Incidente në Fier, kryebashkiaku urdhëron heqjen e flamujve elektoralë

Një urdhër i kryetarit të bashkisë së Fierit duket se ka ndezur politikën në këtë qytet.
Urdhri i Baftjar Zeqajt për mosafishimin e materialeve propagandistike në sheshet qendrore të Fierit, ka shkaktuar debate dhe përplasje mes përfaqësuesve të PD-së dhe atyre të pushtetit vendor.
Gjatë mesditës, automjete dhe forca te policisë bashkiake në Fier kanë hequr nga sheshi i qytetit flamujt dhe banderolat e subjektit politik të PD-së.
Drejtuesit e kësaj force politike kanë pretenduar se ky urdhër është në kundërshtim të marrëveshjes që ata kanë nënshkruar me PS-në.
Situata është tensionuar aq shumë sa është dashur ndërhyrja e kryetarit të Bashkisë, i cili ka garantuar palët se nuk do të lejohet asnjë flamur i asnjërës prej forcave politike në sheshet qendrore, pasi sipas tij flamujt e vendosur nuk janë shenjë e fitores së asnjë force politike.
Ndërkohë shtabi elektoral i Partisë Demokratike e ka konsideruar urdhrin e njëanshëm, pasi sipas tyre për heqjen e simboleve dhe siglave të partive politike duhet të njoftohej 24 orë para. Sipas tyre, kreu i bashkisë së Fierit ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kodin elektoral./l.ç
TEMA
Add new comment