Arkiv-Lajme
Kritikat e Blushit, gazeta Sot sheh një komplot kundër Ramës në bashkëpunim me të djathtën
Gazeta Sot ka analizuar numrin e sotëm me një frymë të pasur konspirative, kritikat e deputetit socialist Ben Blushi ndaj qeverisjes, duke marrë në shqyrtim të gjithë qëndrimet e tij të kohëve të fundit. “Në kulmin e ofensivës së Sali Berishës ndaj pikës më të fortë të qeverisë “Rama”, Ben Blushi befas ka intensifikuar si asnjëherë më parë, lëvizjet dhe sulmet mediatike kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij”, thotë Sot.
Drew Sullivan tek “Shqip”: Në 2007-ën u krijua Koza Nostra ballkanike
Intervista e paralajmëruar dhe e gjatë e Drew Sullivan-it për emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës është zbardhur sot në të gjitha gazetat kryesore. Sullivan, kryeredaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe emër i njohur i gazetarisë investigative në Amerikë dhe Ballkan, ka vënë theksin tek apatia e gazetarisë shqiptare për këto çështje, dhe mungesa e bashkëpunimit me kolegët e rajonit.
Arratiset nga spitali Sami Lushtaku dhe dy të tjerë. “Grupi i Drenicës” do transferohej në burgun serb
Fillimisht ngjarja është përgënjeshtruar. Por arratisja e disa prej pjesëtarëve të të akuzuarve në Grupin e Drenicës, është e vërtetë, pasi e ka konfirmuar për shtypin e Prishtinës Shemsi Hajrizi, drejtori i Shërbimit Korrektues. Të arratisurit janë kreu lokal i Skënderajt, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari. Ata janë arratisur nga QKU, Qendra Klinike Universitare ku ndodhen për trajtim mjekësor prej shkurtit. Ky akt është kryer pasi ata kishin kundërshtuar transferimin në Burgun serb të Mitrovicës.
Operacioni i mbrëmshëm policor, kapen 100 kg eksploziv C4, në pranga katër persona
Ishte tritol apo eksploziv plastik C4? Ishin pesë apo dhjetë kilogramë? Operacioni i djeshëm policor në Tiranë, për të cilin u dhanë detaje të ndryshme e të ndryshueshme nga mediat, u zbardh nga kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, në një konferencë për shtyp. Sasia e sekuestruar është rreth 100 kg eksploziv C4 (që sërish disa reporterë e barazojnë me tritolin, edhe pse është një lloj tjetër lëndë shpërthyese, më e fuqishme dhe e menaxhueshme), ndërsa 4 persona, pjese e një grupi të strukturuar kriminal janë vënë në pranga.
“Lufta” për Inspektoriatin e Pasurisë, mazhoranca rrëzon Nishanin. Ky i fundit mund t’i drejtohet Kushtetueses
Dekreti i presidentit Nishani që kthente për rishqyrtim ligjin për zgjedhjen e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë nga Parlamenti dhe jo nga Presidenti, është bllokuar nga mazhoranca e majtë. Mes debatesh të forta në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku ashtu siç pritej mazhoranca dhe opozita mbajtën qëndrime të ndryshme, pr/ligji u rivotua me 16 votat pro të shumicës ndërsa opozita braktisi mbledhjen.
Lubonja ndërton një skenar hipotetik: Një grup deputetësh idealistë të bëhen bashkë kundër “bandave” politike
Në shkrimin e sotëm me titull “Harrojeni teorinë e së keqes më të vogël” tek Panorama, Fatos Lubonja hedh një provokim interesant.
Vritet një 18 vjeçar maqedonas, Shkupi gdhihet me trazira. Shqiptarët në shënjestër
Shkupi është përfshirë nga trazirat, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Një 18 vjeçar maqedonas ka mbetur i vdekur gjatë pasdites së djeshme pasi është qëlluar me thikë nga një shqiptar. Por vrasja menjëherë ka marrë ngjyrime nacionaliste duke shkaktuar një revoltë të madhe te banorët e lagjes “Gjorçe Petrov”, të cilët i kanë vënë zjarrin pronave të shqiptarëve, kryesisht dyqaneve. Kim Mehmeti, drejtues i zyrës së TCH në kryeqytetin maqedonas ka bërë të ditur se deri tani policia nuk ka mund të qetësojë situatën, madje kjo duket tejet e vështirë.
Dita Kombëtare e Fëmijëve Jetimë, një grup jetimësh në protestë simbolike. Kuvendi, rezolutë “në mbështetje të tyre”
Sot, Ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetimë, në një aktivitet me këtë rast kryeparlamentari Ilir Meta ka dhënë mbështetjen e tij për këta fëmijë si dhe premtimin se ata nuk janë vetëm, por se kanë në krah mbështetjen e qeverisë. Meta foli për një rezolutë në mbështetje të fëmijëve jetimë, e cila sipas tij ka bashkuar opozitën dhe mazhorancën.
Sërish tronditje sizmike, megjithëse më të lehta. Banesat e dëmtuara në Cërrik, në rrezik
Janë rikthyer për të dytën ditë rresht lëkundjet sizmike. Qytetet kryesore të vendit janë zgjuar përsëri me tronditje këtë mëngjes, megjithëse më të lehta. Lëkundje të lehta tërmeti janë ndjerë rreth orës 06:43 në Tiranë, Elbasan, Berat, Lushnjë, Kuçovë, Fier e Vlorë. Lëkundjet sizmike kanë qenë me magnitudë 4.2 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ka qenë, 46 km në Jug të Tiranës, 25 km në veri të Beratit dhe 14 km në veri të Kuçovës.
Ministri Ahmetaj jep përmasat e distancës sonë ekonomike me BE-në: “I arrijmë pas 25 vitesh, nëse ne rritemi 6% në vit dhe ata 1%!”
I ftuar sot në mbrëmje në emisionin e Ilir Babaramos në A1Report, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ka shpjeguar situatën ekonomike të Shqipërisë; çfarë negocioi Qeveria me FMN-në; cila është e vërteta e kushteve të fondit; a do ketë rritje taksash këtë vit; sa përqind të borxhit ndaj biznesit ka shlyer Qeveria; çfarë lehtësish i ofrohen biznesit; si mund të jetë atraktive, ekonomia shqiptare etj. Por përtej të gjithave, spikat krahasimi që bëri Ahmetaj për nivelin ekonomik të vendit, krahasuar me atë të BE-së. Kësisoj, si mund ta arrijë Shqipëria nivelin e Bashkimit Europian.