Arkiv-Lajme
Ministria e Brendshme prodhon pasaporta biometrike për persona që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe azilantit
Prodhohen për herë të parë pasaporta biometrike për azilantët në Shqipëri. Nga 148 shtete palë të Konventës së Gjenevës në lidhje me statusin e refugjatit, Shqipëria renditet në listën e vetëm 32 shteteve që e ofrojnë këtë të drejtë, tashmë konkrete.Ministria e Brendshme ka prodhuar pasaporta biometrike për persona që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe azilantit. Në bashkëpunim me Qendrën e Personalizimit, u prodhuan dokumente me standarde të larta sigurie.
Prezenca e OSBE-së dhe Ambasada Gjermane prezantojnë projektin për nxitjen e dialogut publik rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me financim nga qeveria gjermane, ka nisur një projekt për nxitjen e një diskutimi të gjerë publik rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri. Veprimtaritë e projektit do të nisin me një sondazh në shkallë vendi për të matur njohuritë e publikut, perceptimet dhe pritshmëritë e tij për diskutimet rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri.
Strukturat paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës pengojnë shqiptarët të kthehen në shtëpi të tyre
Strukturat paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës nuk e kanë ndërmend të shpërbëhen, raporton “Koha.net”. Sot, një grup i tillë prej disa personave është parë në veri të vendit duke e penguar që të kthehet në shtëpinë e tij një qytetar të Kosovës. Alush Alushi është pronari i një shtëpie në veri të Mitrovicës, i cili me urdhëresë të gjykatës ka fituar të drejtën të kthehet në shtëpi të tij. Burime të “KosovaPress”-it bëjnë me dije se shtëpia e Alushit është e uzurpuar nga Danillo Illiq, qytetarë serb i cili njihet për krim të organizuar dhe kontrabandim.
Kërcënim me bombë kundër kongresit të FIFA-s, të pranishmit braktisin sallën në panik
Një kërcënim me bombë u bë sot në kongresin e FIFA-s në Zyrih, njoftoi një zëdhënës i policisë së Zyrihut. Asnjë koment nuk u bë më tepër edhe pse një anëtar i zyrës së shtypit të medias të FIFA-s tha se salla ”Hallenstadion” dhe salla e konferencave për shtyp u evakuan për hetime. Ai shtoi se kongresi do të rifillojë sipas axhendës. Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter kërkon sot një mandat të pestë.
Partia Demokratike dërgon kërkesën në Gjykatën Kushtetuese: T’i hiqet mandati Kokëdhimës
Pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e PDsë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit socialist Koço Kokëdhima, sot Partia Demokratike i është drejtuar vetë kësaj gjykate.
Seanca në Gjykatë rreth akuzës që i bëri Kryeministrit për lidhje me krimin, Avokati i Ristanit kërkon pushimin e çështjes: Foli në emër të partisë
Avokati mbrojtës i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristanit kërkoi sot nga Gjykata e Lartë pushimin e çështjes ndaj klientit të tij, pasi deklarata e Deputetit të PD-së ishte në emër të forcës politike që përfaqëson dhe jo qendrim i tij individual. Kërkesa e avokatit të Ristanit është bërë në Gjykatën e Lartë, gjatë seancës gjyqësore në ngarkim të ish-zv/Ministrit të Brendshëm, i cili është akuzuar nga Kryeministri i vendit për shpifje, lidhur me një deklaratë të Ristanit, që akuzonte Kryeministrin e vendit, Edi Rama për lidhje me krimin.
Vizita e kryeministrit serb në Tiranë, Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndet Ramën dhe Vuçiç. E cilëson historike
Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndet kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç për riafirmimin e angazhimit të tyre për të forcuar bashkëpunimin mes dy shteteve me qëllim dhënien e kontributit për paqe, prosperitet dhe stabilitet në rajon. DASH e quan një vizitë historike atë të kryeministrit serb në Tiranë më 27 maj e cila vjen 6 muaj pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd. “SHBA përshëndet kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar në vizitën e parë zyrtare që kryeministri serb bëri në Tiranë më 27 maj.
“Monitor” shkruan se importet janë rritur lehtë, por deficiti tregtar është më i larti që nga 2012
“Monitor” shkruan se importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi kanë shënuar një rritje të lartë prej 19% në 34 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e projekteve madhore në energjetikë. Importet janë rritur me vetëm 0.7% me bazë vjetore për katërmujorin (nga 0.9% që ishte rritja për janar-mars 2015), duke arritur në 161.9 miliardë lekë. Megjithatë makineritë pajisjet dhe pjesët e këmbimit, që janë një tregues i investimeve janë në rritje dyshifrore.
Vuçiç për “Associated Press”: Serbia e gatshme të zvogëlojë varësinë nga gazi rus, me rëndësi të madhe janë marrëdhëniet e mira me SHBA-në
Sipas Agjensisë Telegrafike të Lajmeve, Serbia do t’i pranojë kërkesat amerikane për zvogëlimin e varësisë nga gazi rus dhe për t’iu bashkuar projektit për ndërtimin e gazsjellësit nga Azerbajxhani për në Evropë, që mbështetet nga Uashingtoni, deklaroi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç. “Në emër të sigurisë së saj energjetike, Serbia është e gatshme t’i diversifikojë burimet e gazit, çka është e rëndësishme edhe për miqtë tanë amerikanë”, deklaroi Vuçiç për agjencinë “Associated Press”, të cilës i referohet ATSH.
Gati marrja e vendimit në Kuvendin e Kosovës, 84 vota të sigurta për themelimin e Gjykatës Speciale
Gazeta “Exspress” raporton se deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të marrin vendimin pothuajse më të rëndin prej pasluftës pasi do të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merret me ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Deri më tash, koalicioni i ka të sigurta 84 vota të deputetëve me kusht që të gjithë ata që janë pro themelimit të jenë prezentë në seancën e sotme. Kështu, të gjithë 33 deputetët e LDK’së pritet t’i thonë “PO” Speciales. Ndërsa, të PDK’së do të jenë vetëm 32 pasi Nait Hasani, Fadil Demaku, Ganimete Musliu kanë paralajmëruar votë kundër.