Arkiv-Lajme
Klimë e acaruar brenda faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Kim Mehmeti del me akuza të rënda ndaj BDI-së
Klima politike mes shqiptarëve të Mqedonisë duket se është acaruar shumë. Publicisti Kim Mehmeti ka dalë sot me deklarata shumë të ashpra ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, parti që zhvillon po sot kongresin e vet. Për Mehmeti aktiviteti i BDI-së ka sjellë “dështimin kolektiv të shqiptarëve të Maqedonisë. “BDI-ja sot mban Kongresin e saj të tretë i cili për shumëçka mund të quhet: Kongresi i triumfit të ‘tyre’ dhe i dështimit tonë kolektiv", ka deklaruar Mehmeti.
Qeveria greke do shfrytëzojë pasuritë e sekuestruara përgjatë një shekulli për të lehtësuar peshën e krizës
Qeveria greke do të vërë në shfrytëzim në buxhetin e saj, pasuri të akumuluara nga sekuestrimet përgjatë një shekulli, me vlerë 2 mld euro. Sipas ministrisë greke të Financave, thesari ishte harruar në bodrumet e bankave dhe tashmë do të përdoret për të pëkësuar barrën sociale që po paguan popullsia vendase. Në kasafortat e Bankës Shtetërore, që siguron garancitë e tenderave dhe sendet e sekuestruara prej qeverisë, gjenden sasi të mëdha bizhuterish të sekuestruara, sasi parash kesh, shufra floriri, piktura, vepra arti, si dhe mijëra sende të tjera të çmuara.
Përkujtimi i zbarkimit të Normandisë...
Normandia përgatitet të përkujtojë zbarkimin e aleatëve, ose atë që në histori njihet si hapja e Frontit të Dytë. “Normandi duket në këto ditë si një laborator i memories”, shkruan “Avvenire”, e cila sjell një atmosferë simbolesh që janë vendosur përgjatë 80 km bregdet. Duhet nënvizuar se përkujtimi i kësaj dite në Perëndim ka rëndësi jo të vogël, pasi shenjoi fatin e Europës bashkë me penetrimin e trupave ruse nga Lindja. “Avvenire” citon drejtoreshën franceze të Muzeut në Courseulles-sur-Mer, e cila përcjell mesazhin e rindërtimit të kontributit kanadez në fushatë.
Qarku i Vlorës, kreu i ri hedh poshtë akuzat e PD-së
Kreu i ri i Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj ka reaguar një ditë pasi Partia Demokratike akuzoi se ai është përfshirë në vepra penale në Italia. “Nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vepër penale. Hedh poshtë me indinjatë shpifjet e ulëta të PD-së”, ka deklaruar Danaj, i cili është caktuar në këtë detyrë këto ditë.
s.z
Shqip: Rekomandohet statusi i vendit kandidat, raporti i KE: Veprim dhe vullnet për reformat
Në raportin e përgatitur për vendet anëtare, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka zbatuar dhe ka konsoliduar masat e reformave të integrimit që lidhen me statusin kandidat.
Rekomandimi:
“Bazuar në gjetjet e këtij raporti, Komisioni konfirmon rekomandimin e tij që Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
Mustafa: Nëse humb zgjedhjet, largohem si kryetar i LDK
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur i bindur se forca politike që ai drejton do t’i fitojë zgjedhjet me 8 qershor. Por Mustafa ka paralajmëruar largimin si kryetar I LDK-së nëse partia e tij humb në këto zgjedhje. “Do të largohem nga pozita e kryetarit të partisë nëse i humb zgjedhjet”, tha Mustafa. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka folur edhe për ekzistencën e organizatës ilegale SHIK dhe asimilimit të saj me qeverisjen e LDK-së. Ssipas tij ardhjen e partisë në pushtet emri i një organizate të tillë nuk do të dëgjohet më.
Nga Irinej vëmendja kalon te Janullatos. Xhufi: "U konfirmua kapja e kishës sonë nga kisha nacionaliste greke”
Gazeta “Shqip” ka sot në faqe të parë dy tituj për çështjen e shenjtërimit të katedrales ortodokse të Tiranës. Një është intervista me historianin Pëllumb Xhufi, i cili ka trajtuar sidomos çështjen “Irinej”. Dhe duke folur për deklaratat e patriarkut serb për Kosovën, Xhufi ka dalë me një qëndrim disi të papërtypshëm lehtë kur thotë se: “Të them të drejtën e kam të vështirë të bëj dallim mes patriarkut Irinej dhe kryepeshkopit tonë Janullatos”.
“Ndihem italian”. Mungon vetëm pasaporta...
“Shqiptari i Italisë” sjell një histori interesante të një djali të vogël, 12-vjeçar, me origjinë shqiptare e që ka lindur dhe banon në Treviso. “Rritet me byrek e qumësht e bën tifozllëk me Juventusin”, shkruan “SHI” për Klaudio Curumin. Deri këtu, ndonëse ka lindur në Itali, nuk shihet ndonjë ndryshim i madh me shqiptarët “origjinalë”, që edhe byrek hanë, por edhe tifozllëkut me Juven nuk i lënë kusur.
“Dua të shkatërroj BE-në, jo Europën. Nuk e dua këtë Bashkimin Sovjetik Europian”
Marine Le Pen, drejtuesja e Frontit Nacional në Francë ka dhënë një intervistë për “Der Spiegel” ku shpjegon në mënyrë të drejtpërdrejtë pikëpamjet e saj, por edhe synimet politike. Në raport me Francën, FN ka si qëllim që “francezët të rimarrin në kontroll vendin dhe ekonominë e tyre”. Në raport me Europën objektivi është edhe më strategjik. “Unë dua të shkatërroj BE-në, jo Europën. Unë besoj në Europën e kombeve-shtete. Unë besoj në Airbus dhe Ariane, në një Europë të bazuar mbi bashkëpunimin. Por unë nuk e dua këtë Bashkimin Sovjetik Europian”, ka thënë ajo.
Në besë të Fules. Të larguarit nga administrata ndërpresin grevën e urisë
“Ne e ndoqëm me vëmendje axhendën e komisionerit Fule për shqetësimin tonë dhe duke besuar në fjalën e tij se do të na ndjekin me vëmendje, por edhe duke parë gjendjen shëndetësore të grevistëve në vendosëm ndërprerjen e grevës, si forma më ekstreme e protestës duke deklaruar se do të vazhdojmë përpjekjet tona për realizimin e 5 kërkesave tona”. Kështu u shpreh sot Nertila Qafzezi, kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Administrata, e cila ka lexuar edhe epilogun e grevës.