Arkiv-Lajme
Buxheti 2015 dhe paketa e re fiskale, nesër në seancë plenare
Pas miratimit në parim në Komisionin e Ekonomisë, mazhoranca do të kalojë këtë të hënë në Kuvend për diskutim në seancë plenare projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Seanca është parashikuar të nisë në orën 11:00 dhe pritet të jetë maratonë. Ajo do të ndiqet edhe nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Replikon Paskal Milo me Pëllumb Kullën: “Shqipëria nuk ka qenë vetëm burg. Humori yt e provon këtë. Zoti të ndihmoftë se ke humbur drejtpeshimin!”
Gazeta “Dita” publikon sot një letër-replikë të historianit Paskal Milo drejtuar Pëllumb Kullës. Ky i fundit u bë prezent para disa ditësh me një shkrim të titulluar “Mukje, nëntor 2014”, të cilin në fakt e kishte postuar në profilin e tij në “Facebook”, por që qarkulloi edhe në media. Shkrimi merrej me cështjen e rishkrimit të teksteve të historisë, ku ndër të tjera i cilëson rishkruesit, Milon mes tyre, si “historianë të mbijetuara të erës enveriste”. Apo më tej si “shkencëtarë të lidhur këmbë e duar nga veprat që i bënë ne titujt e profesorëve dhe doktorëve”.
Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e ruan Kuvendi
Teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, i shkruar në pergamenën mbi 700-vjeçare, nuk ndodhet as në Muze të Kosovës dhe as në Arkivin qendror të Shtetit. Këto dy institucione nuk kanë kërkuar, por as nuk iu është ofruar që të ruajnë dhe mbrojnë të aktin e pavarësisë.
“Zëri” shkruan se kjo deklaratë po mbahet ende në Kuvendin e Kosovës. E ruajtur 24 orë nga Policia e Kosovës dhe nën vëzhgimin e kamerave, deklarata ndodhet në kabinetin e kryetarit të Kuvendit.
Opozita drejt fundit të bojkotit?
Partia Demokratike pritet të thyejë bojkotin në Parlament gjatë ditëve në vijim dhe t’i rikthehet jetës parlametare. Gazeta “Shqiptarja.com” shkruan se pas mbledhjes së grupit parlamentar që u mbajt ditën e djeshme, zëra brenda Partisë Demokratike pohojnë faktin se opozita po shkon tashmë drejt fundit të bojkotit.
ISIS i pret kokën pengut amerikan Peter Kassig, publikohet videoja e ekzekutimit
Pengu amerikan Peter Kassig është ekzekutuar me prerje koke. Njoftimi është dhënë nga “Isis” përmes një videoje të re në të cilën dëshmohet vrasja e pengut në Siri.
Agjencia e lajmeve “Ansa” shkruan se në videon e postuar nga faqe të ndryshme në internet shihet xhelati me një fytyrë të mbuluar që ka pranë vetes një kokë të prerë. Kassig, 26 vjeçar ishte rrëmbyer në fillim të tetorit ndërsa punonte në një mision humanitar.
Eduard Selami zyrtarizon kandidaturën: Garoj për Sekretar i Përgjithshëm në PD. Kam telefonuar edhe Ristanin e Alibeajn
Eduard Selami, 24 vite më parë ishte frymëzues i studentëve dhe themeluesi i PD-së, duke luajtur një rol të rëndësishëm në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri që në vitet e para të demokracisë. Por ai është edhe ish-sekretari i parë i përgjithshëm i demokratëve që nga 12 dhjetori ‘90 deri më 22 mars, kohë kur PD-ja erdhi në pushtet ndërsa ai u zgjodh kryetar i saj.
Clinton i propozon gjeneralit Clark: Bëhu president i Kosovës!
Gjeneralit Clark i është bërë një propozim: Kandido për president në Kosovë. Në shënimin e përvjetorit të 10-të të Librarisë Presidenciale të Bill Clinton, ish-lideri amerikan ka bashkëbiseduar me ish-gjeneralin amerikan të NATO-s, Wesley Clark, për politikën e jashtme. Dy personazhet e kohës së luftës së fundit kanë folur edhe për Kosovën. Madje, Clinton e ka nxitur Clarkun të garojë për president të Kosovës, raporton “Koha.net”.
Analistët: Në Kosovë duhet të ketë ndërhyrje ndërkombëtare, liderët politikë janë treguar të “paaftë” ta zgjedhin krizën
Vizita në Kosovë, e Ernst Reichel, ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë për shtetet e Evropës Juglindore, deklaratat e vazhdueshme të Ambasadores Tracey Ann Jacoboson dhe të Ian Cliff, që sa më parë të thirret seanca dhe të tejkalohet kriza politike, janë shenja të ndërhyrjes ndërkombëtare. Për gazetën “Tribuna” analisti politik, Artan Muhaxhiri shprehet se duhet të ketë ndërhyrje ndërkombëtare, pasi që sipas tij, liderët politikë kosovarë, janë treguar të “paaftë” ta zgjedhin krizën vet.
Ultra nacionalisti Sheshel: Serbia nuk duhet të hyjë në BE, aty janë armiqtë që kanë njohur Kosovën
Udhëheqësi i radikalëve serbë, Vojislav Sheshel, tha se Serbia duhet të orientohet drejt Rusisë dhe të heqë dorë nga integrimet në Bashkimin Evropian. I cituar nga “Zëri i Amerikës” ultra nacionalisti Sheshel, tha në Beograd se Serbia nuk duhet të hyjë në Bashkimin Evropian meqë aty janë armiqtë e saj më të mëdhenj, që e tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
L.V
Erdogan deklaron se Amerika u zbulua nga marinarë myslimanë, që në shekullin XII
Mediat ndërkombëtare i kanë dhënë hapësirë një lajmi të publikuar fillimisht nga gazeta turke “Hyrriet”, sipas të cilit presidenti i Turqisë, recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Amerika është zbuluar tre shekuj më herët sesa data zyrtare. Sipas Erdogan Amerika është zbuluar nga maerinarë myslimanë në shekullin XII, pra shumë më përpara sesa vitit 1492.