Përgjimet në Maqedoni, ish-ministri i Brendshëm, Pavle Trajanov, deklaron se ato janë realizuar nga “burime vendase”

Ish-ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Pavle Trajanov, ka deklaruar se skandali i përgjimeve që po trondit skenën politike të vendit, nuk ka autorësi të huaj. “Zhurnal” citon Trajanov të jetë shprehur se “sa i përket përgjimeve nuk ka dilema se ato janë nga burime vendase”. Ky qëndrim bie ndesh me mendimin e përhapur nga kreu opozitar Zoran Zaev, që ka hapur lojën e publikimit të përgjimeve. Në bisedën e regjistruar mes tij dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, ai thotë se përgjimet janë nga agjenci të huaja, por mesa duket aktorë politikë të Maqedonisë mendojnë se ato mund të jenë lojë e brendshme. Trajanov ka kritikuar edhe procesin lustrimit “ si proces politik i manipuluar dhe që duhet të ndërpritet menjëherë”. Për t’u shënuar është fakti se ndonëse përgjimet kanë kohë që po qarkullojnë në mjedisin politik maqedonas, duke u riprodhuar në të gjitha mediat, ato ende nuk i kanë hapur rrugë një zgjidhjeje politike. Zaev i ka quajtur ato “bomba”, por që ende nuk ka dhënë efekt të prekshëm.
s.z
Add new comment