Post-Snowden; këshilltari i Obamës, Podesta: “Duhet bashkëpunim në botën e survejimit”

John Podesta, këshilltar special i presidentit amerikan Barack Obama ka dhënë një intervistë për revistën “Der Spiegel”. Nisur nga ajo që ka ndodhur së fundmi, tema e vetme e intervistës ka qenë mbikëqyrja e NSA-së amerikane dhe zgjidhja e këtij problemi që ka sjellë implikime serioze në marrëdhëniet mes shteteve. Podesta në fakt ka dëshmuar se Washingtoni e ka kapërcyer tanimë fazën e “shokut” nga informacionet e Edward Snowden dhe po kërkon të kodifikojë survejimin dhe mbikëqyrjen në plan global. Kjo në nivelin politik, pasi teknikisht ende nuk dihet se çfarë kanë prodhuar informacionet e Snowden. Podesta flet për “nevojën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në botën e survejimit”, për të theksuar më tej dy gjëra: Së pari, se pavarësisht asaj që ndodhi, SHBA nuk do të firmosin asnjë marrëveshje për pezullim të aktivitetit të spiunazhit me asnjë vend, përfshirë edhe Britaninë. Dhe së dyti: Kush përgjohet dhe cili është qëllimi? “Ne nuk mbledhim informacione për të shtypur kritikën apo disidentët, për të të disfavorizuar njerëzit bazuar në etninë, rracën, gjininë, orientimin seksual apo fenë, për të siguruar përfitime për kompanitë tona...”, ka thënë Podesta duke shtuar se informacionet lidhen me terrorizmin, sfidën kibernetike, mospërhapjen e armëve etj.. Por, nëse i referohemi të dhënave që zbuloi Snowden për kapacitetin e NSA-së dhe GCHQ-së britanike për mbledhjen e informacionit, mund të rezultojë që bota gëlon nga terroristë dhe maniakë të pakontrolluar. Vetë Podesta ka pranuar se ka një anë të errët të teknologjisë, përderisa ajo siguron bazë të dhënash për struktura të caktuara, duke kërcënuar kështu liritë. Gjithsesi një çështje që kërkon adresimin juridik, por që po vërtetohet se ky plotësim ligjor është paraprirë nga tekonogjia dhe instrumentalizimi i saj për qëllime të mbikëqyrjes.
http://www.spiegel.de/international/germany/interview-with-obama-advisor...
s.z
Add new comment