Arkiv-Lajme
Nis në Kalabri transferimi i 78 kontenierëve me ngarkesë nga arsenali kimik sirian. 3 kontenierë me gaz mustard dhe 75 me gaz sarin
“ANSA” njofton se sot herët në mëngjes në Gioa Tauro në Kalabri ka nisur transferimi i një ngarkese nga arsenali kimik ushtarak i Bashar Al Assadit nga transportuesja daneze Ark Futura drejt anijes amerikane Cape Ray. Bëhet fjalë për 78 kontenierë që gjenden në bordin e Ark Futura-s, nga të cilët tre të parët që do të lëvizen janë atë që përbajnë gaz mustard, një masë që arrin në 20 tonë. 75 kontenierët e tjerë përmbajnë gaz sarin.
Ja kush e shpëtoi Argjentinën...:)
Argjentina kaloi dje Zvicrën në një ndeshje dramatike, e tillë për rastet e humbura, për faktin se goli i Di Marias u shënua në minutën e 118-të dhe sidomos për rastin e humbur në mënyrë të pabesueshme nga Xhemaili në minutën e fundit. Për të gjitha këto shumëkush mendon se Argjentinën e ndihmoi fati. Dhe me fatin kanë bërë shaka sot në mediat online dhe në internet, duke e kërkuar atë më shumë te shëmbëllimi i Papa Françeskut, që si tifoz i Argjentinës “ka bërë mrekullinë”.
Qeveria ngre komision të posaçëm shtetëror për vizitën e Papës më 21 shtator
Qeveria ka vendosur që të ngrejë një komision të posaçëm shtetëror për organizimin e aktiviteteve dhe të punës së nevojshme për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator. Lajmin e ka bërë sot të ditur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro që është caktuar edhe drejtuese e komisionit. Më tej Kumbaro ka bërë të njohur edhe pjesëtarët e tjerë të komisionit.
2 korriku, një datë për t’u kujtuar...
2 korriku do të mbetet në historinë e Shqipërisë si një datë e rëndësishme. Siç dihet fare mirë, në këtë datë, në vitin 1990 disa mijëra qytetarë mësynë ambasadat e huaja perëndimore në Tiranë për të kërkuar azil dhe për t’u larguar nga Shqipëria. Ishte akti i parë masiv kundërshtues ndaj regjimit dhe aspektit më absurd të tij: rrethimit me një mur hermetik antikomunikimi me botën. Ngjarja asokohe u përcoll nga Televizioni Shqiptar, me pamje që ngajnë si reportazh nga një vajtim kolektiv për një tragjedi të pashembullt.
Shenjtërimi i Aloise Stepinac, presidenti serb dhe kreu i kishës kundërshtojnë dhe i dërgojnë letra Papës
Kisha Ortodokse Serbe është vënë në lëvizje lidhur me kanonzimin e mundshëm të ish-kardianlit kroat Aloise Stepinac. Për këtë arsye kisha serbe i ka dorëzuar një letër sekretarit të Selisë së Shenjtë, Dominique Mamberti që ndodhet në një vizitë në Serbi. Mediat serbe nuk zbardhin letrën, por përcjellin lajmin se shpallja e pritshme si shenjt e Aloise Stepinac nuk pritet mirë. Një letër të ngjashme thuhet se i ka dorëzuar Mambertit edhe presidenti serb Tomislav Nikoliç.
Post-Snowden; këshilltari i Obamës, Podesta: “Duhet bashkëpunim në botën e survejimit”
John Podesta, këshilltar special i presidentit amerikan Barack Obama ka dhënë një intervistë për revistën “Der Spiegel”. Nisur nga ajo që ka ndodhur së fundmi, tema e vetme e intervistës ka qenë mbikëqyrja e NSA-së amerikane dhe zgjidhja e këtij problemi që ka sjellë implikime serioze në marrëdhëniet mes shteteve. Podesta në fakt ka dëshmuar se Washingtoni e ka kapërcyer tanimë fazën e “shokut” nga informacionet e Edward Snowden dhe po kërkon të kodifikojë survejimin dhe mbikëqyrjen në plan global.
Ndryshimet ligjore; përveç protestave, policia do të përdorë armët e zjarrit “ndaj kujtdo që vë në rrezik jetën e çdo shtetasi”
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve projektligjin për përdorimin e armëve të zjarrit dhe atë “Për armët”. Sipas këtyre drafteve e drejta e pajisjes për shkak të detyrës do të bjerë; konkretisht kryetarët e komunave dhe gjyqtarëve nuk do të pajisen më me armë. Ndërkohë një pikë delikate është edhe përdorimi i armëve të zjarrit nga forcat e policisë. Këtu Tahiri raportohet se është ndalur në dy momente: përdorimi i armëve ndaj protestuesve dhe reagimi ndaj subjekteve femra dhe fëmijë, që disponojnë armë dhe paraqesin rrezik.
Rezistenca ndaj antibiotikëve, Cameron paralajmëron. “Rrezikojmë të kthehemi në epokën kur edhe infeksionet e thjeshta vrisnin”
Rezistenca ndaj antibiotikëve duket se ka kaluar fazën e një shqetësimi ngushtësisht shkencor, për t’u adresuar si një çështje e politikave mjekësore. Madje me përparësi të madhe. Kjo të paktën në Britaninë e Madhe, ku për këtë temë është prononcuar edhe kryeministri David Cameron. BBC-ja përcjell një intervistë të tij ku Cameron bën me dije se në rast se nuk do të merren masa, mjekësia rrezikon të kthehet në një epokë të errët.
Gjurmë paragjykimi në një mesazh të kryeministrit? Dikush mendon që po...
Arben Kallamata shkruan sot një opinion te “Mapo” i cili merr shkas nga përshkrimi që kryeministri Edi Rama i bëri në “Tweeter” vrasjes së Artan Santos. “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun tirone, nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit”, shkroi Edi Rama. Teksti në fjalë është konsideruar nga Kallamata si shprehje e mentalitetit racist që përshkron një pjesë të shoqërisë shqiptare.
Me çfarë jetojnë të papunët? Sipas ish-drejtorit të Shërbimit Social, CIA thotë që jetojnë me bixhoz dhe punë informale
Ish-drejtori i Shërbimit Social, Sadedin Çeliku, i ka dhënë sot një intervistë gazetës “Shekulli”. Teksa sqaron gjerë e gjatë arsyet e papunësisë dhe dështimin e politikave për zbutjen e kësaj dukurie, Çeliku vjen në një pikë që meriton vëmendje. “Me çfarë jetojnë të papunët në Shqipëri”, është një nga pyetjet që i drejtohet. Dhe përgjigja: “Sipas raportit të CIA-s, të papunët mbijetojnë me bixhoz dhe me punë informale”. Kështu Çeliku i ka dhënë përgjigje pyetjes duke iu referuar një raporti të CIA-s, ndonëse nuk është shtyrë shumë të sqarojë se çfarë nënkuptojnë këto “punët infromale”.