Arkiv-Lajme
Zgjidhja e krizës politike në Maqedoni, raundi i dytë i negociatave në Bruksel do të zhvillohet pa shqiptarët
Të mërkurën raundi i dytë i negociatave pa shqiptarët. Kwshtu raportoin agjencia e lajmeve “INA”. Sipas saj, në Bruksel të mërkurën është paralajmëruar raundi i dytë i negociatave në Bruksel për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Në këto negociata do të ulen përfaqësuesit e dy partivë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM. Edhe në këtë raund të dytë nuk është paraparë ndryshimi i formatit apo ftesa për ndonjërën nga partitë shqiptare, edhe pse ato së fundi kanë bërë thirrje për përfshirjen e tyre.
“Koha Ditore” thotë se paramilitarë serbë do të bëhen gardianë në burgjet e Kosovës
Mes punonjësve të burgjeve të Kosovës do të ketë edhe pjesëtarë të Mbrojtjes Civile (MC), së cilës autoritetet shtetërore i janë referuar gjithherë si organizatë paramilitare serbe. “Koha Ditore”, thotë se integrimi do të marrë start të hënën e ardhshme, kur parashihet të dorëzohen pikat vëzhguese që këta pjesëtarë mbajnë prej vitesh në veri. Rekrutimi i pjesëtarëve të burgjeve do të bëhet brenda dy muajsh. Kjo parashihet në marrëveshjen 20-pikëshe për MC-në, e cila mban vetëm inicialet e ministres së dialogut, Edita Tahiri.
Shqipëria e Madhe në “Shqip”, analistët: Deklarata e Ramës një shashkë, nuk e ka seriozisht bashkimin shqiptar
Kryeministri Edi Rama nga Ulqini deklaroi se bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të ndodhë, duke nënkuptuar këtu më së shumti integrimin e gjithë vendeve të rajonit në Bashkimin Europian. Kjo deklarata ka ngjallur reagimin e Brukselit dhe të vendeve të tjera të rajonit, sidomos Beogradit. Emisionin “Shqip” të kësaj të hëne në Top Channal debatoi për këtë çështje me të ftuarit në një panel nga Kosova dhe Shqipëria.
Kisha i kthen përgjigje Ben Blushit. Dhima: Në gjuhë të huaj nuk flitet vetëm në kishën ortodokse, kemi më pak klerikë të huaj se çdo komunitet fetar
Pas shqetësimit të ngritur nga deputeti dhe shkrimtari Ben Blushi lidhur me mesazhin që dha në Greqisht kryepeshkopi Anastas natën e Pashkës ka ardhur edhe reagimi i Kishës Ortodokse. Në një intervistë për Neës 24 zëdhënësi i Kishës, Thoma Dhima tha se në kishat ortodokse meshohet gjithmonë shqip, veç zonave të minoritetit grek apo atij sllav dhe se mesazhi që kryepeshkopi Janullatos përcolli në gjuhën greke natën e Pashkëve është pjesë një rregulli që ndiqet nga të gjitha Kishat Ortodokse, duke shtuar se gjatë daljeve të tij jashtë Shqipërisë kryepeshkopi meshon edhe në gjuhën shqipe.
Kubano-amerikani republikan, senatori Marko Rubio, hyn në garën presidenciale. Që në fjalët e para kritikon rivalen Hillari Klintonin
Pas demokrates Klinton, senatori i ri nga Florida, Marko Rubio, i preferuar i lëvizjes konservatore “Tea Party”, shqiptoi sot fjalët e tij të para si kandidat për president, duke kritikuar kandidaten demokrate Hillari Rodham Klinton. “Zëri i Amerikës” thotë se 43-vjeçari Rubio, tha për donatorët se ai po kandidon për emërimin e Partisë Republikane sepse, siç u shpreh ai, gara për Shtëpinë e Bardhë duhet të jetë për të ardhmen, jo për të shkuarën.
