Çipa pranon se ka patur vërejtje nga Didi pas vrasjes së Santos. Për disa ngjarje kriminale në kartotekën e policisë janë prishur provat.

Drejtori i policisë së Qarkut të Tiranës, Ardian Çipa ka deklaruar në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit se hetimet për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos janë intensive por pa dhënë detaje për autorët, urdhëruesit apo motivet e këtij ekzekutimi.
“Jam shumë optimist për çështjen Santo. Zoti Santo nuk ka shprehur ndonjë rrezik për jetën e tij. Ne punojmë intensivisht me Prokurorinë për ta zbardhur këtë ngjarje. Kjo është çështje në hetim dhe të mos hamendësojmë për motivet”
Çipa e konsideroi të menjëhershëm reagimin e policisë pas vrasjes së Artan Santos dhe tha se policia i humbi gjurmët e autorëve pas daljes së tyre nga Tirana. Ai pranoi se nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi mësohet se ka patur një vërejtje me shkresë për drejtorët e Policive të Tiranës, Durrësit e Krujës për moskordinim të veprimeve të policisë, por sipas tij kjo është një praktikë normale në punën e policisë.
Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës pranoi po ashtu se ka një hetim nga Prokuroria për prishje të provave në kartotekën e policisë ku kanë qenë të dokumentuara disa ngjarje kriminale.
l.m
Add new comment