Rinisin reshjet. Meteorologët paralajmërojnë stuhi shiu dhe dëbore në zonat e përmbytura

“Balkanweb” raporton situatën kritike të zonave të përmbytura në jug të vendit. Ndërkohë meteorologët paralajmërojnë se stuhitë e shirave dhe dëborës do të nisin furishëm edhe në veri të vendit. Reshjet kanë rinisur edhe gjatë ditës së sotme. Korrespondentët e “Balkanweb” njoftojnë se në Gjirokastër dhe disa komuna të saj ka probleme të mungesës së energjisë elektrike. Nga ujërat janë bllokuar disa komuna. Situata mbetet kritike në Berat dhe Tepelenë e komunat e tyre. Ende nën ujë janë mijëra ha tokë dhe se në total janë evakuuar 420 familje. Mësohet se në zonat e përmbytura ka nisur shpërndarja e pakove me ushqimeve. 250 pako me ushqimet më të domosdoshme janë shpërndarë në Novoselë të Vlorës, ndërsa 250 të tjera do të shpërndahen në Levan të Fierit. Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka përgatitur edhe 80 pako të tjera me ushqime, që do të dërgohen në Urën Vajgurore. Sipas burimeve nga Prefektura e Vlorës dhe e Fierit, një pjesë e banorëve të prekur nga përmbytjet janë rikthyer në banesat e tyre. Nga ana tjetër, meteorologët kanë paralajmëruar se sot do të ketë stuhi shirash, ndaj u kanë bërë thirrje banorëve të zonave problematike që të mos kthehen në banesat e tyre.
l.v
http://www.balkanweb.com/site/meteorologet-te-evakuuarve-mos-u-riktheni-sot-stuhi-shiu/
Add new comment