Plani i Bankës Qendrore, tregjet aziatikë në rritje

Bursat aziatike me shumë gjasa do të shënojnë rritjen më të madhe në pesë javë, pas planit të ri të Bankës Qendrore për blerjen e bonove për vendet në krizë të eurozonës. Nikkei në Japoni u rrit me 1.8 për qind, Shangai me 2.3, Hang Seng i Hong Kongut me 1.9 dhe Kospi i Koresë me 2.2 për qind.
Një ditë më parë, Mario Draghi, kreu i Bankës Qendrore Evropiane tha se plani fokusohet në blerjen e bonove me afat maturimi 3-vjeçar në ato vende që kanë implementuar masa të ashpra kursimi. Qëllimi është të ulet kostoja e borxhit.
Menjëherë pas publikimit të planit, bursat në Evropë u rritën, përkatësisht Dax me 2.9 për qind, Cac në Francë me 3 për qind dhe Londra me 2.1 për qind. Draghi zbuloi edhe planin për forcimin e monedhës së përbashkët evropiane, e cila dje shënoi rritje kundrejt dollarit amerikan dhe jenit, 1.263 dollarë dhe 99.63 jen.
Albanian Screen
Add new comment