Arkiv-Lajme të përditësuara
Venezuelë, Chavez fiton sërish
Hugo Chavez ka fituar mandatin e katërt si president i Venezuelës pasi mori 54% të votave në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara ditën e dielë, ku votoi 81% e popullsisë.
Sipas BBC, shumë mbështetës të Chavez pushtuan rrugët e kryeqytetit Karakas pas zyrtarizimit të rezultatit. Kandidati tjetër Enrique Capriles mori 44.97% të votave.
Argjentinë, protesta të mëdha kundër uljes së pagave
Protestat për pagat në Argjentinë kërcënojnë të zvarriten, pasi mijëra oficerë të policisë ushtarake dhe oficerëve të rojes bregdetare u mblodhën të mbarë vendin për ditën e tretë të protestave, duke kërkuar që mos u reduktohen pagat. Në kryeqytetin Buenos Aires, ushtarakët argjentinas dolën në rrugë, duke protestuar shkurtimet që arrijnë në 40-60 për qind. Kjo ishte hera e parë në historinë e vendit që forcat e armatosura dhe policia kanë protestuar mbi pagat.
Konsumi i ilaçeve, shqiptarët i kanë kthyer në fetish
Shqiptarët janë mbretër në konsumimin e ilaçeve aq sa i kanë kthyer në idhuj ato. Ky është opinioni i Drejtorit të Qëndrës kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore, Isuf Kalo, i cili e quan popullin shqiptar të fetishizuar kundrejt medikamenteve. "Ata,-shton ai,-nuk mendojnë se ka dhe zgjidhje te tjera për t'u shëruar apo mbajtur nën kontroll sëmundjet dhe i kanë kthyer farmacitë në dyqane."
Cameron kërcënon BE-në me veto
Ne prag te konferences vjetore te konservatoreve ne Birmingam, kryeministri i Britanisë, David Cameron tha se ai eshte i pergatitur të pengojë bisedimet e muajit të ardhshëm për buxhetin, nëse udhëheqësit europianë refuzojnë të shkurtojnë shpenzimet.
“Nëse do duhet thënë “Jo” ndaj një marreveshje, e cila nuk është e drejtë për Britaninë, une do të them Jo””, tha kryeministri në një intervistë për gazetën “The Sunday Telegraph” të Londrës.
Parada LBGT në Serbi, mbështetje nga aktivistë shqiptarë
Komuniteti gay në Serbi organizoi paradën virtuale brenda katër mureve pasi qeveria ndaloi organizimin e saj në rrugë.
Fakti që disa eurodeputetë dhe vende perëndimore i thanë Serbisë se mbajtja e paradës ishte e rëndësishme për integrimin nuk ndikoi tek qeveria konservatore që t’i thoshte po paradës për të drejtat e komunitetit homoseksual.
Kjo është hera e tretë që nuk ndodh parada, ndërsa në vitin 2010 ajo u kthye në një arenë luftimesh në mes të grupeve neonaziste dhe policisë.
Braktisin shkollën për të punuar, shkak varfëria
Braktisja e shkollës në qarkun e Lezhës është një shqetësim në rritje për drejtorinë arsimore. Për drejtuesin e saj, faktori kryesor është varfëria e madhe në këtë qark që nuk lejon prindërit të pajisin me mjetet e duhura fëmijët e tyre dhe në rastin më të keq, t'i nxjerrin ata në punë, por edhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e arsimimit është një tjetër faktor që sjell rritjen e numrit të fëmijëve që braktisin shkollat.
"Jetojnë me pensionet e prindërve". Të rinjtë e Kukësit, të papunë
Papunësia në qytetin e Kuksit ka bërë që pjesa dërmuese e familjeve të jetojnë vetëm me pensionet e prindërve, ndërsa më shumë se 12 mijë të tjerë me ndihmë ekonomike që nuk kalon 25 mijë lekë te vjetra në muaj. Në kushtet kur familjet janë zgjeruar, sërish prindërit mbeten shtylla kryesore e të ardhurave.
Por ata rrëfejnë se pensioni nuk u mjafton as për ushqim e as për ilaçe, pasi rimbursimi i tyre është shumë i ulët. Duke qenë se mbështetja kryesore dhe e sigurtë në familjet e varfra mbeten pensionet, të moshuarit kërkojnë rishikimin e masës së tyre.
Virusi vjen nga Greqia e Italia, 7 raste të malaries në Shqipëri
Edhe pse mendohej se ishte zhdukur që në vitin 1970, mushkonja Anofelis që transmeton këto infeksione tek njeriu nëpërmjet pickimit është prezente në territorin shqiptar, kryesisht në zonat kënetore. Në Shqipëri ekziston rreziku i rikthimit të sëmundjes së malaries. Mjekët infeksionistë thonë se rreziku vjen nga vendet fqinje, pasi Shqipëria është parë si një vendi i pastër nga malaria. Kjo u bë e ditur në konferencën rajonale “Infeksionet nga pickimet dhe kafshimetrikthimi i malaries në Shqipëri”.
SHBA, rekord financimesh për Obamën
Një shumë rekord prej 181 milionë dollarësh u grumbullua nga Presidenti Barack Obama për fushatën e tij gjatë shtatorit.
”Ky është muaji më i mirë që prej fillimit të fushatës”, konfirmoi manaxheri i përgjithshëm i ekipit zgjedhor të Obamës, Jim Messina.
Ende nuk janë publikuar të dhënat për financimet që arriti të grumbullonte republikani Romney gjatë shtatorit.
Pasi Romney udhëhoqi në fondet e grumbulluara më parë gjatë vitit, Obama e kaloi në gusht dhe supozohet se gjithashtu në shtator u arrit një avantazh i konsiderueshëm.
Tension në Athinë, qeveria ka para vetëm një muaj
Arka e shtetit do të jetë bosh në fund të muajit nëntor, nëse paratë e Bankës Qendrore Evropiane nuk do të lëvrohen. Alarmi është dhënë nga Kryeministri grek Antonis Samaras para se të fillonte mbledhjen e shumëpritur të Trojkës në Athinë. Në thelb të negociatave me qeverinë greke, për dhënien e një kredie të re prej 31 miliard euro janë shkurtimet e mëtejshme të buxhetit për periudhën kohore 2013-2014.
