Dy palë edhe për përmbytjet/Të dhëna të ndryshme për dëmet dhe për ndihmën e dhënë. Nuk mungojnë edhe ironitë

“Kur do dalë dielli”, pyeti gazetari Fevziu një meteorologe në studion e emisionit të tij: “Në verë”, ishte përgjigja. Është shpresa e mbetur ndoshta për të shpëtuar nga kjo që po ndodh. Kjo edhe pse po flitet intensivisht për përmbytjen që ka përlarë një pjesë të Jugut të Shqipërisë, për motin e tërbuar, për lumenj që po shkallmojnë argjinatura dhe që sillen kështu vetëm pas 40 e ca kusur vjetësh. Në fakt është folur edhe për “krenarinë për reagimin ndaj situatës”, krenari e cila është privilegj i shumë shumë pak njerëzve po të shohësh pamjet që përcillen thuajse çdo orë. Diskutimi është sjellë edhe në nevojën për të rishikuar sjelljen ndaj natyrës, që siç tha ministri i Bujqësisë në “Studio e Hapur” në “News24” duhet të shihet si prioritet kombëtar. Sipas Panaritit është e nevojshme zhvendosja e njerëzve që kanë ndërtuar në toka bujqësore, betonizim i të cilave po sjell këtë hakmarrje të natyrës. Mirëpo nuk mungon edhe debati më i ngushtë, ai që lidhet me reagimin e shtetit. Në “Opinion” prefektja e Vlorës Etiona Hoxha ka folur për 2000 ha tokë të përmbytur, ndërkohë që korrespondentja e Tv Klan ka deklaruar se janë 5000 ha. Përballja në studio ka zbuluar raportimin e dy pamjeve të të njëjtit realitet: përfaqësues të qeverisë që deklarojnë se është bërë maksimumi dhe përfaqësues të medias apo opozitës se kjo nuk është e vërtetë. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka deklaruar në “Studio e Hapur” se “janë 230 pako për 2500 banorë”. Deputeti socialist Alfred Peza ka raportuar tjetër shifër: “Ka pako për çdo banor”. Apo edhe disa grimca nga aneksi i politikës së shqetësuar për përmbytjet: “U tallët me dy gishtat e shkodranëve”, tha Vokshi, ndërkohë që edhe kjo ka një replikë nga Alfred Peza: “Ju e quajtët Shkodrën Venecia”. Ndërkohë që debati është edhe më absurd kur nuk pranohet as edhe e vërteta për buxhetin: Vokshi u shpreh se janë shkurtuar fondet për argjinaturat. Ministri replikoi se për kullimet është një fond 80% më i lartë. Dëmshpërblimet? “Janë 18 mln$ për të përmbyturit në Shkodër që i njihet si borxh nga shteti, por ende nuk janë disbursuar”, tha gazetari Erli Murati, një përgjigje që krijon idenë se çfarë do ndodhë me premtimin e ri të kryeministrit të radhës.
s.z
Add new comment