Arkiv-Lajme
Propozim real i PD-së apo lojë politike për reformën territoriale? Bashkim Fino thotë se ka nevojë për variante konkrete
Një ditë më parë Partia Demokratike bëri një lëvizje të re për reformën territoriale, duke dalë me një propozim të vetin. Vetë ky fakt, u lexua si një opsion për konsensus dhe heqje dorë nga kundërshtimi i pakushtëzuar I mbajtur deri më tani. Por duket se kjo më tepër ka qenë një lojë politike për të rregulluar pjesëmarrjën në diskutimin e reformës, por pa dhënë në thelb një konsensus të vërtetë.
Ministrja Çitaku, 400 mijë euro për bileta udhëtimi
Ministria Integrimit Evropian të Kosovës ka shpenzuar gjatë vtit 2013 rreth 400 mijë euro për biletat e udhëtimeve jashtë vendi. Lajmi i publikuar në gazetën “Express’, i referohet raportit të Auditorit të Përgjithshëm, ku saktësohet se buxheti i parashikuar për këto shpenzime gjatë vitit 2013, ishte 75 mijë e 600 euro. Sipas Auditorit të Përgjithshëm tejkalimi i shpenzimeve ka ardhur si rezultat i vizitave të shpeshta të zyrtarëve të Ministrisë jashtë vendit, pagesave të biletave për personat që nuk ishin pjesë e kësaj ministrie, si dhe shpenzimet e biletave të klasit biznes.
INUK, aksion për heqjen e reklamave pa leje në rrugët kryesore
INUK ka ndërmarrë një aksion për heqjen e reklamave pa leje në disa prej akseve rrugore të vendit. Sipas një njoftimi të INUK heqja e reklamave të vendosura pa leje nga subjekte të ndryshme private është e domosdoshme pasi, është bërë në shumë raste burim për aksidente automobilistike. Aktualisht inspektorët e INUK në bashkëpunim me policinë e rendit janë duke hequr reklamat e vendosura përgjatë rrgës Kashar-Rinas dhe në aksin Plepa-Rrogozhinë. Sipas INUK ky aksion do të vijojë më pas edhe në rrugë të tjera të vendit.
“Kamyja i përafërt”- Kokonozi shkruan në “Mapo” një trajtesë kritike për përkthimin e “I huaji”
Dashnor Kokonozi shkruan sot në gazetën “Mapo” për përkthimin e letërsisë së huaj në gjuhën shqipe. Dhe si shembull për këtë ka zgjedhur veprën “I Huaji” të shkrimtarit Albert Kamy, që Kokonozi thotë se e ka gjetur në Tiranë në dy përkthime: një të “Koha Ditore” me përkthyese Rajmonda Vuçinin dhe tjetri i “Vëllezërit Tafa” me përkthyes Nasi Lerën. Kokonozi e nis kritikën që me frazat e para të romanit, problematike në përkthim edhe në gjuhë të tjera, për shkak se ato përcjellin një raport personazhesh që në frëngjisht jepet mirë përmes pak fjalëve.
Ish-prefekti i Vlorës Besnik Dervishi, propozohet për Komisioner të Mbrojtjes së të Dhënave Personale
Besnik Dervishi, ish-prefekti i Vlorës me ardhjen e qeverisë së pas 23 qershorit 2013, është propozuar për detyrën e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në vend të Flora Çabejit. Ky propozim është bërë dje në mbledhjen e qeverisë. Dervishi ka disa muaj që nuk kryen ndonjë detyrë, që pas largimit nga pozicioni i Prefektit të Vlorës që u bë për disa arsye, kryesisht për shkak të konflikteve me kreun e Bashkisë, Shpëtim Gjika. Dervishi ka qenë deputet dhe ministër në periudhën përpara vitit 2005.
s.z
“Shqiptarja.com” publikon emrin e agjentit të policisë të kërkuar për trafikun e drogës në rastin “Riformato”
“Shqiptarja.com” shkruan sot se është zbardhur prej saj emri i agjentit të policisë që është shpallur në kërkim për çështjen e trafikut të drogës me avion nga plazhi i Divjakës. “Ish-agjenti i SHKB në Gjirokastër dhe ish-agjenti i antidrogës në Fier Marenglen Ymeraj, është njeriu që kërkohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si personi i implikuar në trafikimin e mbi 460 kg lëndë narkotike marjuane. Veç Mariglen Ymeraj, mësohet se në kërkim nga policia është shpallur dhe vëllai i të arrestuarit Kleviol Ahmeti shtetasi Gerti Demçe”, shkruan “Shqiptarja.com”.
Trau në Ksamil? Auron Tare thotë që jo. Sipas tij do të ketë vetëm taksë parkimi në mjedise publike
Auron Tare, që është caktuar si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit ka sqaruar sot në News24 sesi qëndron puna me trarët e kalimit që u tha se u vendosën në Ksamil. Sipas tij, është e vërtetë që komuna ka vendosur të aplikojë taksë, por kjo jo për hyrjen në Ksamil, por për parkimin e makinave në mjedise publike që administrohen nga komuna. Reagimi ndaj taksës erdhi nga banorët që pretendojnë se vendosja e trarëve dhe taksa do të dëmtonte të ardhurat e tyre dhe turizmin.
Sarkozi “merr” pak nga fati i Berluskonit – sulmon një pjesë të gjyqësorit dhe paralajmëron kthimin në politikë
Ish-presidenti francez, Nikola Sarkozi ka deklaruar sot në një intervistë televizive në TF1 se çështja e ngritur ndaj tij ka thjeshte dhe vetëm sfond politik. Sarkozi është shprehur i shokuar, ndonëse ka mbajtur një qëndrim të prerë: “U them të gjithë atyre që po na shohin dhe po nadëgjojnë se unë nuk i kam tradhëtuar kurrë dhe nuk kam kryer kurrë një akt kundër parimeve të Republikës dhe sundimit të ligjit”, tha ai. Sipas tij sistemi gjyqësor po shfrytëzohet për qëllime politike dhe se “çdo gjë po bëhet për ta shkatërruar atë dhe reputacionin e tij”.
Togo njeh Kosovën. Arrin në 107 numri i vendeve që njohin shtetin e ri
Numri i shteteve që njohin Kosovën arrin në 107. “Koha Ditore” njofton se shteti i Togos ka njohur Kosovën shtet dhe për këtë “KD” i është referuar një postimi në Facebook të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj. Po kështu, “Koha Ditore” shkruan se njohjet e Kosovës nga Nigeria dhe nga Mali, e që u deklaruan nga ish-zv.kryeministri Behgjet Pacolli janë të paverifikuara.
http://koha.net/?id=27&l=16395
s.z
Qeveria greke miraton ndërtimin e një xhamie në Athinë
Greqia ka vendosur të hedhë një hap më tej në zbatimin e të drejtës fetare në vend dhe plotësimin e kësaj të fundit me infrastrukturën e nevojshme. Kështu, Këshilli i Shtetit ka vendosur që t’i hapë rrugë ndërtimit të një xhamie në Athinë. Madje shteti do të financojë me 1.1 milionë euro këtë ndërtim, në aspektin e konsulencës teknike. Ndonëse ka patur kundërshtime, përfshirë edhe Mitropolitin Serafim të Pireut, qeveria nuk është ndalur. Madje e ka dhënë lejen e ndërtimit në një territor që i përkiste marinës.