Arkiv-Lajme
Pas kazinove, tani në shënjestër edhe pikat e basteve sportive
“Fundi i Marrëzisë” i dha një goditje kazinove dhe lojërave të fatit, ndonëse shumë prej tyre ende funksionojnë. Pritja “e kuqe apo e zezë”, apo “xhirimi i frutave dhe peshqve” ikonikë të makinave, vazhdon të vezullojë nëpër Tiranë. Gjithsesi qeveria hapi një proces për goditjen e kësaj kulture, e cila është më e ngulitur gjithsesi në bastet sportive, që nuk janë edhe aq lojëra fati. Jo vetëm, sepse lidhen me një lloj parashikimi, por edhe sepse në to funksionojnë edhe skema trukimi. Gjithsesi edhe në këtë drejtim qeveria ka menduar që të veprojë.
Koha e Jugosllavisë, Bekim Fehmiu dhe Branka Periç në një rrëfim të vitit 1980
Gazeta “Zëri” në Kosovë, boton sot një intervistë me Bekim Fehmiun dhe të shoqen e tij, Branka Periç, realizuar në vitin 1980. “Mua më pëlqejnë djelmoshat nga periferia...”, rrëfehet bashkëshortja e aktorit jugosllav me orgjinë shqiptare nga Kosova. Më tej ajo flet për “mungesën e gjatë të të shoqit” për shkaqe të punës, por për këtë ajo jep një përgjigje të hollë: “Kam qenë e qetë gjithmonë kur Bekimi ka munguar shumë, edhe pse nuk e kam pasur të lehtë. Më ka dhënë zemër nëna, ndërsa unë mendoja se jam Penelopa që pret Uliksin”.
Bilanci i gjobave për qarkullimin rrugor, në listë figuron edhe zv. kryeministri
Top-Channel ka përcjellë sot një përmbledhje që flet për shtrëngimin real të masave për qarkullimin rrugor. Sipas këtij materiali, bëhet e ditur se gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor kanë marrë deputetë, ministra, zv. kryeministri i qeverisë, pavarësisht se bëhet fjalë për shumë të vogla. Gjobat kanë prekur edhe fëmijët e deputetëve me makinat e tyre, që duhet thënë se janë ndër kategoritë më problematike. Premtohet gjithashtu se kjo politikë do të vazhdojë, duke vendosur të paktën një barazi formale për rregulla që janë fare elementare.
Ushtria greke rikthehet në kufi me arsyetimin e luftës ndaj trafiqeve. Në Shqipëri reagon vetëm Idrizi i PDIU-së: “Akt destabilizues”.
Rivendosja, nga ana e Greqisë, e patrullimit ushtarak në kufirin me Shqipërinë është marrë si argument politik nga kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Ai e ka cilësuar këtë akt, si të pajustifikueshëm dhe që cenon stabilitetin. Për Idrizin veprimi i palës greke nuk i përgjigjet as statusit të dy vendeve që janë anëtare të aleancës së Atlantikut të Veriut. Më shumë sesa ky reagim, ka rëndësi arsyetimi i palës greke, sipas së cilës, kthimi i ushtrisë lidhet me shtimin e trafikut nga Shqipëria.
Refuzimi i statusit dhe argumenti i pjesëmarrjes së Shqipërisë në Konferencën Islamike
Faqja “e-zani” që përfaqëson një rrymë të mendimit islam shqiptar, ka sjellë sot një opinion të Elton Hatibit i cili merret me pohimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, sipas të cilit “Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat për në BE, për shkak të anëtarësimit në Konferencën Islamike”.
LSI-ja e diferencon veten brenda mazhorancës – propozon 3 amendamente
Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë tre amendamente për buxhetin e vitit 2014. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, i cili shpjegoi konkretisht se LSI kërkon që 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë. Së dyti, LSI propozon që kontrollet mjekësore falas një herë në vit të zgjerohen deri në moshën 65-vjeçare.
Shqiptarët në Mal të Zi paralajmërojnë bojkot të zgjedhjeve lokale
Shqiptarët e Malit të Zi mund të bojkotojnë zgjedhjet lokale. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, të cilës i referohet edhe media “B92”. Shkak për të këtë është mosmbajtja e premtimeve nga autoritetet malazeze sidomos për statusin e bashkisë së Tuzit. Kreu i Iniciativës Qytetare, Vesel Sinishta, citohet të jetë shprehur se “nëse qeveria nuk plotëson premtimet zgjedhjet do të bojkotohen”. Kërkesa e shqiptarave është për një autonomi të bashkisë së Tuzit, kreu i së cilës Fran Lulugjuraj ka dhënë dorëheqjen para pak kohësh.
Triumfon filozofia e ligjit nr. 7501. Për dy muaj nis dhënia e certifikatave të pronësisë
Zv.ministri i Bujqësisë, Jani Babi ka deklaruar sot për gazetën “Shekulli” se pajisja e fermerëve që kanë patur deri më tani tokë në përdorim të ndarë sipas ligjit nr. 7501 do të pajisen me çertifikata pronësie. Kjo sipas tij do të realizohet pas dy muajsh. Ka disa perregullsi flagrante në Shqipëri lidhur me tokën. Si shembull Babi ka sjellë zonën e Frakullës, meqenëse aty do të nisë e dhe procesi. Kështu “aktet e marrjes në pronësi janë 307, ndërsa janë trajtuar me tokë 336 familje, pra rezultojnë 29 familje më tepër se aktet e marrjes në dorëzim”.
Buxheti ndryshon përsëri. Shtypi zbulon se amendamentet e PD-së janë premtime të PS-së në fushatë
Politika po lë përshtypjen se nuk po ia del të ‘qepë’ përfundimisht buxhetin e vitit 2014. Kështu sipas gazetës “Shekulli”, qeveria vetë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, një akt normativ përmes të cilit kërkon rishpërndarjen e findeve në disa ministri. Gazetari Lusi Tanushi ka publikuar sot në dokument sipas të cilit qeveria argumenton aktin normativ. “Nxjerrja e aktit normativ vjen si pasojë e situatës së pamundur, kohës së kufizuar për të nxjerrë ligjin e nevojshëm nga organi ligjvënës, qoftë edhe nëpërmjet procedurave të përshpejtuara”, shkruan Tanushi.
Fshirja e serverit të deklaratave fiskale - Drejtoria e Tatimeve nuk i disponon më pamjet filmike
Pamjet e kamerave të sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për kohën kur ndodhi ndërhyrja në server që fshiu 4.3 milionë deklarata fiskale janë zhdukur. Kjo është përgjigja që Drejtoria e Tatimeve i ka kthyer Prokurorisë e cila kishte kërkuar materialet filmike. Gazeta “Panorama” që ka shkruar për këtë çështje e ka vënë fjalën – Zhduken – në thonjëza, duke lënë të kuptohet se në këtë tretje ka ndoshta një orkestrim. Në fakt, përgjigja e zbardhur e Drejtorisë së Tatimeve, cituar nga “Panorama” sipas burimeve anonime jep si arsye një argument teknik.