3 ligjet, Berisha thërret Kuvendin

Postuar në 26 Maj, 2013 12:31

Kryeministri Berisha përmes një kërkese zyrtare i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme ditën e enjte për të miratuar tre ligjet integruese dhe amnistinë fiskale. 

Sipas kryeministrit kjo kërkesë vjen si tregues i vullnetit për t’i shërbyer vendit në plotësimin e kushteve për marrjen sa më të shpejtë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. 

E nga krahu tjetër zoti Berisha thekson se opozita duhet të marrë përgjegjësitë e saj në lidhje me këtë proces, të cilin sic kryeministri thekson, ajo e ka bllokuar gjatë gjithë kohës. 

Një tjetër pikë ku shefi i qeverisë mbështet kërkesën e tij është edhe mundësia për t’i kursyer vendit afërsisht 6 milionë euro kosto financiare nga organizimi i një referendumi të mundshëm lidhur me këtë cështje. 

Në fund të kërkesës, zoti Berisha thekson se kjo seancë e jashtëzakonshme ka në thelbin e saj realizimin e interesave më themelore e parësore të qytetarëve shqiptarë. 

PS: Tre ligjet në fuqi pas zgjedhjeve 

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi deklaroi se PS është e gatshme të votojë menjëherë tre ligjet e kërkuara nga Bashkimit Europian, por me kushtin se ato duhet të hyjnë në fuqi me konstituimin e parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. 

“Nëse Sali Berisha e ka seriozisht këtë votim, atëherë Komisioni i Ligjeve duhet mbledhur një orë e më parë për të dakordësuar draftet që më pas Parlamenti do të duhet të votojë. Dëshiroj të theksoj se Partia Socialiste është e gatshme t'i votojë të tre ligjet vetëm nëse pala tjetër e pranon kompromisin e ofruar nga opozita. I votojmë të tre ligjet, nëse pala tjetër, është dakord që këto tre ligje të hyjnë në fuqi vetëm pas konstituimit të Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Sali Berishës për ta mbajtur cështjen e integrimit europian larg fushatës elektorale”, deklaroi zonja Hysi.

 

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.