Kokëdhima mbështet 38 vjeçaren Koka në Sarandë, në vend të kreut aktual Çipa. “Flet tre gjuhë të huaja”
Gazeta “Shekulli” e deputetit Koço Kokëdhima citon burime jozyrtare nga strukturat lokale të PS-së së Sarandës, sipas të cilave në Bashkinë Sarandë PS do kandidojë 38-vjeçaren Florjana Koka. Me fjalë të tjera, duket se Kokëdhima është për kandidaturën e Kokës kundrejt kryebashkiakut aktual Stefan Çipa. CV e kandidates, sipas gazetës, përfshin “ka studiuar gazetari me rezultatet të shkëlqyera dhe flet tre gjuhë të huaja”, ndërsa ka mbajtur më parë detyrën e drejtoreshës se Burimeve Njerëzore në Bashki.
Rama në Emiratet e Bashkuara, pjesë e delegacionit edhe Blendi Klosi. A po “piqet” kandidati i PS-së për Tiranën, apo është diversion?
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka bërë me dije se emrat e kandidatëve për qytete kyçe si Tirana e Vlora, për zgjedhjet lokale që po afrojnë, do t’i vendosë pasi të kthehet nga udhëtimi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Nga foto e publikuara gjatë këtij udhëtimi, vihet re se përveç ministrave si Ahmetaj, Tahiri e Bushati, kryeministri ka në përbërje të delegacionit edhe deputetin Blendi Klosi, një ndër të përfolurit si kandidat i mundshëm. A është ky një sinjal “tradhtues” se cili mund të jetë kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës? Ndoshta.
Shënim: Koalicion me certifikata pafajësie
Partia Socialiste ka publikuar sot përmes deputetit Ulsi Manja, çertifikatën e pafajësisë së deputetit tjetër, Artur Bushi, i cili është propozuar si kandidat i të majtës zyrtare në Krujë. Bushi është akuzuar nga opozita për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe ka sjellë si provë shkrime të mediave italiane që e përflasin si pjesë e një grupi të hetuar. Ja se çfarë ka thënë Manja: “Lajm i mirë që për dekriminalizimin nuk po flet më Ristani apo Lulzim Basha, njëri i dënuar, tjetri që nga dënimi ka shpëtuar me procedura, por që sot duhet të përballet sërish me drejtësinë.
Kamza, përplasja mes kandidatëve Mziu e Gjici me sfond kronike. PD ngre disa pyetje për grabitjen 6 mln euro
Sot Kamza nuk është më një periferi pothuajse rurale e Tiranës, por njëra nga bashkitë më të mëdha në vend. Dhe përplasja politike në prag të zgjedhjeve lokale, për këtë rajon duket më e nxehtë se kurrë. Ndërsa kandidati i PD-së dhe kryebashkiaku aktual Xhelal Mziu po garon me një vendim gjykate prej 2 vitesh burg në shpinë (që është apeluar) për korrupsion me tenderat, opozita po sulmon fort rivalin e tij, kandidatin e mazhorancës Safet Gjici, aktualisht prefekt në Kukës.
Padurimi ndaj Brukselit bëhet modë. Daçiç BE-së: Na thoni hapur, ç’doni nga Serbia që ta dimë!
Edhe pse në nuanca të ndryshme, dhe për arsye të ndryshme, ngjan shumë i afërt reagimi i sotëm i ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç ndaj Brukselit, me disa kritika apo vërejtje që kryeministri Rama ka bërë në të njëjtën adresë. Sa i takon marrëdhënieve midis Serbisë dhe Bashkimit Europian, shefi i diplomacisë serbe tha se “BE-ja po përballet me probleme të mëdha aktualisht”. Siç njofton media B92, Daçiç e ashpërsoi për herë të parë tonin dhe qëndrimin karshi BE-së kur tha se kjo e fundit “s’di ç’të bëjë as me veten dhe as me ne”.