Arkiv-Lajme
Mbrojtje e pathyeshme për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Rrëzohet drafti Doda-Idrizi. Miratohet drafti i qeverisë që parashikon vetëm informim
Nisma e deputetëve Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, që aktualisht mund të mbajnë detyra në administratë dhe institucione të ndryshme, është rrëzuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Relatori i tij, Armando Subashi, ka deklaruar se drafti në fjalë vjen ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2009 që rrëzpi projektligjij e hartuar asokohe nga qeveria Berisha. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, tha ai, pasi është shumë e rëndësishme që të dy ligjet të jenë në përputhje me Kushtetutën.
PD shfrytëzon 2 prillin dhe çështjen Doshi për t’u kthyer në Shkodër me protesta
Siç njofton gazeta Shqip, PD planifikon të rikthehet në Shkodër pas më shumë se dy dekadash për të protestuar kundër qeverisjes së majtë. Dhe këtë do ta bëjë më datë 2 prill, në përkujtim të 24-vjetorit të vrasjes së katër të rinjve në demonstratën e 2 prillit 1991, e cilësuar si demonstrata e parë antikomuniste Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës. Ky kombinacion i ndjekjes penale ndaj deputetit Doshi, Shkodrës, 2 prillit dhe protestës, sigurisht është rast për të mos u humbur nga selia blu.
Gjinushi konfirmon ardhjen e Dritan Priftit në PSD. “Rama na zhgënjeu, do bëjmë një koalicion më vete për zgjedhjet lokale”
Pas Paskal Milos, edhe Skënder Gjinushi shprehet i pakënaqur nga moszbatimi i marrëveshjes së vitit 2013 me PS-në dhe deklaron daljen me një koalicion të ri në zgjedhjet e 21 qershorit.
Gjinushi ka thënë në një intervistë për Panoramën sot se Rama nuk ka zbatuar asnjë pikë të marrëveshjes së bërë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershor 2013. “Kjo është një inkorrektesë politike pasi ne kemi qenë në krah të PS edhe në 2005 kur kaloi në opozitë dhe nuk bëmë koalicion me Berishën megjithëse kishim 7 deputetë në atë kohë”, ka thënë Gjinushi.
Nëse Kuvendi hap dritën jeshile, Frroku hetohet në Shqipëri ose njihet vendimi i drejtësisë belge. Relacioni i prokurorisë: Arben pagoi 10 mijë USD për vrasjen
Duke qenë se Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Belgjikën, Mark Frroku nuk mund të ekstradohet për vrasjen që akuzohet se ka kryer në vitin 1999. Ka qenë kjo arsyeja që Prokuroria e Përgjithshme shqiptare ka rihapur këtë çështje, dhe duket se Frroku do të gjykohet në Shqipëri, në rast se prokuroria merr autorizim nga Kuvendi. Por ka edhe një variant tjetër, njohja e vendimit të dhënë nga drejtësia belge për Frrokun dhe zbatimin e tij në Shqipëri.
Xhiroja e bizneseve në tremujorin e fundit, +2.6%; tregëtia me pakicë,+4.1%
INSTATI ka publikuar shifrat e tremujorit të fundit të 2014-ës për vëllimin e xhiros së bizneseve dhe për vëllimin e tregëtisë me pakicë. Rrritja e këtyre vëllimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më para ishte përkatësisht 2.6% dhe 4.1%.
Këta dy tregues janë kryesorët për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Rritja e regjistruar e tyre është një indicie e fortë se rritja e PBB-së në vitin 2014 ka qenë afër ose sa objektivi i qeverisë dhe FMN-së, 2%.
E.Zaloshnja
Në Gjirokastër ngrihet shtabi i mazhorancës; kandidatura, propozim i LSI-së
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë ngritur shtabin e përbashkët për zgjedhjet për Bashkinë e Gjirokastrës. Deputetët socialistë të Gjirokastrës Arben Ahmetaj e Anastas Angjeli janë shprehur optimistë për fitoren e mazhorancës në këto zgjedhje. “Për Bashkinë e Gjirokastrës, në siglën e mazhorancës kandidon prefektja aktuale Zamira Rami e LSI-së” raporton “Shqiptarja.com”. Sipas Ahmetajt, fitorja e mazhorancës në Gjirokastër në zgjedhjet e 21 qershorit është e sigurtë, duke shtuar gjithashtu se ajo do t’i paraprijë zgjedhjeve vendore të 2017.
“Express”, “Zëri” dhe “A1 Report” shkruajnë se babai i Mavrajt humbi jetën ndërsa po luhej ndeshja Shqipëri-Armeni. "Balkanweb" shkruan se Mavraj e mohon
Lojtari i kombëtares shqiptare Mërgim Mavraj e ka realizuar golin pak momente pasi ka marrë vesh se babai i tij ka ndërruar jetë. Kjo raportohet nga gazeta “Express” që e cilëson Mavrajn si shqiptarin “me shpirtin më të madh” dhe se golin ia ka kushtuar babait të ndarë nga jeta.
Eleminatoret e europianit 2016, Shqipëri – Armeni: 2:1
Shqipëria ka fituar sot ndeshjen e futbollit me përfaqësuesen armene, me rezultatin 2:1. Të parët kanë shënuar armenët, në minutën e katërt me Yura Movsisyan. Ekipi shqiptar ka përmbysur rezultatin vetëm pasi Hovhannes Hambardzumyan është larguar me karton të kuq në minutën ’70. Goli i barazimit ka ardhur në minutën ’77 nga Mavraj dhe goli i fitores në minutën ’82 nga Gashi. Ndeshja ka patur shumë kartona: 6 të verdhë dhe një të kuq.
Qeveritë bëjnë sikur shqetësohen, ndaj janë qytetarët ata që ngrenë zërin. Shoqata e peshkimit sportiv proteston kundër peshkimit me dinamit
Shoqata e peshkimit sportiv dhe rekreativ, “Pro Fishing Albania”, bashkë me qytetarë të apasionuar pas peshkimit sportiv, kanë nisur një protestë simbolike kundër peshkimit me dinamit dhe mjete të tjera të paligjshme. “Te nderuar miq te faqes tone, ka ardhur momenti te mos behemi me neglizhent ndaj ketyre fenomeneve te cilat po shkaterrojne bregdetin tone kaq te mrekullueshem. Eshte nje pasuri e te gjitheve, te cilen do ja leme trashegimi femijeve tane, brezave pasardhes. Secili prej nesh ka per detyre dhe obligim te PROTESTOJE sipas menyres qe ka mundesi apo preferon.
PD e Lezhës, 15 kandidatura potenciale për bashkinë. Mes tyre edhe krerët e komunave që shkrihen
Partia Demokratike në Lezhë ka propozuar 15 kandidatura potenciale që mund të garojnë për Bashkinë përballë Viktor Tushës së LSI-së. Kreu i PD-së në Lezhë, Paulin Marku tha se procesi i propozimeve ka qenë më transparenti i bërë ndonjëherë. “Procesi ka filluar i ligjshëm, demokratik dhe tepër i hapur. Nuk kanë qenë vetëm strukturat e Partisë Demokratike, të cilat janë marrë me propozimin e kandidatëve për kryetarë bashkie, por kësaj radhe, si asnjëherë tjetër, është menduar që kandidaturat të propozohen nga zëri i qytetarëve”, tha Paulin Marku, kryetar i PD-së Lezhë, sipas “Ora Neës”.