Arkiv-Lajme
Reforma territoriale, disa gazeta përqendrohen te ndërhyrja e Venizellos dhe Himara
Disa prej gazetave të përditshme në Tiranë i kanë kushtuar rëndësi parësore ndërhyrjes së ministrit të Jashtëm grek Venizellos për çështjen e reformës territoriale. Me këtë rast qëndrimi i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati se “këto janë çështje tonat të brendshme” del në dritë të mirë, duke përuruar pozitivisht 300 ditësishin e dytë të tij. Ajo që bie në sy është fakti se çdo prononcim i politikës është përcjellë pa iu drejtuar një autoriteti tjetër, kompetent për fushën. Kjo pasi nëse krijohen zona funksionale atëherë edhe ndarjet duhet të argumentohen mbi këtë kriter.
“Panorama” raporton një vjedhje në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Të kallëzuar dy punonjës të Departamentit të Emisionit
Gazeta “Panorama” shkruan sot për një vjedhje në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Ajo i është referuar kontrollit të Auditit të vetë Bankës, i cili ka bërë konstatimin e mungesës së një shume të madhe lekësh. Nga verifikimi i kameriave të sigurisë dhe nga fakti se kasaforta nuk ishte e dëmtuar, është arritur në dyshimin për dy punonjës të Departamentit të Emisionit për të cilët jepen inicialet A.B dhe M.B. Banka mban sekret shumën, por gjithësesi ka bërë kallëzim penal për ta.
s.z
Oferta e një klubi nate në Gjermani: Hyrje e lirë për votuesit e Erdoganit. Dëshmia? “Fotografoni votën, dërgojeni dhe hyni lirisht”
Erdogan, ose më saktë fryma politike që ai përçon, nuk mungon me “inovacione” politike, organizimin që gjithësesi shprehin një lloj polarizimi në Turqi. Kështu gazeta “Zaman”, që posedohet nga Fetullah Gulen, njofton se mbështetja e për Erdogan ka çuar deri në një gjetje marketingu në komunitetin turk në Gjermani. Një klub nate i poseduar nga turq me banim në Gjermani ka nxjerrë një njoftim sipas të cilit të gjithë ata turq që vërtetojnë se kanë votuar për Erdoganin do të kenë të drejtë të hyjnë falas në të për një vit rresht. Dhe emri i ambienti është tërheqës: “Taksim Bochum”.
Raporti i Prokurorit Williamson nuk përfshin fakte për trafik organesh. Mediat serbe flasin për arrestimin e 6 ish-luftëtarëve të UÇK-së
Raporti i prokuorit special Clint Williamson nuk ka përfshirë asnjë akuzë apo fakt për trafik organesh për UÇK-në gjatë luftës së vitit 1999. Gazeta “Zëri” sjell një raportim të RTK-së, e cila nga ana e vet i referohej mediave serbe. Dhe këto të fundit flasin se ndonëse nuk ka fakte për këtë gjë, sërish pritet të arrestohen 6 ish-luftëtarë të IÇK-së. Akuza për këtë masë është krime lufte ndaj civilëve serbë, por përjashtohet përgjegjësia e shtabit të UÇK-së për trafikun e organeve.
Papa Françesku shpallet qytetar nderi i Tiranës
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka shpallur qytetar nderi Papa Françeskun. Vendimi u mor në mbledhjen jashtë radhe në kuadër të përzgjedhjes së bërë për të vizituar Shqipërinë si vendin e parë evropian gjatë papatit të tij.
KLD-ja emëron katër kryetarë gjykatash. Presidenti me një mesazh të ri: “KLD-ja aktuale vite dritë larg KLD-së së paraardhëse që ishte diskredituar”
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur sot dhe ka marrë ndër të tjera vendim për emërimin e krerëve të gjykatave të Lushnjes, Tropojës, Fierit dhe Korçës, që do të jenë respektivisht Esmeralda Çeka, Artan Hajredinaj, Roland Jaupaj dhe Admir Belishta. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka folur me tone optimiste, madje duke njoftuar edhe një rekord të ri për punën e këshillit. “Garantoj qytetarët, se për herë të parë, ky Këshill me punën e tij është kthyer në binarët e ligjit. Praktikat e mëparshme, këtë Këshill e kanë diskretituar.
Greqia interesohet për reformën territoriale. “TCH” njofton se "është folur për Himarën". Ndërkohë nesër Dule do të takohet me ministrin e Jashtëm grek
Athina zyrtare është interesuar përmes ministrit të Jashtëm Evangelos Venizellos për reformën territoriale në Shqipëri, posaçërisht për ato zona që “kanë rëndësi të veçantë për minoritetin grek”. Njoftimi i Ministrisë së Jashtme greke nuk përmend Himarën, por Top-Channel, citon burime nga Ministria jonë e Jashtme sipas të cilave kjo çështje është prekur në bisedën telefonike.
Rupert Murdoch drejt blerjes së Time Warner. “Ndërhyn” në pazar John Stewart, thirrje amerikanëve që “të blejmë CNN”
John Stewart, komediani dhe kritiku i njohur amerikan thotë se ka ndërmend të blejë CNN. Jo vetëm, pasi nuk i disponon paratë, por duke nisur një fushatë. Shifra për të cilën flitet se vlen CNN në shitje është diku te 10 miliardë dollarë, por sipas Stewart “këto janë shumë para për çdo njeri, por jo për të gjithë”. Një lëvizje e tillë do të vijë thotë ai nëse Rupert Murdoch blen Time Warner, akt ky që mendohet t’i hapë rrugën shitjes së CNN, pasi Murdoch zotëron tashmë Fox News. Stewart ka hapur edhe një faqe për këtë qëllim: LetsBuyCNN.com, por aty nuk lejohet që të kontribuosh.
Mogherini kandidate e Italisë për të zëvendësuar Ashton. Kundërshtime nga vende të Europës Lindore. Motivi: “Italia është shumë proruse”
Roma zyrtare synon që në vend të Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme të cakothet ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini. “EuObserver” shkruan sot se kandidatuar e Mogherinit mund të hasë në kundërshtimin e disa vendeve të Europës Lindore, për shkak të perceptimit se “Italia është shumë pro ruse”. Ndërkohë kandidatura e Mogherinit përputhet me nisjen e presidencës italiane të Be-së që zgjat 6 muaj.
http://euobserver.com/foreign/125085
s.z
Kërkesë për njësi më vete administrative edhe nga goranët
“Goranët kërkojnë bashki”. Kështu e titullon lajmin e vet “Top-Channel”, i cili pasqyron një kërkesë të kreut të komunës së Shishtavecit, Dilejman Nela. “Zona e Gorës asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Kukësit dhe Krahinës së Lumës. Kjo ndarje territoriale duhet të marrë parasysh faktet historike. Kemi qenë gjithmonë komunë administrative nga Kukësi. Kemi një gjuhë sllave, kemi statusin e një pakice etnike kulturore”, tha Nela. E thënë thjesht fare: edhe goranët nuk dëshirojnë që në punët e përditshme të zonës, të bashkëqeverisin me “të tjerë”.