Intervista, Rama: Zero probleme me fqinjët

Postuar në 24 Shtator, 2013 10:03

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur Greqinë “një partnere strategjike”, që do të luajë një rol përshpejtues në integrimin e vendit tonë në BE. Këtë deklaratë, Rama i ka bërë në një intervistë për agjencinë e lajmeve “ANA-MPA”.

“Një partner strategjik dhe një vend fqinj si Greqia, mund të luajë një rol kyç në përshpejtimin e "udhëtimit" të Shqipërisë për në destinacionin përfundimtar, në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeministri. 

Rama shprehet se, shqiptarët janë një popull proevropiane dhe ata dëshirojnë që sa më shpejt të bëhen anëtarë të familjes evropiane. “Prioriteti ynë mbetet marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor të këtij viti dhe fillimin e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur”. 

Por për të marrë statusin, Rama, tha se qeveria duhet të përmbushë reformat, për ta bërë ëndrrën e shqiptarëve realitet. 

“Përveç axhendës tonë ambicioz për të nxitur ekonominë dhe hapjen e 300.000 vendeve të reja pune, një prioritet i qeverisë sonë është luftua kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar. Do të sigurojmë jetën për çdo familje shqiptare dhe do të ofrojmë shërbim shëndetësor falas për të gjithë qytetarët. Qeveria jonë do të shpëtojë fshatin nga rrënimi, do të sigurojë një sistem arsimor cilësor, në bashkëpunim me Kosovën.”

Kryeministri i ri tha se politika e jashtme e Shqipërisë bazohet në parimin "zero probleme me fqinjët". Ai u shpreh i bindur, se marrëdhëniet mes dy vendeve, do të shënojë një bashkëpunim të ngushtë në interes të secilit prej tyre.  

Zoti Rama duket i vendosur gjithashtu të lerë pas retorikën nacionaliste të atyre partive, që sipas tij, kërkonin ta përdornin dhe të përfitonin nga problemet e përditshme të shqiptarëve. “Aleanca Evropiane për Shqipërinë ka një program politik proevropian dhe jo nacionalist. Ne duam të shohim përpara dhe ta lëvizim gjeneratën e ardhshme drejt BE”, ka siguruar kreu i qeverisë shqiptare. 

I pyetur për marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit, Rama është shprehur se ajo ka hapur një epokë të re për rajonin tonë. Ai ka dhënë sigurinë se Shqipëria do të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit dhe Evropës Lindore. 

Rama në intervistë e karakterizon si një "mundësi të mirë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet fqinje gazsjellësin TAP. Sa i përket faktit se për herë të parë që prej rënies së komunizmit në Shqipëri, minoriteti grek nuk është i përfaqësuar në qeveri, kryeministri i Shqipërisë siguron se partia BPDNJ mbetet një prej partnerëve strategjikë të PS dhe shpreh besimin se “kreu i saj Vangjel Dule me pjekurinë dhe përvojën e tij do të kontribuojë në menaxhimin e punës së Parlamentit, në postin e zëvendëskryetar të Kuvendit shqiptar”.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.