (BQE) do të luftojë edhe vitin e ardhshëm me pasojat e krizës së borxhit dhe rritjen e vështirë ekonomike. Rreziqet janë të shumta sqaron BQE-ja në analizat e saj të kohëve të fundit. Sidomos inflacioni shumë i ulët shkakton probleme. BQE është e gatshme të hedhë masivisht para në tregje. Se kur duhet të bëhet ky hap kjo është e hapur. Italia këmbëngul, Gjermania frenon dhe preferon si zakonisht një politikë shumë të përmbajtur fiskale.
l.v
http://www.dw.de/evropa-2015-nj%C3%AB-fllad-i-fresk%C3%ABt/a-18164424
Add new comment