Arkiv-Lajme
Kriza demografike, bie lindshmëria tek shqiptarët në Maqedoni, shtohet emigrimi
Trendi negativ i rritjes së lindshmërisë pas disa vitesh do të jetë shqetësues edhe për shqiptarët në Maqedoni. Agjensia e lajmeve “INA” thotë se edhe pse shtimi i popullsisë me ritme negative dhe faza kritike në të cilën është futur popullsia maqedonase dhe komunat e populluara prej tyre gjatë viteve të fundit, për momentin po balancohet me moshën e re të komunave me popullsi shqiptare, numri i lindjeve nuk është si ai i disa viteve më parë. Ai ruan një konstante katër vitet e fundit ku në zona të caktuara ka edhe rënie.
“Panorama”/ Zbulohet urdhri i Ramës: Kryebashkiakët me 3 mandate të dorëhiqen. “Digjen” Gjika, Zeqo dhe Nasufi
E përditshmja “Panorama” shkruan sot se Kryeministri Rama u ka kërkuar dorëheqjen kolektive të gjithë kryebashkiakëve socialistë që kanë tri mandate. Burime pranë qeverisë pohuan për “Panorama” se kërkesa për dorëheqje i ka shkuar kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Artan Shkëmbi, kryebashkiakut të Beratit, Fadil Nasufi, kryebashkiakut të Fierit Baftjar Zeqo dhe kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është në proces penal dhe ai nuk përbën ndonjë pengesë për kandidatin e ri që koalicioni i majtë do të mandatojë për këtë bashki.
“Koha Ditore”: Imami i dyshuar për terrorizëm, në konferencën “kundër terrorizmit”
“Koha Ditore” shkruan që Bashkësia Islame e Kosovës pretendon se i dyshuari për terrorizëm, Shefqet Krasniqi, nuk është pjesë e delegacionit zyrtar të saj në një konferencë kundër terrorizmit në Mekë. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, është duke marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Luftimi i terrorizmit”. Konferenca, që ka nisur të hënën, është organizuar nga Liga Botërore Islame (RABITA) dhe po mbahet nën kujdesin e Mbretit të Arabisë Saudite, Selman ibn Abdul-Aziz Al-Saudi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjana i Legalitetit: Hapja e dosjeve çështje thelbësore, por vetëm procesi i hapjes së tyre nuk është i mjaftueshëm
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Kryetari i Partisë së Legalitetit të Shqipërisë, Sulejman Gjana tha se hapja e dosjeve është një çështje thelbësore, por vetëm procesi i hapjes së tyre nuk është i mjaftueshëm. Në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe ISIS-it, zoti Gjana tha se qeveria shqiptare duhet të çarmatosë popullsinë dhe të jetë e përgatitur për lloje të tjera të mundshme të terrorizmit.
Muço i “Kristalit” në kërkim nga policia, merrte energji ilegalisht për një nga shkollat e tij
Ahmet Muço, biznesmen dhe pronar i institucioneve arsimore “Kristal”, është shpallur në kërkim nga Policia e Krujës. Burime zyrtare nga policia njoftojnë se “ditën e djeshme ka nisur procedimi penal në mungesë për shtetasin A.M, 67 vjeç, banues në Tiranë, sepse rreth orës 13.00 nga kontrolli i ushtruar në Spitalin Universitar Kristal në Rinas, Krujë, u konstatua se ky objekt furnizohej me energji elektrike me linjë të dytë në mënyrë të paligjshme”.
Me koncesion edhe shërbimi i sterilizmit të pajisjeve kirurgjikale dhe dezinfektimit të sallave. PD-ja thotë se bëhet fjalë për 96 mld lekë
Pas shërbimit check up, Ministria e Shëndetësisë shpall edhe dhënien me koncesion të shërbimit të sterilizimit. Zv. Ministri Klodian Rrjepaj ka sqaruar se përse po shkohet në këtë rrugë. “Janë disa kompani që e ofrojnë në bazë të tregut. Janë 5-6 kompani në Itali, Angli që janë kompani të fuqishme. Në të gjithë këtë rrjet me hartimin e programit të vizibilitetit, me miratimin në Ministrinë e Financave, me konsultimet që kemi bërë janë hartuar edhe dokumentat e tenderit. Por përse do të jepet me koncension ky shërbim?
Dy kontrata blerjeje për grurin serb, njëra si ushqim kafshësh e tjetra për njerëzit. Por çmimi është i njëjtë...
Vazhda e akuzave mbi cilësinë e grurit serb që përdorin qytetarët e Kosovës (por edhe Shqipërisë), ka njohur një hap më konkret nga gazeta Express e Prishtinës. Express ka siguruar dy kontrata për blerje të grurit, të lidhura mes Artan Devollit, blerës, dhe Dragan Raca-s, shitës. Njëra është për 'ushqim të kafshëve' e tjetra për ushqim të njerëzve, por në fakt çmimi i tonit të grurit për ushqim për njerëz ishte i njëjti me atë për ushqim të kafshëve. Në rastin më “të mirë”, thotë Express, firma importuese u shmanget taksave, edhe pse gruri mund të jetë cilësor.
Basha mbledh deputetët, caktohen drejtuesit e fushatave nëpër bashkitë e vendit. Bumçi në Tiranë, Ristani në Vlorë
Partia Demokratike ka caktuar në mbledhjen e grupit parlamentar, drejtuesit e fushatës elektorale të zgjedhjeve të ardhshme lokale për 30 zona të vendit. Fushata për Tiranën do të drejtohet nga Aldo Bumçi, Myqerem Tafaj dhe 5 deputetë të tjerë të qarkut. Në bashkinë e Vlorës fushata do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, në Lushnjë nga Genc Pollo, i cili para dy vitesh drjetonte shtabin e PD-së në qarkun e Beratit. Në Shkodër shkon Arben Imami, në bashkinë e Librazhdit deputeti Luçiano Boci, në Durrës nga deputetët Oerd Bylykbashi dhe Eduart Halimi.
Ambasadori gjerman në Tiranë e bën të qartë: “Të gjithë do të kthehen”
Gjermania do të kthejë të gjithë azilkërkuesit nga Shqipëria. E ka përsëritir sot nga Elbasani, ambasadori gjerman Helmut Hoffman, për të cilin trajtimi i kësaj çështjeje po zë një pjesë thelbësore të kohës dhe angazhimit. “Këto janë zhvillime që ne i kemi ndjekur me një shqetësim vërtet të madh. Vetëm në janar është shënuar një shifër prej 1650 azilkërkuesish nga Shqipëria dhe ajo çka dua të bëj të qartë se të gjithë këta do të duhet të kthehen shumë shpejt në vend. Nuk mund të ofrojmë mundësi qëndrimi në Gjermani për azilantët ekonomikë”, tha ai.
s.z
Çështja “Gjin Gjoni”, prokuroria e Elbasanit në kundërsulm: Ankimon vendimin e gjykatës dhe dërgon letër-porosi në Gjermani e Francë
Më në fund, lidhur me çështjen “Gjin Gjoni” Prokuroria e Elbasanit është hedhur në kundërsulm. Akuza ka ankimuar vendimin e gjykatës së Elbasanit, që ka pranuar kërkesën e Gjin Gjonit për mbylljen e afateve të hetimit dhe jo zgjatjen e tyre siç kishte kërkuar prokuroria. Me këtë vendim, pas mbylljes së afateve fillestare gjykata ka bllokuar mbledhjen e të dhënave të plota për të vërtetuar dyshimet e krijuara gjatë hetimit për mundësitë e konsumimit të veprave penale.