Moggi e Moratti komentojnë takimin e tyre të djeshëm; dhe shndërrohen sa kaq në ata që ishin, armiq për vdekje

Dje në Milano zhvillohej një seancë gjyqësore, në të cilën shqyrtohet padia që i kanë ngritur ish drejtorit të Juves, Luciano Moggi për fyerjen që ky i fundit i ka bërë në një rast Giacinto Facchetti-t, ish drejtues i Interit që nuk jeton më. Aty mbërriti për të dëshmuar dhe ish Presidenti i Interit, Massimo Moratti, dhe në sy të të gjithëve ndodhi një gjë gati e pabesueshme. Që të dy, Moggi e Moratti, armiq proverbialë të sho-shoqit, që këtë armiqësi e kanë vaditur edhe me pasionin e animozitetin futbollistik të tifozëve të njërës skuadër apo tjetrës, u takuan. I dhanë dorën njëri-tjetrit, dhe shkëmbyen ndonjë batutë për pak minuta, me një pamje të shtendosur. Mediat italiane rendën pas teprimeve, duke e krahasuar këtë ngjarje me takime të presidentëve amerikanë me diktarorë sovjetikë apo kinezë gjatë Luftës së Ftohtë.
Sot, i gjendur nën presionin e pyetjeve të vazhdueshme të tifozëve të Juves, Luciano Moggi ka shkruar në Twitter: "Shkëmbyem duart, por menjëherë më pas unë i kam larë mirë e mirë të miat". Ka filluar "lufta" në web, mes juventinëve e interistëve, rreth kësaj fraze. Kur ia thanë Moratti-t, përgjigjja e tij ishte: "Jooo, nuk ka mundësi të jetë shprehur kështu". "E ka shkruar në Twitter", e informuan gazetarët. Dhe ai ia bëri: "Nëse është kështu, atëherë mund t'ju them se është më i lig nga sa e kam menduar".
Luciano Moggi pritet të vizitojë Tiranën më 9 shkurt. Do të marrë pjesë në përurimin e librit të tij "Topi është i imi", i botuar nga Shtëpia Botuese "Saras".
Re.Pu.
Add new comment