Sulmet ndaj Lavdi Kajmakut, dyshime mbi kreun e komunës së Prezës

Postuar në 26 Maj, 2013 04:19

Kreu i PS për Prezën hedh dyshime se personi i përfshirë në dy rastet kundër tij është kreu i komunës. Në një lidhje telefonike për gazetën Lavdi Kajmaku dyshon tek kreu i komunës së Prezës, ndërsa e quan si politik sulmin ndaj tij. “Kam rezervat e mia dhe dyshoi se i përfshirë në këto dy episode kundër meje mund të jetë kreu i komunës.”, shprehet Kajmaku. I pyetur për ngjarjen ai tregon se incidenti është shënuar rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur u përfshinë nga flakët dy makinat dhe dera e banesës. Ndërsa tregon se ka pasur të shtëna me breshëri, të cilat mund të kishin qenë fatale për jetën e babait të tij, i cili pikasi zhurmat në oborr. “Nga ora 4:00 e mëngjesit janë futur disa persona dhe i kanë vënë flakën dy makinave, njëra e babait tim dhe tjera e xhaxhait, të cilat ishin në oborrin e shtëpisë. Nga flakët është përfshirë edhe dera kryesore e banesës, që të mos kishim mundësi të dilnim nga banesa. Në këto momente babai ka dëgjuar zhurma, është ngritur dhe ka hapur derën. Kanë nisur të shtënat me breshëri automatiku. Babai është shmangur dhe është futur prapa një avllie që kemi në banesë. Por të shtënat vazhdonin. Ne nuk kemi arritur të shikojmë asgjë, nuk kemi pasur fare mundësi dhe as nuk kemi reaguar kundër tyre”, tregon Kajmaku.  I pyetur nëse kjo ngjarje është e lidhur me ndonjë konflikt personal, kreu i Partisë Socialiste për Prezën e mohon kategorikisht. Ai shprehte se kjo ngjarje është e qëllimshme dhe vetëm se politike. “Kjo ngjarje është vetëm me qëllim politik dhe nuk ka lidhje aspak me konflikte të vjetra. Unë dyshoj tek kreu i komunës së Prezës si person të përfshirë në dy rastet e sulmit ndaj meje”. Kreu i PS-së për Prezën tregon se është i gatshëm të marrë masa për ta zgjidhur këtë rast nëse nga ana e uniformave blu nuk jepet asnjë lloj zgjidhjeje. “Unë e kam lënë këtë çështje në dorë policisë së shtetit dhe për momentin do të pres. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje nga ana e tyre, atëherë unë do të ndërhyj vetë në këtë çështje”.

Hetimet

Në orët e para të mëngjesit i është vënë flaka dy automjeteve të familjes Kajmaku. Ambientet jashtë banesës janë spërkatur me benzinë, ndërkohë që janë djegur pjesërisht dy makinat me targa AA025CZ dhe TR 9696 R. Menjëherë pas denoncimit të ngjarjes nga Lavdi Kajmaku, forca të shumta policie janë paraqitur në vendngjarje duke nisur hetimet. Nga blutë është kontrolluar mjedisi rreth banesës për të zbuluar gjurmë që të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërsa janë shoqëruar në polici rreth 12 persona, të cilët janë pyetur për ngjarjen. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se po hetojnë pistën e konflikteve personale të familjes Kajmaku. Sipas policisë Kajmaku është i përfshirë në disa konflikte të vjetra brenda llojit, të cilat mund të jenë të lidhura me këto dy episode kriminale. Lidhur me këtë dyshim janë pyetur persona të ndryshëm, të cilët mund të vërtetojnë rrethanat e konfliktit. Policia po heton në tri pista kryesore të cilat janë konkurrenca në biznes, konflikte pronësi dhe motive politike. Vetëm para disa ditësh është shkrumbuar banesa dhe biznesi i Lavdi Kajmakut, i cili është njoftuar nga kunata e tij. Fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur por vetëm dëme materiale.  Në lidhje me episodin e para e ndodhur para katër ditësh dyshohet se ishin dy persona të maskuar, të cilët i vunë flakën banesës dhe biznesit të kreut të PS-së. Autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar nga policia, edhe pse janë fokusuar nga kamerat e sigurisë, pasi në momentin kur kanë vënë zjarrin në ambientet e firmës “Kajmaku”, kanë qenë të maskuar. Nga ana tjetër, është marrë në pyetje edhe kryekomunari i Prezës, Ahmet Halili, duke qenë se Lavdi Kajmaku kishte hedhur dyshime se zjarri mund të ishte vënë nga njerëzit e tij. Megjithatë, sipas burimeve nga Policia, Halili ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen e dy ditëve më parë.

Sulmi ndaj Kajmakut, alarm për PS

Menjëherë pas denoncimit të ngjarjes kanë mbërritur pranë familjes Gaçi deputetë të Partisë Socialiste. I pari ka qenë Pandeli Majko, i pari në listën e PS-së në kandidaturat për Tiranën. Pas tij në banesën e Lavdi Kajmakut është paraqitur edhe Artan Gaçi, të cilët i kanë qëndruar pranë familjes Kajmaku në këtë situatë të vështirë. Në një prononcim për mediat Artan Gaçi i bën thirrje policisë që të hetojë ngjarjen. Ndërsa i konsideron këto dy sulme si akte të lidhura me politikën. Sipas tij nxitës kryesor është futja e Lavdi Kajmakut në politikë. “I bëj thirrje pjesës së ndershme të policisë të hetojnë ngjarjen. Është e pakuptueshme se si një familje e nderuar e zonës së Prezës të sulmohet për faktin se djali i tyre është i përfshirë politikisht dhe kjo familje të mos merret në mbrojtje”, thotë ai.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.