Arkiv-Lajme
Parlamenti maqedonas anullon kuadrin ligjor për martesat brenda të njëjtit seks. Deputeti Dimovski: “Mbrojmë vlerat tradicionale të familjes”
Parlamenti maqedonas ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës duke pezulluar martesat brenda të njëjtit seks. Pas këtij akti do të vijohet me ndryshime të tjera për ta rregulluar përfundimisht këtë çështje. Ndryshimi mori një shumicë votash në Parlament dhe ka si motiv atë që deputeti Ilija Dimovksi e quan “mbrojtje të vlerave tradicionale dhe fetare të familjes”. Ligji për martesat brenda gjinisë janë kërkuar që të legalizohen edhe në Shqipëri dhe protagonist i kërkesës ka qenë Avokati i Popullit Igli Totozani.
Arben Isufaj lë qelinë . Gjykata vendos për “arrest shtëpie”
Siç ishte paralajmëruar edhe dje, lirimi i Arben Isufajt, i njohur me nofkën Ben Qimja, është bërë fakt sot. Isufaj ka lënë qelinë për të kaluar në arrest shtëpie, pasinjë ditë më parë gjykata e Fierit, refuzoi kërkesën e Prokurorisë për lënien në burgim edhe për 30 ditë të tjera, me qëllim përgatitjen e dokumenteve për ekstradim. Avokatët kanë kërkuar sot shuarje të masës së arrestit, por gjykata ka vendosur për arrest shtëpie.
Veteranë të UÇK-së djegin librin e Veton Surroit. Nuk mungojnë reagimet edhe nga një ish-luftëtar si Jakup Krasniqi: “Djegia, asocime me Mesjetën”
Këto ditë një grup veteranësh të UÇK-së në Ferizaj organizuan një lloj demonstrimi për djegien e librit të Veton Surroit “Këmbët e gjarprit”. Akti është dënuar edhe nga një ish-drejtues i UÇK-së si Jakup Krasniqi, i cili teksa ka mbrojtur luftën e UÇK-së ka theksuar se veprime të këtilla “asociojnë me turrën e druve të Mesjetës si dhe në djegien e librave në Gjermanin Fashiste apo në vendet e tjera ku mungojnë vlerat demokratike”. Ndërkohë vetë Surroi ka shkruar në Facebook duke shprehur mendimin se pas djegies së librave, zjarrëvënësit “veshin këmishat e zeza”.
Merr rrugë procesi politik në Kosovë. Isa Mustafa zgjidhet kryetar i Parlamentit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është zgjedhur me 65 vota kryetar i Parlamentit të ri. Në votim morën pjesë 82 deputetë, prej të cilëve deputetët e Vetëvendosjes abstenuana. PDK-ja mungoi me synimin që të bllokonte zgjedhjen për shkak të kuorumit. Një manovër që nuk ka funksionuar, ndërkohë që zgjedhja e Mustafës zgjidh problemin e drejtimit të Kuvendit.
s.z
Ministri i Drejtësisë i pret drutë shkurt: “Gjin Gjoni të tregojë si e ka fituar pasurinë, të mos flasë për presione e shantazhe”
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka reaguar sot ndaj deklaratave të djeshme të gjyqtarit Gjin Gjoni, sipas të cilit, ndaj tij po bëhen presione. Naço është përgjigjur me një ton jo të zakonshëm duke lënë të kuptohet se rruga e nisur për të bërë ndryshime në KLD nuk mund të mbyllet. “Gjini është aq i vogël sa nuk e mbulon dot diellin me shoshë. “Nuk kam asgjë personale me të, ai e ka me veten dhe pasurinë e tij. Pyetja i bëhet për pasurinë, ai përgjigjet për presione e makinacione.
Nis seanca e parë e Parlamentit të Kosovës. Konfirmohet paralajmërimi i mediave për vendosjen e deputetëve në sallë
Një situatë e tensionuar, por komike në thelbin e vet është krijuar në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë që është miratuar përbërja e komisionit të verifikimit të mandateve , është dhënë një pushim prej 15 minutash. Mirëpo siç njoftojnë mediat në Kosovë, deputetët e PDK-së së Hashim Thaçit nuk kanë lëvizur nga vendi, kjo “nga frika se në ato vende mund të ulen deputetët e LDK-AAK-Nisma”. Ishte paralajmëruar në fakt se incidenti i vendeve në sallë do të krijohej, por duket se kjo sjellje është më shumë çështje e një vendimi paraprak sesa improvizim i deputetëve.
Gruevski rihap procesin e regjistrimit të popullsisë. Nisma vjen pas dështimit të vitit 2011
Nikolla Gruevski, i konfirmuar sërish kryeministër në Maqedoni, duket se ka ndërmend që të realizojë edhe procesin e regjistrimit të popullsisë. I përfolur shumë në pikëpamje politike, procesi u ndërpre në vitin 2011, për shkak të deivergjencave mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së së Ali Ahmetit, divergjenca të cilat kishin të bënin me përfshirjen ose jo në statistikat e reja edhe të qytetarëve që kishin më shumë se një vit jashtë shtetit. Por së fundmi Gruevski ka rihapur procesin, duke i propozuar BDI-së dy mënyra: numërimin administrativ dhe kontrollin në terren.
Lubonja me një opinion për debatin mbi drejtësinë. “Parlamenti është Lazarati i vërtetë”
Fatos Lubonja shkruan sot në “Panorama” një opinion të gjatë që përqendrohet në çështjen e reformës në drejtësi dhe të gjithë garniturën e debateve që po zhvillohen aktualisht. Lubonja thotë se argumenti më i vlefshëm, ai ku duhet të shohim të gjithë, nuk është procesi për reformën në vetvete, por aktorët që janë pas saj, pra të dyja partitë kryesore, pasi duke kuptuar ata, mund të marrim me mend edhe sesi do të shkojë vetë reforma. Dhe pikë kritike për të vlerësuar edhe njëherë dyshen PS-PD është incidenti i fundit në parlament.
Tashmë një portal për publikimin e adresave të paligjshme të internetit
Qeveria ka vendosur sot të ndërtojë një portal në të cilin personat juridikë, privatë ose publikë do të publikojnë adresat e internetit “me përmbajtje të paligjshme”. Me përmbajtje të paligjshme do të kuptohet ajo përmbajtje e cila vjen ndesh me “përcaktimet e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe ofruesve të shërbimit të aksesit në internet (ISP-ve)”. Vendimi bazë që rregullon punën e Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT) është miratuar që në vitin 2011.
Biznesi i lojërave të fatit, kompania italiane “Gtech” drejt kontrollit të tregut në SHBA
“Repubblica” njofton për një operacion të madh në fushën e lojërave të fatit. Kompania italiane Gtech, ish-Lottomatica, do të zhvndoset drejt SHBA-ve, por do të mbajë selinë qendrore financiare në Londër. Në Romë do të mbeten seli operative, çka dëshmon për një zhvendosje kapitalesh nga Italia. Si arsye për këtë lëvizje jepet mjedisi fiskal më i mirë në SHBA si dhe përfitimi në investime në dollarë, nisur nga vlera e ulët e tij krahasuar me euron. Gtech pritet të përfundojë edhe blerjen e International Game Technology (Igt), kompanisë lider në sektorin e kazinove.
