Arkiv-Lajme të përditësuara
Mbrojtja raketore, Putin sulmon kandidaturën e Romney
Presidenti rus, Vladimir Putin sinjalizoi gjatë një interviste televizive se Rusia është e shqetësuar se mburoja raketore e Shteteve të Bashkuara mund të drejtohet kundër Moskës, në rast se Mitt Romney zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë. Putin sulmoi rivalin e Obamës, Mitt Romney duke e cilësuar kriticizmin e tij ndaj Rusisë, një retorikë të keqpërdorur për fushatë dhe aludoi se presidenca Romney do të thellonte ndarjen që ekziston edhe aktualisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për mburojën raketore në Evropë.
Spanjë, protesta kundër vizitës së Merkel
Mijëra spanjollë kanë dalë në protesta, kundër vizitës së kancelares Merkel në Madrid. Ata fajësojnë Merkel për masat e ashpra të kursimit. Rreth 300 persona me pankarta në duar u mblodhën përpara Parlamentit dhe ambasadës gjermane. Kancelarja ishte në Madrid për takime me kryeministrin, Mariano Rajoy.
Plani i Bankës Qendrore, tregjet aziatikë në rritje
Bursat aziatike me shumë gjasa do të shënojnë rritjen më të madhe në pesë javë, pas planit të ri të Bankës Qendrore për blerjen e bonove për vendet në krizë të eurozonës. Nikkei në Japoni u rrit me 1.8 për qind, Shangai me 2.3, Hang Seng i Hong Kongut me 1.9 dhe Kospi i Koresë me 2.2 për qind.
Një ditë më parë, Mario Draghi, kreu i Bankës Qendrore Evropiane tha se plani fokusohet në blerjen e bonove me afat maturimi 3-vjeçar në ato vende që kanë implementuar masa të ashpra kursimi. Qëllimi është të ulet kostoja e borxhit.
Pedagogët grekë ftohen të emigrojnë në Shqipëri
Me premtimin për akomodim, ushqim, makinë dhe bileta udhëtimi, profesorët grekë ftohen të emigrojnë në Shqipëri, për të dhënë mësim në universitetet shqiptare.
Oferta përfshin sigurimin e udhëtimit, pagën dhe të gjitha shpenzimet për ushqim dhe akomodim. Propozimi parashikon gjithashtu kthimin e profesorëve grekë nga Tirana deri në Kakavijë. Sipas gazetës greke "Kathimerini", "universitetet shqiptare po kërkojnë “trurin” e fqinjëve të tyre grekë".
Kriza, BQE vendos kundër Gjermanisë
Banka Qendrore Europiane do të ndërhyjë duke blerë bonot e shteteve në krizë të Eurozonës. Ky ishte vendimi i marrë nga bordi i këtij institucioni i mbledhur ditën e enjte.
Pas këtij vendimi, kreu i BQE-së doli në një konferencë për mediat duke deklaruar se vendimi nuk e kufizon BQE-në në blerjen e titujve të vendeve në krizë, ndryshe nga ajo çfarë kërkonte e ngulmoi Gjermania.
Përleshje në Athinë, policët përplasen me forcat speciale
Para godinës qëndrore të forcave speciale në Athinë, ruajtësit e rendit janë përleshur me çtu vinte dorësh në protestën më të fundit kundër masave të kursimit që duket se kësaj here ka vendosur në kahe të kundërta dhe kolegë. Oficerët e policisë protestuan jashtë selisë së forcave speciale në Athinë në një përpjekje simbolike për të mos lejuar kolegët e tyre të dalin nga godina. Sindikata e policëve të Athinës është shprehur me zemërim për shkurtimet e paralajmëruara të pagave, të cilat pritet të jenë pjesë e paketës së fundit të masave të shkurtimeve nga qeveria.
Durrës, kopshtet e mbipopulluara
INSTAT: Ja sa u rrit indeksi i çmimeve për muajin Gusht
Indeksi i cmimeve të muajit Gusht shënoi rritje prej 0.4 përqind krahasuar me muajin Korrik të këtij viti. Rritja janë vënë re jo vetëm tek ushqimet, por edhe tek veshjet dhe karburantet.
Kështu bëri të ditur INSTAT në raportin për Indeksin e Çmimeve të Konsumit ku theksoi se në muajin Gusht 2012, arriti 112.4 përqind kundrejt muajit Dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.4 përqind krahasuar me muajin e mëparshëm.
Bruksel, e paligjshme të fyesh dikë në publik
Qeveria në Belgjikë ka nxjerrë një ligj të ri, sipas të cilit është e paligjshme të ofendosh apo fyesh dikë në publik. Nëse dikush do ta injorojë, gjoba me të cilën do të përballet është 250 euro. Vendimi vjen pasi një media transmetoi një dokumentar në të cilin tregohej "ngacmimi e dhuna" me të cilën përballeshin çdo ditë gratë, rrugëve të qytetit. "Çdo ofendim tani do të ndëshkohet, qoftë racist, homofobik apo i çdo lloji",-ka thënë një zyrtar.
FEB: Shqipëria rënie me 11 vende
Ekonomia shqiptare ka rënë me 11 vende në krahasim me një vit më parë sipas vlerësimit të ekspertëve të Forumit Ekonomik Botëror. Indeksi i konkurueshmërisë globale që llogaritet duke marrë të dhënat bazë të ekonomive të 144 vendeve të botës e rendit Shqipërinë në vendin e 89-të, ndërsa një vit më parë ajo renditej në vendin e 78-të.
Nga renditja e vendeve të Ballkanit, Shqipëria paraqitet më mirë se Serbia e Greqia e përfshirë nga kriza, por Bosnja e Moldavia paraqiten me indeks më të mirë të konkurrueshmërisë së ekonomisë së tyre.
