Arkiv-Lajme
13 qershori afati i fundit kur Gjykata e Arbitrazhit do marrë vendimin për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Duka shprehet optimist për fitore
Pas dëshmive të marra, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër mesa duket kërkon më shumë kohë nga sa ishte menduar, për të arritur në një përfundim për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Në një deklaratë zyrtare, kjo Gjykatë bëri të ditur se pasi ka dëgjuar palët, do të vendosë përpara ndeshjes së radhës së Euro2016, pra më 13 qershor. “Nuk do komentojmë më tej,” thuhet në deklaratën e shkurtër. Shqipëria kërkon nga kjo gjykatë marrjen e tre pikëve në tavolinë për ndeshjen kundër Serbisë. Edhe serbët kërkojnë të njëjtën gjë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv është shpresa e fundit e palëve.
PD mbetet me 16 parti në koalicion, pas Ndokës dhe Gecajt grekët e MEGA largohen të kandidojnë në tre bashki
Koalicionit të Partisë Demokratike i është larguar dje dhe Partia e Minoritetit Etnik Grek, MEGA, shkruan “Panorama”. Tashmë nga 20 parti që u mblodhën më 1 prill në selinë e PDsë, kanë mbetur në koalicion 16 prej tyre. Dy ditë më parë kanë qenë Nard Ndoka dhe Mhill Gecaj që kanë deklaruar daljen nga koalicioni i PDsë dhe garimin më vete në zgjedhje. Po ashtu, dhe Sazan Guri i Aleanca Europiane Ekologjike ka vendosur të mos jetë pjesë e koalicionit, duke deklaruar kandidimin më vete në Tiranë.
Komunistët dhe ish-të përndjekurit në një koalicion me PS-në. “Panorama” shkruan se Rama i ka mbledhur bashkë demokristianët e Mark Frrokut dhe ekstremistët e majtë
“Panorama” bën një analizë të shkurtër të marrëveshjes së koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste ku regjistrohen 39 parti të majta, të qendrës dhe të djathta. Në këtë koalicion të bie në sy pjesëmarrja e PDIUsë, e FRDsë, por dhe e kristiandemokratëve të Mark Frrokut, apo e Partisë Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës. “Panorama” thotë se koalicioni i drejtuar nga PS ka në përbërje dhe tri parti komuniste të ekstremit të majtë, ndërkohë që Marko Dajti është larguar nga ky koalicion.
“Koha Ditore” shkruan se 132 kosovarë do akuzohen nga Prokuroria si të dyshuar për terrorizëm, pretendohet se kanë qenë në Siri apo kanë rekrutuar njerëz për llogari të ISIS dhe “Al Nusra”
Sipas gazetës “Koha Ditore” janë 132 kosovarë të dyshuar për terrorizëm. Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të akuzojë një grup të madh kosovarësh për vepra penale që lidhen me terrorizmin, ka bërë të ditur Prokuroria. Shumica prej tyre të arrestuar shtatorin e vitit të kaluar pretendohet se kanë qenë në Siri apo kanë rekrutuar njerëz për llogari të organizatave terroriste, ISIS dhe “Al Nusra”. Ndërkohë 135 kosovarë janë të dyshuar, të akuzuar apo nën hetime për vepra që lidhen me terrorizmin.
Minxhozi në “Top Channel”: Nuk ka kandidatura gjithpërfshirëse, por Veliaj e Kosova janë më të përshtatshme që mund të gjenden
Dy partitë e mëdha kanë mbyllur ciklin e kandidaturave për zgjedhjet lokale. Për këtë çështje i ftuar në studion e lajmeve qendrore në “Top Channel” ishte Skënder Minxhozi. Ai tha se të gjesh kandidatura gjithëpërfshirëse mes dy partive të mëdha është në kufijtë e të pamundurës. “Kandidaturat do t’i quaja jo gjithëpërfshirëse, por më të përshtatshmet që mund të gjenden”, tha Minxhozi.
“Standard & Poor’s”/ Raporti i agjencisë së vlerësimit financiar: Shqipëria ruan nivelin e riskut
“Standard & Poor’s”, që është dhe agjencia e vlerësimit financiar, ka mbajtur në të njëjtin nivel vlerësimi riskun për Shqipërinë duke parashikuar madje se me reformat financiare të ndërmarra, vendi do të ulë me 2% nivelin e borxhit në krahasim me prodhimin e brendshëm. “Parashikojmë që tkurrja vjetore e borxhit të qeverisë shqiptare në dy vitet e ardhshme të jetë në 2% ”, thuhet në raportin vjetor të agjencisë. “Standard & Poor’s” nuk ndryshon parashikimin e mëhershëm sa i përket rritjes ekonomike për këtë vit.
14 të vdekur në Nigeri nga një sëmundje e panjohur. Ekspertët thonë që nuk bëhet fjalë për Ebola
Një sëmundje e panjohur ka shkaktuar deri më tani 14 të vdekur në Nigeri. Lajmi bëhet publik nga Komisioneri për Informim, Kayode Akinmade, sipas të cilit rastet janë shfaqur në shtetin Ondo, në jugperëndim të vendit. Simptomat e sëmundjes kanë dhimbje koke intensive, reduktim i shikimit deri në verbim të plotë, konvulsione dhe në fund vdekje. I njëjti burim sqaroi se sipas ekspertëve përjashtohet mundësia që sëmundja të jetë Ebola. “Kjo është një sëmundje që vret brenda 24 orëve”, tha Kayode Akinmade.
Dëshmia në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, De Biazi: Shqipërisë i është bërë një padrejtësi e madhe, nëse realiteti do shihet me paanshmëri fiton tri pikët
Trajneri i Kombëtares Xhani De Biazi ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, në kuadër të betejës ligjore të Shqiërisë për marrjen e tre pikëve të mohuara nga UEFA. Pas dhënies se dëshmisë ai ka reaguar një status në faqen e tij në Facebook. De Biazi ka cituar: “Në orën 11:25 nisa dëshminë time në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lausanë dhe pas rreth 1 ore ku u mora në pyetje, përfundova. Tani presim me durim”.
Zgjedhjet/ Gjinushi, Milo dhe Artur Dojaka në një takim informal, dyshohet për një “pol të ri brenda së majtës”
“Balkanweb” komenton mbi një foto të bërë ditën e dotme ku janë së bashku kryetarët e tre parti të së majtës. Teksa partitë e mëdha po shpejtojnë të përmbyllin koalicionet për zgjedhjet e 21 Qershorit edhe tre aleatë së majtës, Paskal Milo, Skënder Gjinushi dhe Artur Dojaka janë parë sot së bashku, në hotel Tirana në kryeqytet. “Balkanweb” hedh dyshimet se ndoshta kemi të bëjmë me një “pol të ri brenda së majtës”.
Bamir Topi thotë se “jemi lodhur pafundësisht nga konfliktualiteti ekstrem”, I bashkohet të majtës për zgjedhjet lokale
Në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, FRD do t’i bashkohet koalicionit të majtë. Marrëveshja u arrit pas takimit të sotëm midis kreut të FRD-së Bamir Topi dhe atij të PS-së Edi Rama. Pas këtij takimi, Rama u shpreh se “FRD nuk kërkoi ndonjë mbështetje për kandidatura, por shprehu interesin për të patur një marrëveshje për mirëqeverisjen dhe për të qenë në koalicion me ne, për të bashkëpunuar në nivel administrimi lokal. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë qasje.