Drejt Europës vetëm si kope votimi e këtyre

Postuar në 09 Korrik, 2020 20:10

Siç mund të pritej opozita aksidentale parlamentare është çarë. Deputetë të saj kanë pranuar të votojnë reformën zgjedhore sipas marrëveshjes PS-PD-LSI. Nëse do të pyesë kush cilët janë këta deputetë, do të mendonim se kemi të bëjmë me ndonjë kuriozitet të dikujt që po zgjidh fjalëkryqet e Kadri Vokopolës në ndonjë lokal. 

Sot, anonimët që formalisht përfaqësojnë Popullin vendosën për fatin politik të Shqipërisë. Që është i njëjti me atë të 30 viteve të fundit e që i thjeshtuar në pak fjalë do të përmblidhej: rrotullohu nga të duash, pushtetin e merr PS, PD, LSI. Tani edhe më keq: voto si të duash, pushteti do mbetet te këta. 

Çfarë parashikon marrëveshja PS-PD-LSI? Asgjë të mirë për ne, gjithçka për Ata. Teknikisht këto marrëveshje nuk kanë ndonjë rëndësi publike në kuptimin se ato kanë vetëm ndikim negativ. 

E keqja më e madhe na vjen tanimë nga ajo që mund të quhet strategjia e status quosë. Perëndimi e do dhe e sponsorizon tanimë këtë lloj kulture. Një prej drejtuesve të partisë së kancelares gjermane, Merkel, Johann Wadephul ia kalon edhe Byrosë Politike të fundit të 1989-ës kur shkruan se: 

Shpreh keqardhjen që marrëveshja e 5 qershorit nuk është kodifikuar akoma. Aprovimi me konsensusin e partive politike i reformës zgjedhore, pa asnjë ndryshim, si dhe zbatimi i saj është kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Nxis të gjitha palët, e në veçanti deputetët, ta finalizojnë këtë kriter të rëndësishëm. Forca Shqipëri!

D.m.th ky zotëri na kujton kushtet e BE-së për vendin tonë mes të cilave është edhe reforma zgjedhore – dhe deri këtu ka të drejtë – pastaj shtrihet më tutje kur shpall si kusht pazarin PS-PD-LSI. Madje ai as duhet të ndryshojë më. Nuk është e qartë nga buron kjo me nevojë për të dëmtuar me çdo kusht mirëkuptimin ndaj kërkesave të Europës ndaj nesh me qëndrime si këto apo at otë mbylljes së kufirit, por edhe në qofshin këto për arsye strategjike, nga ato që ne nuk na i rrok mendja, e sigurtë është se neve në Europë na kërkojnë si kope, jo si njerëz që mendojnë me kokën e vet.

Sigurisht që fajin për këtë e kemi kryesisht vetë sepse dinjitetin s’ta jep kush, por kjo fytyrë e Perëndimit që ka rekrutuar në këtë vend shpirtin e hajdutëve dhe budallenj e si spektatorë dhe çirakë, nuk do ketë ndonjë produkt afatgjatë.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.