Arkiv-Lajme të përditësuara
Naço: Korrupsioni do të konsiderohet në veprat më të rënda penale
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka bërë me dije se korrupsioni së shpejti do të cilësohet ndër veprat më të rënda penale dhe do të gjykohet nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Deklarata e tij është bërë gjatë një takim që ka pasur me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Etore Sekui.
Të shtëna me armë zjarri nga Lazarati, plagosen dy të rinj nga pumbat qorrë në Derviçan
Plumbat qorrë të ardhur nga Lazarati kanë lënë të plagosur dy të rinj nga Derviçani, fshat vetëm 5 km nga Lazarati, mbrëmjen e sotme.
Burime nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se dy të rinjtë kanë qenë së bashku kur janë plagosur aksidentalisht nga plumbat qorrë që vinin prej të shtënave në Lazarat.
Spiro Kolla, 18 vjeç dhe Fotaq Ksera, 19 vjeç janë dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore, dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shpronësimet për gazsjellësin TAP
Një takim me banorët e fshatit Pilur të komunës së Progrit në rrethin e Devollit ka qenë takimi i parë që kompania TAP ka ndërmarrë sa i takon vënies në zbatim të projektit të gazsjellësit që do të kalojë në këtë zonë.
Banorët të cilëve u preken tokat dhe të mbjellat e tyre nga ky projekt kanë pasur mundësinë të diskutojnë për shqetësimet e tyre, por edhe të njihen me detaje të mëtejshme të projektit dhe përfitimet që sjell ai.
EULEX-i kërkon rigjykim për Fatmir Limajn
EULEX-i kërkon rigjykim për Fatmir Limajn dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë për rastin “Kleçka”.
Siç njoftoj gazeta Express në Kosovë, Prokurori i EULEX-it, Mauricio Salustro ka kërkuar rigjykim të çështjes, ndërsa gjykata pritet të marrë një vendim për këtë në ditët në vazhdim.
Më 17 shtator, Fatmir Limaj dhe 9 bashkëluftëtarë të tjerë të akuzuar për krime lufte u shpallën të pafajshëm.
Po ashtu, Fatmir Limaj, veç këtij vendimi është shpallur i pafajshëm edhe njëherë në maj të vitit 2012, por për të njëjtin rast.
PANORAMA
SHBA, Rama takohet me çiftin Klinton
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë qëndrimit në Nju Jork është takuar me ish-Presidentin e SHBA-ve, Bill Klinton dhe ish-Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton.
Rama në “Twitter” e për shkruan takimin ne çiftin Klinton “emocionues” dhe i cilëson ata “miq të mëdhenj” të vendit tonë. Mëngjes i bukur në Nju Jork. Bisedë e ngrohtë me Sekretaren Klinton, takim emocionues me Presidentin Klinton. Dy miq të mëdhenj të Shqipërisë.
Bonino: Mbështetje për Shqipërinë në BE
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka zhvilluar një takim me homologen italiane, Emma Bonino, gjatë sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zyra e shtypit në MJ njofton se në këtë takim u fol për vizitën e Boninos në Tiranë gjatë muajit tetor, si vizitë e një homologeje nga një vend mik, i veçantë dhe i rëndësishëm i Shqipërisë.
“Znj. Bonino shprehu mbështetjen e Italisë në rrugën e Shqipërisë në BE, mbështetje tradicionale e cila mbetet e palëkundur nga fqinji dhe partneri ynë strategjik”- thuhet në njoftim.
DITA
Zëvendësohen rrugorët e shkarkuar. Kriteret: arsimi i lartë, eksperienca, mosha e re, barazia gjinore
Ministria e Brendshme bëri të ditur ditën e sotme se ka zëvendësuar punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, të cilët u shkarkuan një ditë më parë.
Në një njoftim për shtyp të kësaj ministrie sqarohet se përzgjedhja e efektivëve të rinj është bërë nga një komision i përbërë nga drejtues të lartë dhe me eksperiencë të Policisë Rrugore, duke pasur parasysh 4 kritere kryesore; arsimi i lartë, eksperienca, mosha e re, barazia gjinore.
“Kjo KLD nuk ka besueshmëri”
Ilirian Celibashi, Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin në intervistën e parë pas marrjes së kësaj detyre deklaron për Top-Channel se reformimi sistemit të drejtësisë është një prej sfidave më të vështira të kësaj shumice pasi lidhet me një pushtet tjetër dhe jo me ekzekutivin.
Përveç vullnetit të qeverisë së re ministri Celibashi thotë se nuk mungojnë mekanizmat për të realizuar qëllimin që të paktën në fund të katër viteve të ardhshme Shqipëria të ketë një sistem drejtësie më të besueshëm.
Meta: Seanca, të enjten. Konstituimi komisioneve dhe delegacioneve të Kuvendit
TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar në mbyllje të Konferencës së Kryetarëve Parlamentare se seanca e radhës do të jetë ditën e enjte.
Sipas Metes ne mbledhje eshte diskutuar per futjen ne rendin e dites te konstituimit te komisioneve, drejtimin, përbërjen në përputhje me rregulloren, përbërjen e sekretariateve dhe delegacioneve të përhershme të Kuvendit, dhe miratimin e nënkryetarit të ri, Vangjel Dule propozuar nga maxhoranca.
Intervista, Rama: Zero probleme me fqinjët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur Greqinë “një partnere strategjike”, që do të luajë një rol përshpejtues në integrimin e vendit tonë në BE. Këtë deklaratë, Rama i ka bërë në një intervistë për agjencinë e lajmeve “ANA-MPA”.
“Një partner strategjik dhe një vend fqinj si Greqia, mund të luajë një rol kyç në përshpejtimin e "udhëtimit" të Shqipërisë për në destinacionin përfundimtar, në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeministri.