Rama-Tahiri, tek emisioni i Bruno Vespës për Lazaratin. Kryeministri: Tolerancë zero ndaj krimit. Ministri: Fshati duhet shpëtuar, jo luftuar

Postuar në 08 Prill, 2014 12:47

“Porta a Porta”, emisioni i gazetarit italian Bruno Vespa në RAI Uno ka trajtuar mbrëmjen e djeshme problemin e drogës së Lazaratit. Gazetari i dërguar në Shqipëri ka zhvilluar intervista me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. “Ju e dini se ka shumë punë për të bërë në nivelin europian për Mesdheun nga Europa pasi vijnë shumë emigrantë nga të gjitha anët dhe siguria e deteve është e lidhur me një fakt shumë të thjeshtë, duhet të shkojmë përtej atyre gjërave që jemi mësuar të bëjmë pasi, Europa e gjitha ecën me hap të ngadaltë, problemet rriten me shpejtësi”, ka theksuar kryeministri Rama për Porta a Porta.
 Gazetari italian i ka kërkuar kryeministrit një mendim për legalizimin e marijuanës. “Legalizimi i marijuanës është një diskutim të cilin do të preferoja të mos e bëja. Pastaj nuk i takon Shqipërisë të shkojë më tutje, të marrë një vendim të tillë, kur çështja e legalizimit të marijuanës mbetet ende një temë e hapur në vende më të zhvilluara se ne në BE. Për momentin jemi të të përqëndruar tërësisht në një luftë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj trafiku”. Por duket se toleranca zero “u përgënjeshtrua” nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri që ka deklaruar se Lazarati nuk duhet luftuar por shpëtuar. Sipas tij, një operacion policor nuk mjafton pasi duhet menduar edhe për të nesërmen. Ai shtoi se e rëndësishme është gjetja e mjeteve për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Gazetari gjatë vizitës në Shqipëri udhëtoi dhe drejt Lazaratit dhe është futur edhe në fshat. Ai intervistoi kryetarin e komunës së Lazaratit i cili pohoi se e dinte se në fshatin e tij kultivohej marijuana, por shtoi se kjo ishte rruga e vetme për të jetuar dhe për të rritur fëmijët. A.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.