Arkiv-Lajme të përditësuara
Berisha del kundër SHBA-ve
Në një bashkëbisedim me gazetarët në qytetin e Elbasanit, kryeministri Berisha i dha një përgjigje të ashpër ambasadorit të SHBA-ve, Aleksandër Arvizu. Ai tha se ka mbështetjen e qeverisë britanike, gjermane, të SHBA-ve, etj, ndërsa duke iu referuar deklarimeve të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, Berisha u shpreh se, “ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira, unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjin. Shqipëria ka institucione demokratike. Janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to.
Meta në Kukës: Rotacioni i domosdoshëm, premtimet e qeverisë, boshe
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vijoi fushatën në Kukës ku shpalosi programin e forcës që ai përfaqëson për zhvillimin ekonomik të vendit.
”Të rinjtë kanë vështirësi të mëdha që të gjejnë një punë dhe plani i punësimit të LSI-së ka në bazë zhvillimin e ekonomisë, si mundësinë e vetme për të gjeneruar vende të reja pune”, deklaroi Meta.
Kryetari i LSI-së, i cili e konsideroi programin qeveritar si “të mbushur me premtime boshe”, bëri thirrje për “t’i dhënë fund euforisë joreale të kësaj qeverie, nëpërmjet një rotacioni të domosdoshëm për vendin”.
Betimi i Ramës në Vlorë: Nuk do i tradhtoj kurrë qytetarët e këtij vendi
Kryesocilisti Edi Rama ka qenë gjatë ditës në Vlorë, qark në të cilin ai udhëheq listën e kandidatëve për deputet. Duke folur para banorëve të zonës së Lumit në Vlorë, Rama është betuar se nuk do të tradhtojë kurrë qytetarët e Vlorës dhe vendit, duke mbajtur premtimet që ka dhënë gjatë fushatës.
3 ligjet, Berisha thërret Kuvendin
Kryeministri Berisha përmes një kërkese zyrtare i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme ditën e enjte për të miratuar tre ligjet integruese dhe amnistinë fiskale.
Sipas kryeministrit kjo kërkesë vjen si tregues i vullnetit për t’i shërbyer vendit në plotësimin e kushteve për marrjen sa më të shpejtë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Rama e përsërit: Nuk do të njohim asnjë gjobë
TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh edhe sot se nuk do të njohë asnjë gjobë të vënë nga 1 marsi e deri më 23 qershor. Sipas kreut socialist, nësë do të vijë në pushtet ai nuk do të njohë asnjë gjobë, të cilat sipas tij, po i vihen biznesit për presion elektoral.
Nëpërmjet një reagimi në Twitter Rama shkruan; “Problem i madh dyndja e xhandarve te Saliut per gjoba! Nuk do njohim asnje gjobe te vene qe nga 1 marsi deri ne 23 qershor. Pike.#RILINDJE”
Sulmet ndaj Lavdi Kajmakut, dyshime mbi kreun e komunës së Prezës
Kreu i PS për Prezën hedh dyshime se personi i përfshirë në dy rastet kundër tij është kreu i komunës. Në një lidhje telefonike për gazetën Lavdi Kajmaku dyshon tek kreu i komunës së Prezës, ndërsa e quan si politik sulmin ndaj tij. “Kam rezervat e mia dhe dyshoi se i përfshirë në këto dy episode kundër meje mund të jetë kreu i komunës.”, shprehet Kajmaku. I pyetur për ngjarjen ai tregon se incidenti është shënuar rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur u përfshinë nga flakët dy makinat dhe dera e banesës.
Incidente në Fier, kryebashkiaku urdhëron heqjen e flamujve elektoralë
Një urdhër i kryetarit të bashkisë së Fierit duket se ka ndezur politikën në këtë qytet.
Urdhri i Baftjar Zeqajt për mosafishimin e materialeve propagandistike në sheshet qendrore të Fierit, ka shkaktuar debate dhe përplasje mes përfaqësuesve të PD-së dhe atyre të pushtetit vendor.
Gjatë mesditës, automjete dhe forca te policisë bashkiake në Fier kanë hequr nga sheshi i qytetit flamujt dhe banderolat e subjektit politik të PD-së.
Drejtuesit e kësaj force politike kanë pretenduar se ky urdhër është në kundërshtim të marrëveshjes që ata kanë nënshkruar me PS-në.
SERBIA KËRKON GARANCI SE MARRËVESHJA S’KA DOMETHËNIE STATUSORE
Kryeministri serb, Ivica Daçiq ka thënë se Aleksandar Vuçiq dhe ai po vazhdojnë bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare për të kërkuar garanci shtesë për serbët në Kosovë. Kurse, Vuçiq ka deklaruar se së pari duhet përpjekur që për serbët në Kosovë të fitohen edhe disa garanci për çështjet kryesore siç janë dokumentet personale, shtetësia dhe vulat në diploma.
”Për ne është me shumë rëndësi që dikush rastësisht të mos interpretojë se ajo për çfarë është arritur marrëveshja ka ndonjë domethënie në pikëpamje të çështjes statusore”, ka theksuar ai për B92.
Rriten eksportet
Eksportet shqiptare u rritën për të katërtin muaj rresht në prill. Instituti i Statistikave njoftoi se muajin e kaluar të udhëhequra nga tekstilet dhe materialet e ndërtimit, eksportet në tregjet e huaja u rritën me 14.5 për qind, krahasuar me prillin e një viti më parë.
Në total si katërmujor eksportet këtë vit janë 16.5 për qind më të larta se vitin e kaluar, ose rreth 10 miliardë lekë më shumë. Në katër muajt e parë të këtij viti rritja e eksporteve i dedikohet kryesisht zërit minerale, nafte dhe energji.
Ivanov ‘përjashton’ Jahjagën nga Samiti i Ohrit, Hoxhaj: Maqedonia, sjellje antievropiane
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se Maqedonia po sillet në mënyrë antievropiane. Deklarata eshte bere gjate komentimit per mungesen e fteses per presidenten e Kosovës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që do të mbahet më 1 qershor në Ohër, organizuar nga presidenti Gjorgje Ivanov.