Zëvendësohen rrugorët e shkarkuar. Kriteret: arsimi i lartë, eksperienca, mosha e re, barazia gjinore

Ministria e Brendshme bëri të ditur ditën e sotme se ka zëvendësuar punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, të cilët u shkarkuan një ditë më parë.
Në një njoftim për shtyp të kësaj ministrie sqarohet se përzgjedhja e efektivëve të rinj është bërë nga një komision i përbërë nga drejtues të lartë dhe me eksperiencë të Policisë Rrugore, duke pasur parasysh 4 kritere kryesore; arsimi i lartë, eksperienca, mosha e re, barazia gjinore.
“Përzgjedhja e punonjësve të rinj në shërbimin e Policisë Rrugore të Tiranës është bërë nga një komision i përbërë nga drejtues të lartë dhe me eksperiencë të Policisë Rrugore, duke pasur parasysh disa kritere kryesore:
1. Arsimin dhe për përgatitjen e tyre profesionale, me njohuri të përgjithshme për detyrat, organizimin dhe funksionimin e Policisë së Shtetit;
2. Vlerësimet e treguesve të punës për çdo punonjës në sektorin apo komisariatin ku kanë punuar deri tani;
3. Përgatitjen fizike dhe moshën e re, për t’ju përshtatur sa më mirë ngarkesës së punës në trafikun rrugor;
4. Barazinë gjinore, duke shtuar një numër të caktuar të policeve femra në këtë shërbim,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Sipas njoftimit të MB, deri tani efektivi i Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet është rinovuar me 6 oficerë të Rolit të Parë Drejtues dhe me 53 oficerë të Rolit të Parë Zbatues. Me ndryshimet e bëra, mosha mesatare e këtij komisariati është ulur nga 47.4 vjeç që ishte deri dje, në 33.2 vjeç.
SHQIP
Add new comment