Arkiv-Lajme
Olldashi, haptaz i pakënaqur: Proces i deformuar!
Sokol Olldashi doli para mediave vetëm dhjetë minuta pas rivalit fitues në PD, Lulzim Basha. Ai shprehu hapur pakënaqësinë për procesin zgjedhor në parti, ku shumë votues nuk ishin anëtarë partie dhe shumë anëtarë nuk figuronin në lista. “Shpresoj që paskëtaj, ata që votuan edhe të anëtarësohen”, bëri ironi Olldashi. Rezervat e tij ishin të theksuara për “një proces të deformuar” dhe për “energjitë e harxhuara më kot” në këtë deformim, duke lënë të kuptohet se Basha gjithsesi mund të kishte fituar edhe pa këto marifete.
Haradinaj i afrohet ca më shumë opcionit të aleancës me LDK-në
Përpara disa ditësh, në një intervistë për shtypin, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj e ka konsideruar të mundshëm një koalicion me LDK-në (në të njëjtën intervistë ai pothuaj e ka përjashtuar një koalicion me PDK-në), dhe sot ai i është afruar më shumë këtij opcioni.
Basha mban fjalimin e fitores dhe pengohet
Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbajti para pak çastesh fjalimin e parë në detyrën e re. Basha nuk harroi të falenderojë kandidatin rival Sokol Olldashi, i cili pritet të dalë gjithashtu përpara mediave. Në një fjalë të shkurtër dhe me fraza të dëgjuara shpesh gjatë fushatës në PD, Basha ftoi të gjithë demokratët të punojnë për fillimin e ri, deklaroi mbështetjen në vlerat historike të PD-së (ku përveç Berishës, është përmendur dhe Azem Hajdari) dhe premtoi një opozitë të fortë, “ballore”, kundër mazhorancës së majtë.
Meta takon Ramën në selinë e PS-së dhe thotë se ishte "një bisedë verore"
Ky ishte takimi i dytë brenda pak ditësh mes kryesocialistit Edi Rama dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta dhe zgjati rreth 30 min, por ende dy liderët e së majtës nuk kanë zbuluar temën e bisedës së tyre apo se sa kohë do të duhet për të mësuar emrat e qeverisë së re. Në deklarimin për median, Meta tha se takimi me Ramën ishte një bisedë verore, pa përmendur asgjë më shumë. Megjithatë, ai bëri një koment të shkurtër lidhur me atë çfarë po ndodh në KQZ. Meta tha se LSI kërkon transparencë në përputhje me ligjin për sa i përket rinumërimit të votave.
Ndërtimet në bregdet do të kalojnë në sitën e ligjit, thotë Artan Lame, dhe e krahason me Lanën e viteve 2000
Batërdia e ndërtimeve në zonat e bregdetit kërkon një imponim të fortë të ligjit, ndonëse jo gjithçka është për t’u hedhur në tokë. Në një intervistë për revistën Java, eksperti i trashëgimisë kulturore dhe menaxhimit të territorit, Artan Lame, thotë se 35 deri në 50 mijë ndërtimet pa leje në 400 kilometrat e bregdetit shqiptar duhen kaluar në sitën e ligjit dhe duhen peshuar drejt për dëmin që kanë shkaktuar.
Berisha uron të përzgjedhurin e tij për fitoren; por a mund të përçahet PD-ja?
I përzgjedhuri i tij fitoi, ashtu siç Berisha e kishte parashikuar që në ditën kur dha dorëheqjen nga Partia Demokratike, e ndoshta kohë më parë, kur e përgatiste beniaminin Basha që t’i zinte vendin një ditë. Pas fitores së thellë që Basha realizoi ndaj Olldashit në zgjedhjet e brendshme të PD-së, me mbi 80 për qind të votave, kryeministri Sali Berisha ka postuar një mesazh urimi në Facebook: “Të dashur miq, ju ftoj të urojmë të gjithë së bashku suksese më të mëdha kryetarit të ri të PD, z.Lulzim Basha, i cili u zgjodh dje me një mbështetje plebishitare nga anëtarësia e PD.
Olldashi është shumë i pakënaqur, por Dita thotë se “ka për ta lënë me kaq këtë punë”
U kuptua që mbrëmë se Sokol Olldashi kish pakënaqësi të mëdha lidhur me mënyrën e votimit, ndoshta dhe me mënyrën se si u zhvillua gara. Ai votoi vonë, dhe pasi hodhi votën është cituar të ketë thënë se “u uron suksese kandidatëve rivalë” (vini re: rivalëve), se “numri i fletës së tij të votimit ishte 040213”, dhe se “i vjen keq për mijra demokratë që nuk mundën të votonin për shkak të problemeve në lista”.
S’ka para në buxhet, qeveria bën shkurtime. Ndërpriten edhe investimet për shkollat dhe rrugët
Agjencia e Prokurimit Publik njofton anulimin e një sërë tenderash për shkak të situatës së vështirë në financat publike si dhe e detyruar nga një vendim i qeverisë që kufizon blerjet e shërbimeve nga ana e institucioneve dhe çdo lloj shpenzimi tjetër. Gazeta Panorama shkruan sot se gjendja jo e mirë financiare e ka shtyrë qeverinë që të bëjë shkurtime të dhimbshme në buxhet dhe sektorët e parë që e kanë pësuar nga ky vendim janë rrugët dhe rikonstruksioni i shkollave.
Genc Pollo konfirmon fitoren e Bashës duke e uruar në Facebook
Nuk është ndonjë gjë e re, sepse pritej dhe ishte konfirmuar nga burime i komisionit të numërimit të votave, se Lulzim Basha është Kryetari i ri i Partisë Demokratike. Por, ai që e ka uruar i pari kryebashkiakun e Tiranës për fitoren e zgjedhjeve, ka qenë Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo: “Urime Lul Bashës, kryetar i porsazgjedhur i Partisë Demokratike. Fat të mbarë dhe sukses të shpejtë”, shkruan ai në Facebook.
Basha fiton thellë ndaj Olldashit
Burime nga komisioni i numërimit të votave për kryetar të PD-së na njoftuan se ka përfunduar numërimi i mbi 41 mijë votave të anëtarëve demokratë. Nga rezultatet paraprake del se Basha ka fituar thellë ndaj Olldashit në garën për kreun e PD-së pothuaj në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Madje Olldashi nuk ka mundur të fitojë as në Fier dhe Lushnje, rrethe të cilat ai i ka mbuluar elektoralisht në 8 vjetët e fundit. Humbje të thellë Olldashi ka pësuar edhe në Korçë, ku ka patur ndikim të fortë kolegu i tij Bode.