Arkiv-Lajme

Aktivitete formale në përkujtim të 21 janarit

Postuar në 21 Janar, 2015 06:19

Janë zhvilluar edhe këtë vit homazhe për 21 janarin. Kryeministri ka bërë homazhe bashkë me familjarë të viktimave, ka shmangur fjalimet dhe premtimet, i ka pritur familjarët brenda në kryeministri, pa praninë e kamerave dhe me kaq përkujtimi është mbyllur. Nuk ka munguar zhgënjimi për mosbërjen e drejtësisë për këtë ngjarje që ndodhi në vitin 2011, ndonëse kjo zvarritje e organizuar është më minimalja që mund të pritet në këtë shtet. Interesant është një opinion i Andi Bushatit në faqen “lapsi.al”, i cili merret me “përvjedhjen e Ilir Metës nga aktivitetet për 21 janarin”.

Kritika për Ditmir Bushatin në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme. Refuzoi drejtimin nga Shqipëria të një komiteti të OSBE-së

Postuar në 21 Janar, 2015 05:18

Përfaqësues të Komisionit Parlamentar me Jashtë kanë shprehur sot kritika për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, për refuzimin që Shqipëria i ka bërë presidencës serbe të OSBE-së për drejtimin e Komitetit të Sigurisë. Kritika ka shprehur edhe kryetarja e komisionit, Arta Dade. “Ministri nuk është konsultuar. Kam qenë e mendimit që Shqipëria duhet ta merrte drejtimin e Komitetit”, tha Dade. Edhe përfaqësuesi i PD-së në komision, Aldo Bumçi ka shprehur të njëjtin mendim, duke vlerësuar se oferta ndaj Shqipërisë është bërë për balancë rajonale.

Albin Kurti largohet nga detyra e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosja. Nuk rikandidon më

Postuar në 21 Janar, 2015 04:47

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, ka vendosur të mos rikandidojë më për detyrën aktuale. Lajmi bëhet i ditur nga “Koha Ditore” sipas të cilës kandidat për detyrën e kryetarit të VV-së është kreu i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri. Kurti ka zbatuar formalisht statutin që parashikon zgjedhjen vetëm dy herë në detyrën e kryetarit.
s.z

Della Rocca: Shqipëria dhe Kosova mund të shërbejnë si vend transit për terroristët. Celulat e tyre do t’i dëbojmë nga Italia

Postuar në 21 Janar, 2015 02:47

Zv/drejtori i policisë Italiane Della Rocca gjatë një interviste për “News24” dhënë gazetarit Spartak Koka sqaroi qëllimin e vizitës së tij në Shqipëri dhe Kosovë. Rocca argumentoi se Shqipëria dhe Kosova mund të shërbejnë si vend transit për terroristët dhe nënvizoi se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar. Rocca  thotë se Shqipëria dhe Kosova mund të shërbejnë dhe si pika transiti dhe përvoja e këtyre ditëve të fundit na ka mësuar se çdo vend mund të shërbej si pikë transiti për fenomene të tilla.

Buxheti i vitit 2014, qeveria nuk realizoi planin e investimeve. Tek të ardhurat treguesit ishin më të mirë

Postuar në 21 Janar, 2015 01:41

Në një kronikë të transmetuar nga “Top Channel” thuhet se  vitin e kaluar, investimet publike ishin 5.4 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë dollarë më të ulëta se plani vjetor. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga 66 miliardë lekë, që ishte programi vjetor, qeveria investoi 60.54 miliardë lekë, me një realizim prej 92 %.

Nëntë vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës. Sot homazhe edhe një akademi përkujtimore

Postuar në 21 Janar, 2015 01:17

Më 21 janar të vitit 2006 u nda nga jeta ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Sot shënohet dhe 9-vjetori i vdekjes së tij. Mediat në Kosovë paralajmërojnë se në përvjetorin e nëntë të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në orët e pasdites në hotelin “Emerald” do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Gjeneral Lleshi: Gati qendra koordinuese për luftën ndaj terrorizmit

Postuar në 21 Janar, 2015 00:20

Ngjarjet e fundit që kanë lidhje me terrorizmin kanë angazhuar edhe Shqipërinë të marri masa të reja në luftë kundër tij. Ndërkohë qeveria shqiptare do të krijojë një qendër koordinuese me synim forcimin e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese ne lufte kundër terrorizmit. I ftuar nga gazetari Arsen Hoxha tek emisionin “30 minuta” në Vizion Plus, Këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare, gjeneral Sander Lleshi, tha se një strukturë e tille do ta bënte me efeciente këtë beteje.

Rusia i jep fund bashkëpunimit me ShBA-të për sigurinë bërthamore

Postuar në 20 Janar, 2015 17:55

Rusia ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me ShBA-të në fushën e bashkëpunimit për programin bërthamor. Për këtë çështje është arritur një marrëveshje në muajin dhjetor 2014, më të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të Pentagonit, të Departamentit të Energjisë si dhe përfaqësues të lartë rusë. Pala ruse ka deklaruar se nuk ka më nevojë për këtë bashkëpunim dhe për ndihmën amerikane në sigurimin e impianteve apo mjedisve bërthamore të vendosura Rusi.

Çipa pranon se ka patur vërejtje nga Didi pas vrasjes së Santos. Për disa ngjarje kriminale në kartotekën e policisë janë prishur provat.

Postuar në 20 Janar, 2015 15:46

Drejtori i policisë së Qarkut të Tiranës, Ardian Çipa ka deklaruar në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit se hetimet për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos janë intensive por pa dhënë detaje për autorët, urdhëruesit apo motivet e këtij ekzekutimi.

“Jam shumë optimist për çështjen Santo. Zoti Santo nuk ka shprehur ndonjë rrezik për jetën e tij. Ne punojmë intensivisht me Prokurorinë për ta zbardhur këtë ngjarje. Kjo është çështje në hetim dhe të mos hamendësojmë për motivet”

Kryeministri iraken: "Shefi i ISIS, Al Bagdadi, është plagosur pranë kufirit me Sirinë"

Postuar në 20 Janar, 2015 15:04

A është plagosur Abu Bakr al-Baghdadi, i vetëshpalluri Kalif i Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë? Kështu pretendon kryeministri iraken al Abadi, sipas të cilit lideri i ISIS  është plagosur në një sulm ajror të zhvilluar verilindje të Irakut në qytetin e Al Qaim, pranë kufirit me Sirinë. “Shpëtimi i tij ishte një mrekulli”, tha Abadi sipas televizionit Al Arabija. “Lideri i ISIS shfaqet herë pas here në Mosul, por shumicën e kohës ai qëndron në Siri dhe jo në Irak”, tha Abadi.

 

a.k

Pages

Subscribe to RSS - Arkiv-Lajme