Replikon Paskal Milo me Pëllumb Kullën: “Shqipëria nuk ka qenë vetëm burg. Humori yt e provon këtë. Zoti të ndihmoftë se ke humbur drejtpeshimin!”

Gazeta “Dita” publikon sot një letër-replikë të historianit Paskal Milo drejtuar Pëllumb Kullës. Ky i fundit u bë prezent para disa ditësh me një shkrim të titulluar “Mukje, nëntor 2014”, të cilin në fakt e kishte postuar në profilin e tij në “Facebook”, por që qarkulloi edhe në media. Shkrimi merrej me cështjen e rishkrimit të teksteve të historisë, ku ndër të tjera i cilëson rishkruesit, Milon mes tyre, si “historianë të mbijetuara të erës enveriste”. Apo më tej si “shkencëtarë të lidhur këmbë e duar nga veprat që i bënë ne titujt e profesorëve dhe doktorëve”. Kësaj goditjeje Miloja i është përgjigjur duke i dhënë Kullës, “mikut tim të vjetër, që e kam njohur para 40 vitesh” dy të dhëna: së pari se deri në vitin 1990 nuk ka shkruar asnjë vepër për periudhën e luftës dhe së dyti se titullin doktor e ka marrë në vitin 1992, me një punim për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Milo shton se edhe vetë ka qenë i goditur, kur e çuan në Fier, vend ku ka njohur Kullën, të cilit ja njeh talentin. Dhe se pikërisht ky talent për humorin, iu vlerësua si rrallë kujt, asokohe, se edhe Kulla ka jetuar si pak të tjerë dhe se pikërisht, humori i tij, provonte se “Shqipëria nuk ishte vetëm burgu, por edhe humori, dasma, gëzimi etj..”. Një përballje e cila nuk ka gjasa të shuhet në një Shqipëri, ku periudha para ’90 trajtohet vetëm e vetëm emocionalisht. “Zoti e ndihmoftë”, shkruan Milo në fund për Kullën, që e quan “një mik që ka humbur drejtpeshimin”.
Letra e plotë:
Ja kështu, pas gati 40 vitesh pasi jemi njohur në Fier, ti në Amerikë e unë këtu ku kam qenë, duhet të këmbejmë disa mendime si dikur në “kohën e Enverit” në kafenetë e varfra të qytetit apo në mjediset e teatrit të tij. Unë, një djalë 26 vjeçar, i dëbuar nga Tirana si i biri i «armikut të partisë e të popullit», ti, diçka më i madh, i ardhur nga Vlora me detyrën e regjisorit në teatrin e estradës së Fierit. Unë bëja muzeologun, ti i mbaje njerëzit me humorin e shëndetshëm të parodive me ballistë, me Malot e Zalot.
Habitem se duke qenë përmbi 20 vite në vendin më demokratik të botës, ti Pëllumb, një njeri tolerant, i letrave, e i butë nga natyra, në vend që t’i ruaje e t’i zhvilloje vlerat që unë kam kujtuar që i ke patur jo fasadë, i shfaq në antipodin e tyre, në mënyrë revanshiste e virulente.
Unë jam historian që e kam shkruar dhe shkruaj historinë me dokumente e jo në mënyrë selektive. Historishkruarja është një proces shumë serioz. Nuk është humor rakie e me batuta kafenesh. Deri në vitin 1990, nuk kisha shkruar e botuar asgjë për Luftën e regjimin komunist, ndërsa ti, i dashur mik, me disa njerëz të letrave ishit në majat e lavdisë e të përkëdhelive të pushtetit, se talentin e artin tuaj e vutë thellësisht në shërbim të formimit të “njeriut të ri”. Unë dhe shumë të tjerë të kemi çmuar për vlerat krijuese e jo për shitjen e shpirtit.
Nuk kam nostalgji as për Enverin, as dhe për regjimin e tij, se në atë kohë askush nuk më duartrokiste dhe askush nuk më jepte çmime. Bëja mësuesinë e ligjëruesin e historisë si mijëra të tjerë për të mbijetuar. Por, miku im në atë kohë siç kishte burgje e internime prej të cilat nuk kanë shpëtuar as edhe njerëz të mi të afërt, kishte edhe humor, edhe teatro, edhe këngë, edhe valle, edhe dashuri, edhe dasma. Jeta nuk ishte vetëm zi e burg. Ajo vazhdonte dhe atë ti e ke jetuar si pak të tjerë.
Gradën “Doktor i Shkencave” e kam marrë me një vepër të mirëfilltë shkencore pas dhjetë vitesh studimi, të botuar në vitin 1992 për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në periudhën midis dy luftërave botërore, libër që është vlerësuar nga kritika historiografike e sidomos nga kolegët historianë nga Kosova.
Historinët e një vendi nuk mund ta shkruajnë një, dy apo pesë historianë. Është gabim e perceptim naiv t’i ndash historianët në të djathtë e në majtë. Ata për nga veprat e kontributet ndahen në historianë objektivë e jo objektivë, ndahen në shkolla e alternativa mendimi e metodologjie. Historiografia është shkencë, e specializuar në fusha studimi që duan kohë e njerëz që të shkruhen e interpretohen ngjarjet.
Të shkruarit e historisë së afërt si ajo e regjimit komunist do kohë që të shkruhet. Në gjuhën e shkencës kjo quhet maturim i ngjarjeve. Dokumentacioni arkivor ka rregullat e tij të shfrytëzimit. Përndryshe nuk bëhet rishkruarje objektive e historisë, por pamflete politike me sharje dhe etiketime.
Historianët seriozë që respektojnë historinë dhe historishkruarjen nuk nisen nga konsiderata politike, por udhëhiqen nga kodi profesional dhe etik i tyre në procesin historiografik. Ata që nuk e kanë këtë kulturë profesionale nguten e shkruajnë ose gjykojnë të tjerët. Është e drejta e tyre. Jetojmë në demokraci.
Ti e disa të tjerë me mënyrën si po reagoni nuk doni të rishkruhet historia, por të përmbyset ajo, të zhbëhen faktet e ngjarjet. Por i dashur mik, historia bëhet vetëm një herë e shkruhet e rishkruhet disa herë. Ti e gjykon historinë si amator, unë e analizoj si profesionist. Ti e sheh nga Nju Jorku, unë e kam gjurmuar dhe e gjurmoj përditë, këtu në vendin ku ajo është bërë, në këtë demokraci jo të plotë shqiptare, por gjithsesi me liri akademike.
Që të mësosh diçka më tepër për Luftën e posaçërisht për Mukjen përmes dokumentave më të fundit do të kisha dëshirë të të dhuroja librin tim të fundit të sapobotuar,
“Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Do të ishte një rast i mirë që do të nxiste për reflektim, në mos për të tërhequr mbrapsht epitetet e mllefet që të kanë pushtuar shpirtin, të bëjë në heshtje “mea culpa”-n. Ndihem i zhgënjyer për një mik të dikurshëm që ka humbur drejtpeshimin. Zoti e ndihmoftë!
s.z
Comments
Edhe Z.Milo i persekutuar?
<p>Edhe Z.Milo i persekutuar?</p>
Add new comment