Arkiv-Lajme
“Panorama”, babai i Stresit, Sali Lusha: Arrestimi i tim biri për hakmarrje. Bëri këngë kundër Edi Ramës
Babai i Arkimed Lushës, i vetëquajtur ndryshe Stresi, Sali Lusha, ka folur për gazetën Panorama lidhur me arrestimin e të birit dhe arratisjen e tij. Sipas Lushës, arrestimi ishte i inskenuar pasi i biri nuk ishte aspak në timon të makinës. “Nuk them që e ka porositur kryeministri Rama arrestimin e Stresit. Këtë e kanë bërë servilët që duan të bëjnë përshtypje me veprimet e tyre te kryeministri. Nuk besoj t’i hyjë në punë kryeministrit pse një këngëtar i muzikës rep bëri këngë kundër tij”, ka thënë Sali Lusha. Ai shtoi se djali i tij u arratis nga padrejtësia që iu bë dhe jo nga frika.
Rinisin reshjet. Meteorologët paralajmërojnë stuhi shiu dhe dëbore në zonat e përmbytura
“Balkanweb” raporton situatën kritike të zonave të përmbytura në jug të vendit. Ndërkohë meteorologët paralajmërojnë se stuhitë e shirave dhe dëborës do të nisin furishëm edhe në veri të vendit. Reshjet kanë rinisur edhe gjatë ditës së sotme. Korrespondentët e “Balkanweb” njoftojnë se në Gjirokastër dhe disa komuna të saj ka probleme të mungesës së energjisë elektrike. Nga ujërat janë bllokuar disa komuna. Situata mbetet kritike në Berat dhe Tepelenë e komunat e tyre. Ende nën ujë janë mijëra ha tokë dhe se në total janë evakuuar 420 familje.
Letra e 15 ish-faturistëve për LLallën, Ramën e Nishanin: Faturat afrofe janë prodhuar nga sektorët që i drejtonin eprorët tanë
Një hetim i filluar 4 vjet më parë për prodhimin e faturave afrofe nga kompania “Cez Shpërndarje”, dhe që në vitin 2013 u konkludua me arrestimin e 15 ish-faturistëve të kësaj kompanie, të cilët nuk janë njohur ende me vendimin e gjykatës për shkak të zvarritjes së seancave gjyqësore duket se ka nxjerrë në dritë një skandal që lidhet me mënyrën si operonte CEZ Shpërndarje në faturimin që u bënte abonentëve.
Dy palë edhe për përmbytjet/Të dhëna të ndryshme për dëmet dhe për ndihmën e dhënë. Nuk mungojnë edhe ironitë
“Kur do dalë dielli”, pyeti gazetari Fevziu një meteorologe në studion e emisionit të tij: “Në verë”, ishte përgjigja. Është shpresa e mbetur ndoshta për të shpëtuar nga kjo që po ndodh. Kjo edhe pse po flitet intensivisht për përmbytjen që ka përlarë një pjesë të Jugut të Shqipërisë, për motin e tërbuar, për lumenj që po shkallmojnë argjinatura dhe që sillen kështu vetëm pas 40 e ca kusur vjetësh. Në fakt është folur edhe për “krenarinë për reagimin ndaj situatës”, krenari e cila është privilegj i shumë shumë pak njerëzve po të shohësh pamjet që përcillen thuajse çdo orë.
Autobuzat, eksodi i ri i Kosovës: Mbi 5200 nxënës mungojnë nga bankat e shkollës, thotë këshilltari për Arsimin
Kosova po përjeton një eksod që vetëm kohët e fundit po veçohet si problem i madh për vendin. Pamjeve të një qytetari kosovar që u bën thirrje udhëtarëve të autobuzave drejt Europës, të mos largohen, e madje akuzon pronarët e kompanive të udhëtimit se po nxisin largimin, u shtohet një detaj konkret: Azem Guri, këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit ka deklaruar për Indeksonline se numri i nxënësve që kanë lënë bankat shkollore për t’u nisur drejt vendeve të perëndimit gjatë muajve të fundit është bërë shumë shqetësues.
Litvinenko shkruante para se ta helmonin se Putin ishte pedofil
Deklaratat e bashkëshortes së Aleksandër Litvinenkos kanë ngritur të tjera hije dyshimi mbi presidenti rus Vladimir Putin. Bazuar në dorëshkrimet e ish-agjentit rus që u helmua me polonium nga shërbimet ruse të inteligjencës, Putin ishte pedofil. Këto informacione janë bërë publike nga Marina Litvinenko, bashkëshortja e Aleksandër Litvinenkos, në një dëshmi të dhënë para një gjykate britanike në kuadër të hetimeve për vdekjen e bashkëshortit të saj.
Moggi e Moratti komentojnë takimin e tyre të djeshëm; dhe shndërrohen sa kaq në ata që ishin, armiq për vdekje
Dje në Milano zhvillohej një seancë gjyqësore, në të cilën shqyrtohet padia që i kanë ngritur ish drejtorit të Juves, Luciano Moggi për fyerjen që ky i fundit i ka bërë në një rast Giacinto Facchetti-t, ish drejtues i Interit që nuk jeton më. Aty mbërriti për të dëshmuar dhe ish Presidenti i Interit, Massimo Moratti, dhe në sy të të gjithëve ndodhi një gjë gati e pabesueshme. Që të dy, Moggi e Moratti, armiq proverbialë të sho-shoqit, që këtë armiqësi e kanë vaditur edhe me pasionin e animozitetin futbollistik të tifozëve të njërës skuadër apo tjetrës, u takuan.
Dështojnë negociatat e shkëmbimit, ISIS djeg të gjallë pilotin jordanez, pamje shokuese
Edhe pse zëdhënësi i qeverisë jordaneze dje tha se, ishin duke bërë gjithçka për të siguruar lirimin e pilotit Maatsi al Kassasbeh, terroristët e ISIS kanë vendosur ta djegin të gjallë. Kassasbeh ishte kapur pasi avioni luftarak F-16 u rrëzua në territorin e kontrolluar nga militantët në Siri, në muajin dhjetor.
Tsipras merr dhuratë një kravatë nga Renzi. Premton se do e veshë kur të zgjidhet çështja e borxhit
Pas konferencës së përbashkët për shtyp në Romë, kryeministrat Renzi e Tsipras u çliruan nga formalitetet zyrtare dhe shkëmbyen dhurata me njëri-tjetrin. Kreu i qeverisë italiane me jo pak humor i dhuroi homologut grek një kravatë me stemën e presidencës italiane të Bashkimit Evropian. Pas këtij gjesti nuk munguan batutat. Kryeministri Tsipras pasi falenderoi Renzin për këtë dhuratë premtoi se do ta vishte kur të Greqia dhe Bashkimi Evropian të gjenin një zgjidhje të përbashkët për punën e borxhit grek.
Mustafa largon ministrin Jabllanoviç. Lista Srpska proteston dhe kërcënon me largim nga koalicioni
Është shkarkuar më në fund një prej “sebepeve” të protestave të Vetëvendosjes, ministrit Jabllanoviç. Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, sipas të cilit Jabllanoviç nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar. Ai nuk ka bërë me dije nëse e ka shkarkuar apo ka dhënë dorëheqje, dhe nuk ka pranuar pyetje nga gazetarët. Nga ana e saj, Lista Srpska ka kërcënuar me largimin nga Qeveria pas shkarkimit të Aleksandar Jabllanoviçit, por duket më tepër një reagim i sforcuar.
a.k