Arkiv-Lajme
Drejtori i “Albpetrolit”: “280 mln$ shpenzime të pajustifikuara nga kompanitë e naftës për 2013”. Pse u nënshkrua atëherë marrëveshja me “Bankers” në 2014-ën?
Drejtori i “Albpetrolit”, Endri Puka, ka deklaruar sot për “Top-Channel” se vetëm për vitin 2013, nga kontrollet e ushtruara, ka rezultuar se “janë 280 milionë dollarë kosto që nuk u janë njohur kompanive hidro-karbure në tërësi”. Ai ka sqaruar më tej se për vitet 2005-2013, kompanive që ushtrojnë aktivitet në fushën e hidrokarbureve, nuk u është refuzuar asnjë shpenzim, edhe pse shpesh kanë qenë të pashoqëruara me dokumente. Puka u referohet kompanive në tërësi, por duket se veprimet konkrete do të përqendrohen ndaj “Bankers”, duke kthyer në akte konkrete paralajmërimet e kryeministrit.
Nis puna për matjen e nivelit të radioaktivitetit në të gjithë Shqipërinë. Studimi do të zgjasë 5 vjet dhe do të realizohet me ndihmën e Institutit Bërthamor Italian
Qeveria shqiptare, më konkretisht, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ka bërë të ditur sot se do të nisë puna për matjen e nivelit të radioaktivitetit në të gjithë Shqipërinë. Studimi do të zgjasë 5 vjet, me një kosto 500 mijë euro dhe do të realizohet me ndihmën e Institutit Bërthamor Italian. Drejtori i Agjencisë, Julian Beqiri, deklaroi se do të synohet hartimi i një regjistri për nivelet e matura për të gjithë vendin, në ndryshim nga praktika e deritanishme, që është bazuar në matjet e bëra në zona të caktuara.
Serbia dorëzon notë proteste në ambasadën shqiptare në Beograd. “Deklaratat e kryeministrit shqiptar, destabilizuese për rajonin”
Ministria e Jashtme e Serbisë njofton se sot i është dorëzuar ambasadorit shqiptar në Beograd, një notë proteste që pason deklaratat e kryeministrit shqiptar për bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, e konsideron këtë si “një tjetër qëndrim në serinë e deklaratave provokuese të drejtuesve më të lartë të Shqipërisë që dëmton marrëdhëniet dypalëshe dhe rrezikon marrëdhëniet dhe stabilitetin në rajon”. Deklarata e Ramës për bashkim në mënyrë klasike mes Shqipërisë dhe Kosovës konsiderohet nga pala serbe “e papranueshme”.
Reagon A. Fuga ndaj zv.ministrit të Arsimit: “Dhjetë shekuj liri universitare në Europë nuk ja heq dot Shqipërisë nëpunësi i dorës të dytë me emrin Arbër Mazniku”
Artan Fuga ka reaguar me një postim në profilin e vet në “Facebook” ndaj deklaratave që zv.ministri i Arsimit ka bërë sot në gazetën “Panorama” ndaj kritikave për ligjin e ri “Për Arsimin e Lartë”. Mazniku i ka përsëritur qëndrimet e veta edhe në intervistën dhënë Mustafa Nanos për “ResPublica”, duke konfirmuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë lapsus.
Biznesi në Itali, raportohen 30 700 sipërmarrje individuale të shqiptarëve
Njeh rritje iniciativa e shqiptarëve për të vërë biznes në Itali. “Top-Channel” referon raportin e Dhomës së Tregëtisë, sipas të cilit një në çdo dhjetë ndërmarrje është me pronar të huaj. Në vend të parë nga të huajt janë marokenët, pastaj vijnë shqiptarët me 30 700 biznese individuale. “Ndër to, shumica dërrmuese, 23 mijë janë në sektorin e ndërtimeve, shifër që i radhit shqiptarët të parët në këtë sektor”, theksohet në raport.
s.z
Zv.ministri A. Mazniku me M.Nanon: “Do duhet pak kohë që edhe skeptikët të binden, se reforma në Arsimin e Lartë është reforma e duhur”
M.N: Mazniku, lexova sot në “Panorama” një shkrim tuajin polemik. S'ju kisha parë asnjëherë aq të inatosur. Thoshit për Artan Fugën se "i ka marrë koka erë"...
A.M: Në fakt, në respekt për Profesorin, "marrja koka erë", është një version i mirë i ngjarjes. Pasi pandershmëria akademike, është më e rëndë sesa "marrja e kokës erë". Kjo mund t'i ndodhë gjithkujt. Pandershmëria akademike, të thënit të pavërteta, të ngriturit panik, është keqpërdorim i titullit. Unë nuk besoj dot se kemi të bëjmë me këtë të dytën, ndaj dhe preferoj të parën.
Tejkalohen afatet për akreditimin e universiteteve. Agjencia britanike ''Quality Assurance Agency'' me raport të pjesshëm në korrik
Abc News raporton se procesi i akreditimit të universiteteve i paralajmeruar për në janar nuk ka nisur ende. Ndryshe nga sa ishte premtuar agjencia britanike ''Quality Assurance Agency'' raportin nuk do ta paraqese të plotë në muajin korrik, një pjesë e tij do të publikohet në tetor.
Përgjimet në Maqedoni, ish-ministri i Brendshëm, Pavle Trajanov, deklaron se ato janë realizuar nga “burime vendase”
Ish-ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Pavle Trajanov, ka deklaruar se skandali i përgjimeve që po trondit skenën politike të vendit, nuk ka autorësi të huaj. “Zhurnal” citon Trajanov të jetë shprehur se “sa i përket përgjimeve nuk ka dilema se ato janë nga burime vendase”. Ky qëndrim bie ndesh me mendimin e përhapur nga kreu opozitar Zoran Zaev, që ka hapur lojën e publikimit të përgjimeve.
Debati për uljen e tvsh-së për energjinë dhe premtimi i pambajtur i mazhorancës. Deputeti socialist Ervin Koçi: Nuk na e lejoi sistemi dhe FMN-ja, bie ndesh me politikat e kursimit
Parlamenti ka diskutuar këtë të enjte mbi propozimin e opozitës për të reduktuar me 14 për qind normën e tvsh-së për energjinë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka tha se ulja e tvsh-së nga 20 në 6 për qind do të lehtësonte barrën e shqiptarëve, të cilëve kjo taksë u faturohet në çmimin e energjisë elektrike. Sipas tij, ulja e normës së tvsh-së nuk ndikon as në performancën e kompanive si KESH dhe OSHEE. Opozita i kujtoi mazhorancës se reduktimi i tvsh-së ishte një premtim i saj elektoral dhe se programi që qeveris është i ndryshëm nga ai që u votua në 23 qershor.
Analisti politik serb, Dushan Janjiç, thotë se Rusia do ta njohë Kosovën, posa t’i duhet ndonjë favor prej SHBA-ve. Sipas tij një ditë kjo do të ndodhi
Sipas agjencisë së lajmeve “INA” analisti politik serb, Dushan Janjiç, vlerëson se SHBA-të kanë marrë sërish ‘komandën’ në rajon, duke iu referuar mesazheve të muajve të fundit të cilat po i vijnë Serbisë nga qendrat politike dhe financiare botërore. Arsyeja për këtë, sipas tij është kriza ekonomike dhe zgjerimi i Rusisë nëpërmjet sektorit të energjisë në Evropë dhe faktin se BE-ja iu kthye vetvetes duke lënë pas dore Ballkanin.