Arkiv-Lajme
Dosja “Olldashi”, “Shqip” shkruan se prokuroria pret të dhëna nga kompanitë celulare për disa nga dëshmitarët që njoftuan të parët
Gazeta “Shqip” shkruan sot se dosja e vdekjes së deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi mbetet ende e hapur. Sipas kësaj gazete shkak për këtë është bërë mosbashkëpunimi nga disa kompani celulare për të përcjellë në Prokurori të dhënat e kërkuara për komunikimin e disa prej dëshmitarëve që kanë sinjalizuar të parët për vdekjen e Olldashit. Sipas gazetarit Sokol Çobo, përmes këtyre të dhënave do të konfirmohet vendndodhja e këtyre dëshmitarëve. Ndonëse Çobo shton se çështja nuk është regjistruar si procedim penal, për të shmangur hamendësime të mundshme.
“Shqiptarja.com” citon raportin e Komisionit Europian: Papunësia në Shqipëri ka arritur në 17%
“Shqiptarja.com” shkruan sot se sipas Komisionit Evropian, papunësia në Shqipëri është 17%. Gazetari Genc Kondi sjell të dhënat e Direktoratit të Përgjithshëm Ekonomiko-Financiar të KE-së përmes të cilave arrihet në konkluzionin se “shifrat më të fundit për tremujorin e katërt të vitit 2013 treguan se, ndryshe nga të dhënat administrative, por në linjë me kushtet e dukshme ekonomike, papunësia është rritur nga 14.4 për qind në nivelin e 17 përqindëve”. Po kështu raporti jep të dhëna edhe për bilancet financiare.
Presidenti kundërshton projektligjin e ri që i heq disa kompetenca mbi Forcat e Armatosura
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dhënë dje një intervistë për televizionin “Klan” ku ka shprehur kundërshtimin e vet për projektligjin e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, që parashikon reduktimin e kompetencave të kreut të shtetit mbi Forcat e Armatosura. Sipas Nishanit, projektligji është i panveojshëm, pasi Shqipëria është pjesë NATO-s dhe ligji ekzistues nuk krijon asnjë lloj konflikti. Ndërkohë edhe PD-ja ka reaguar duke e cilësuar heqjen e 11 kompetencave nga Presidenti për t’ia dhënë kryeministrit një përpjekje për të përqendruar pushtetin në një dorë.
s.z
KOASH pas deklaratave të Fatos Klosit: Qëndrime arbitrare dhe çorientuese. Kisha e Shqipërisë është Autoqefale. Ringritjen e saj e inicioi Patriarkana
Pak ditë më parë ish-kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi dekleronte në një intervistë për gazetën “Illyria” se rreziku nga ndikimi i Kishës grek në Shqipëri është më i rezikshëm se kërcënimi islamik. Duket se kjo deklaratë nuk është kaluar në heshtje nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila përmes Sinodit ka reaguar duke i cilësuar qëndrimet e z. Klosi “arbitrate dhe çorientuese”.
Qerimaj e Godelli “pushtojnë” Europën
Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj është shpallur kampion Europe në dygarësh, për peshat 77 kg, duke ngritur në total 349 kg, ndërsa me të njëjtën peshë të ngritur Daniel Godelli ka zënë vendin e dytë, duke u shpallur nënkampion Europe. Qerimaj ka ngritur në shkëputje 155 kg, 2 më pak se sa shqiptari tjetër Godelli, me 157 kg, duke marrë medaljen e bronztë në këtë stil, ndërsa Godelli rrëmbeu medaljen e argjendtë, vetëm për shkak të peshës trupore më të madhe se sa peshëngritësi armen, Martirosyan.
FMN jep lajme pozitive për ekonominë shqiptare. Këtë vit rritja 2.1 %
Ekonomia shqiptare duket se po shkon drejt shërimit. Pas lajmeve nga Instituti i Statistikave është Fondi Monetar Ndërkombëtar që në një raport të fundit jep lajme pozitive për të ardhmen e afërt të ekonomisë shqiptare. Raporti thekson se rritja ekonomike për vitin 2014 do të jetë 2.1%.
Hapet procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të RTSh-së
Komisioni Parlamentar i Medias ka hapur sot rrugën për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik. Ndonëse me debate, mbledhja e sotme ka vendosur që të procedohet me formulën e propozimit nga 20 kandidatë, pozita dhe opozita dhe mandej, përjashtimi i emrave deri në numrin e nevojshëm që parashikon ligji të bëhet duke "pastruar" listën e palës tjetër. Pra pozita do të eliminojë kandidatura në listën e opozitës dhe anasjelltas.
Incidentet gjatë takimit të Hashim Thaçit me studentët. Klan Kosova: Ja videoja ku truproja dhunon studentin
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është përballur sot me cilësimet “Hajn” e “Mashtrues” nga një grup studentësh të UP-së, gjatë vizitës që u bëri në kuadër të parafushatës së tij, të pashpallur, edhe për një mandat në krye të qeverisë së vendit. Gazeta “Express” shkruan se kjo i ndodhi kryeministrit pasi drekoi bashkë me studentët në mencën e tyre dhe kur ka dalë nga aty, disa studentë të organizatës “Studim Kritikë Veprim” e pritën më thirrjet “Hajn” e “Mashtrues”.
Rama-Tahiri, tek emisioni i Bruno Vespës për Lazaratin. Kryeministri: Tolerancë zero ndaj krimit. Ministri: Fshati duhet shpëtuar, jo luftuar
“Porta a Porta”, emisioni i gazetarit italian Bruno Vespa në RAI Uno ka trajtuar mbrëmjen e djeshme problemin e drogës së Lazaratit. Gazetari i dërguar në Shqipëri ka zhvilluar intervista me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Kreu i Drejtorisë kundër pastrimit të Parave, Gazheli: Shtatë politikanë nën hetim
Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli, ka folur sot para Komisionit parlamentar të Sigurisë, ku ka deklaruar se shtatë politikanë shqiptarë po hetohen për pastrim parash. Gjithashtu, ai theksoi se janë ngrirë llogaritë bankare të disa personave të dyshuar për terrorizëm. Por nga ana tjetër, Gazheli vërejti se ka mungesë informacioni për ecurinë e rasteve për pastrim parash në prokurori.