Arkiv-Lajme
Doshi e Prifti në biznesin e vezëve. Pularia e Koplikut që sfidoi çmimet e tregut, shkruan Monitor
Revista Monitor “zgjidh misterin” e zhvillimeve të fundit në tregun e brendshëm të vezëve. Deputeti socialist, Tom Doshi, së bashku me ish-deputeti Dritan Prifti, i kanë hyrë këtij biznesi, me një pulari në Koplik, me emrin Beata. Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Beata është regjistruar në QKR në prill 2014, me zyra qendrore në Koplik të Malësisë së Madhe.
Banka Botërore deklaroi se rritja ekonomike për vitin 2014 ishte 2.1%. BERZH deklaron një shifër tjetër: 1.5%
Edhe institucionet ndërkombëtare që bashkëpunojnë dhe mbikëqyrin Shqipërinë, nuk janë në një mendje për rritjen ekonomike të vitit 2014. Para disa kohësh, Banka Botërore publikoi shifrën prej 2.1% për vitin që iku, por sot, “Top-Channel” raporton ae Banka Europiane prpër Rindërtim dhe Zhvillim e ka korrigjuar këtë shifër me ulje. Sipas BERZH-it, rritja ekonomike 2014 ka qenë 1.5%, që është shumë më poshtë sesa shifra e BB-së.
Zotkaj i Poliçanit paditet nga një mjek: Më qëlloi me grusht pse ndihmova një person që ai po e rrihte?!
Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, është denoncuar nga mjeku Dritan Hoxha, i cili thotë se është dhunuar nga Zotkaj. Hoxha është shprehur se Zotkaj e ka qëlluar me grusht në fytyrë, ndërsa ka qenë në krye të detyrës. Mjeku ka thënë se ai i ka dhënë ndihmë një qytetari të dhunuar nga Zotkaj dhe disa persona të tjerë, kur është sulmuar nga ky i fundit.
Gjyqtari që liroi vrasësin Muhaj, i dekretuar nga Nishani për Gjykatën e Lartë
Mësohet se relator i çështjes në Apel që liroi Arben Muhajn ishte gjyqtari Sokol Ngresi. Ky i fundit u dekretua nga presidenti Bujar Nishani për Gjykatën e Lartë, ndërsa dekreti u rrëzua nga parlamenti me 76 vota pro në 30 tetor të vitit 2014. Vrasja e 51-vjeçares Teuta Muhaj do të ishte parandaluar nëse Gjykata e Apelit të Vlorës nuk do të kishte lënë të lirë bashkëshortin e saj Arben Muhaj të dënuar me 3 vjet për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, por që vuajti vetëm 8 muaj.
Testimet në mjekësi u tha se janë përvojë amerikane. Një kritikë që sjell dy shifra: në SHBA për vitin 2014 u shpenzuan 6500$\frymë. Në Shqipëri 250$\frymë
Gazment Koduzi, doktor i Shkencave Mjekësore, shkruan sot në gazetën “Panorama” për testimet që pritet të zhvillohen me personelin mjekësor. Koduzi e nis shkrimin me argumentin e z. Ministër, qe e sheh testimin si imitim pozitiv të përvojës amerikane. Që këtej, doktori thotë se kjo mani për të imituar në mënyrë shabllone, kujton këngën “Tu vuo fa l’americano”, por duke “harruar” se SHBA-të harxhuan vetëm në vitin 2014 80.1 bilionë dollarë, ose 6500$/frymë, kurse Shqipëria vetëm 250.
Oxfam: 1 përqind e më të pasurve në botë, kanë më shumë pasuri se 99 përqindshi tjetër së bashku
Hendeku social i botës po kap përmasa të panjohura më parë. Kështu, shumë shpejt 1 përqind e njerëzve më të pasur në botë do arrijnë të grumbullojnë pasuri më shumë se 99 përqind e pjesës tjetër.
Kështu thuhet në një studim të grupit bamirës Oxfam. Sipas BBC, në studim thuhet se pasuria që është në pronësi të 1 përqind të njerëzve në botë u rrit nga 44 përqind në vitin 2009 në 48 përqind vitin e shkuar.
Shqiptarja misterioze e kokainës, Pranvera Ebeling. Ka qëndruar këtu tre ditë gjatë dhjetorit
Pranvera Ebeling, quhet femra me nënshtetësi gjermane që u identifikua nga autoritetet gjermane si pika e kontaktit në rrjetin e trafikut të kokainës. Siç shkruan Mapo, ajo mbërriti në Shqipëri më 14 dhjetor dhe u largua një ditë pasi autoritetet gjermane sollën kërkesën për hetimin e bashkëjetuesit të saj, Ilir Hyseni. AJo është rezidente prej rreth 10 vitesh në Gjermani.
Eksploziv në territorin e Portit të Durrësit. Shpërthen makina e drejtorit të burgut të Fushë Krujës. Arben Suloj, në reanimacion por jashtë rrezikut
Moda e tritolit vazhdon. Këtë herë eksplozivi ka shpërthyer në territorin e Portit të Durrësit. Sipas “Balkanweb” drejtori i burgut të Fushë Krujës, Arben Suloj, është plagosur mëngjesin e së hënës, për shkak të shpërthimit të makinës së tij me eksploziv. Gazetarja Klodiana Haxhiaj e “News24” tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:20 minuta në Portin e Durrësit, në kohën kur Suloj ndodhej brenda makinës së tij. Suloj ka mbetur i plagosur nga shpërthim dhe është dërguar me shpejtësi në spitalin e Durrësit.
100 celula islamistësh në shënjestër të autoriteteve gjermane, 350 të dyshuar për lidhje me "Shtetin Islamik"
Organet e ndjekjes penale dhe politikanët në Gjermani shprehen me gjuhën e shifrave për rrezikun terrorist në vend: 100 celula islamikësh, 350 të dyshuar për lidhje me "Shtetin Islamik". Në një shkrim të saj “Deutsche Welle” thotë se Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës është duke mbikëqyrur sipas njoftimeve të gazetës "Welt am Sonntag" që nga viti i kaluar rreth 100 celula islamistësh në Gjermani. Fjala është për grupe dhe rrjete me nga dhjetë deri në 80 vetë, njofton gazeta duke cituar qarqe të organeve të sigurisë.
Presidenti Obama do të rrisë taksat për të pasurit, kërkon të forcojë klasën e mesme
Presidenti amerikan Barack Obama do që të rrisë taksat për amerikanët më të pasur dhe firmat e mëdha të financave, gjë që ai thotë se do të forcojë klasën e mesme. “Zëri i Amerikës” thotë se këto propozimet që janë njoftuar në një deklaratë për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, nuk kanë shumë gjasa të miratohen nga Kongresi i mbizotëruar nga republikanët, por përgatit terrenin për të nxjerrë në pah qëndrimet e ndryshme të partive demokratike dhe republikane në prag të fushatës presidenciale të vitit që vjen.