Shënim: Koalicion me certifikata pafajësie

Partia Socialiste ka publikuar sot përmes deputetit Ulsi Manja, çertifikatën e pafajësisë së deputetit tjetër, Artur Bushi, i cili është propozuar si kandidat i të majtës zyrtare në Krujë. Bushi është akuzuar nga opozita për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe ka sjellë si provë shkrime të mediave italiane që e përflasin si pjesë e një grupi të hetuar. Ja se çfarë ka thënë Manja: “Lajm i mirë që për dekriminalizimin nuk po flet më Ristani apo Lulzim Basha, njëri i dënuar, tjetri që nga dënimi ka shpëtuar me procedura, por që sot duhet të përballet sërish me drejtësinë. Gjejnë kurajo për të folur ata që kanë kandiduar për një nga bashkitë kryesore të Shqipërisë një individ të sapodënuar, me vendim gjykate. Sa i përket rastit të deputetit Bushi, pavarësisht shpifjes së radhës nga Shqupi, institucionet italiane e kanë pajisur shtetasin shqiptar me certifikatë pafajësie, e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë italiane, që shkruan të zezë mbi të bardhë se Artur Bushi është i padënuar ne Itali”. Nëse do ta marrim si kriter vlerësimi këtë lloj deklarate, atëherë thjesht fare do të duhet të themi se edhe Lulzim Basha është i padënuar në Shqipëri, sa kohë gjykata nuk e ka gjetur ende të fajshëm. Po të ecim më tej, “besimi” i PS-së te një element teknik si certifikata e pafajësisë, e bën nul akuzën për korrupsionin e supozuar të Lulzim Bashës në rrugën Durrës-Kukës. E kthen atë në një qasje propagandistike. Aq më tepër merr vlerë kjo gjë, po të marrim parasysh se një pjesë jo e vogël njerëzish besojnë, falë kësaj propagande, se Lulzim Basha diç ka ngjyer gishtin në aferën e rrugës në fjalë. Të dyja rastet janë larg për nga krahasimi, por akuzat në fjalë u aktivizuan shumë edhe kur Basha kandidonte për Tiranën; thjesht ndryshonin krahët. Është pikërisht kjo përsëritje që e bën lojën e akuzave dhe të pafajësisë me certifikata krejtësisht të pavlerë në planin politik. Në praktikën e përgjithshme për kandidatët në zgjedhje mbahet përherë një gjykim moral, apo mbi integritetin e personit. Dhe këtë nuk ta jep certifikata, ndonëse ajo është një dokument që nuk mund të vihet në diskutim. Mirëpo kjo lloj qasjeje është çmontuar tërësisht në Shqipëri, sa kohë janë vetë aktorët kryesorë politikë që e kanë hedhur në kosh. Konkretisht, në koalicionin qeverisës, Ilir Meta, personi kyç i tij, është akuzuar me gjithfarëlloj fjalish, togfjalëshash, apo termash nga kryeministri aktual. Por, dhe kjo është një Por me të madhe, edhe Ilir Meta ka certifikatën e pafajësisë. Një certifikatë që merr shumë vlerë po të mbajmë parasysh se statusi i Metës në politikë nuk lë mundësi për të gënjyer kënd. Siç mund të gënjehet në rastin e PS-së, apo të PD-së. Për ilustrim po kujtojmë këtu se çfarë ka thënë kryeministri aktual në nëntor të vitit 2011: “Duhet ta harrojmë Ilir Metën. Do ta mundim Saliun me moral, me program, me bashkim. Nuk mund të bashkohemi me Saliun për të rrëzuar Saliun. Ne jemi Partia Socialiste për një sërë vlerash dhe parimesh. Nuk mund të zhgërryhemi për hir të pushtetit se nuk do të njihemi më. Kushdo që kërkon rrëzimin e Saliut ka vend në PS”( http://www.gazetatema.net/web/2011/11/23/rama-duhet-ta-harro...). Pas kësaj fjalie është e natyrshme të pyetet: pse vallë vlejnë certifikatat e pafajësisë? Kë duhet të besojmë vallë, certifikatat, fjalët e "liderëve", apo intuitën?
s.zaimi
Add new comment