A don ti Edi ta luftosh Korrupsionin?

Postuar në 25 Prill, 2024 17:06
Skerdilajd Zaimi

 

Në një intervistë – reagim të vetin mbi materialin e RAI3, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ajo që ndodhi, ishte një sulm ndaj Shqipërisë. Edhe pse televizioni italian në të vërtetë ngrinte akuza direkt vetëm mbi një emër kryesisht – atë të Engjëll Agaçit, zoti Rama e interpretoi këtë si sulm ndaj imazhit të Shqipërisë. Në një vend të vogël konsumohet përherë paradoksi që gjërat të keqkuptohen, kur matematikisht duhet të ishin të qarta. Ta zëmë ne mund të keqkuptojmë çdo lidhje farefisnie si akt nepotizmi në një institucion, kur në të vërtetë rastësia mund të luajë rolin e vet. Mirëpo në çdo rast, përvoja na mëson se gjërat që dalin në sipërfaqe prej nga diku nisin. Zoti Agaçi, përtej akuzave që u bënë, nuk është Engjëll. Ai të tillë ka vetëm emrin dhe ne jetojmë në një vend që disa gjëra dalin në sipërfaqe shpejt.

Siç mund ta kuptojmë, në të vërtetë z. Rama reagoi sepse mbrojti veten dhe kontestoi një situatë të sikletshme për kryeministren Meloni në Itali së cilës sot po i vihet në dukje se ka mbyllur një marrëveshje përmes një ndërmjetësi të dyshimtë. Por edhe kjo nuk ka shumë rëndësi për atë që mëton të thotë z. Rama. Sepse nëse ky ishte një sulm ndaj Shqipërisë që nënkuptohet se drejtohet nga njerëz të korruptuar, atëherë çfarë mund të themi ne për strategjinë e sulmit që përkufizon raporti vjetor i Departamentit të Shtetit që e përshkruan Shqipërinë si një vend me korrupsion në çdo degë të qeverisjes? Raporti në drejtim të korrupsionit ishte më pezhorativ sesa ai për Serbinë sa për të sjellë një vend të ngjashëm dhe fqinj, por asnjë fjalë nuk u tha për atë dokument. Pse një material i një televizioni është Sulm ndaj Shqipërisë kurse një dokument zyrtar jo? Vetëm pse korrupsioni i të parit lidhet me emra konkretë, kurse ai i të dytit mbetet anonim?

Kjo është edhe e vetmja avokati që z. Rama ka ndaj një akuze të vazhdueshme që i ngrihet qeverisë së tij ngado: nga SHBA në BE. Dhe që prodhon faturë për vendin. Të kujtojmë këtu sesi u soll kryeministri në tri raste të tjera konkrete:

  • Ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, pasi u vu nën hetim apo akuzë nga SPAK, z. Rama i dha një detyrë që lidhet me integrimin.
  • Ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, e mori më pranë vetes pas doli në sipërfaqe skandali me fondet IPARD.
  • Ish-ministren e Mbrojtjes dhe të Jashtme Olta Xhaçka, z. Rama jo vetëm ia mbrojti mandatin nga Gjykata Kushtetuese, por doli në sulm direkt ndaj SPAK për hetimin e bazës së Sarandës, që sipas tij ka cenuar një investim 200 milionë eurosh(këtu edhe shifra është më e lartë nga e vërteta).

Pra në tri raste kur akuza ka patur emra konkretë, z. Rama ka dalë në mbrojtje publike, sepse kështu interpretohet akti i riciklimit, duke harruar që shokët e tij në fjalë “kanë ngrënë kumbulla dhe dardha” pas kurrizit të tij. Ndërkohë që për raportet e njëpasnjëshme që përfaqësojnë qëndrime të shteteve dhe optikë institucionale mbi korrupsionin e qeverisë së z. Rama, nuk kemi asnjë reagim kaq luftarak.

Arsyet e këtij standardi të dyfishtë mund të kuptohen fare lehtë, por baza argumentative për të nuk ka më themel ku të qëndrojë. Nuk ka madje themel as edhe nëse konsiderojmë se kemi 11 vjet Z. Rama arriti deri aty sa të deklaronte në një podcast me Mark Markun se nëse fiton një mandat të katërt, deviza e tij do të ishte lufta kundër korrupsionit. Ndërkohë që mandatin e shkuar e kishte për administratën, ku ka edhe një nga dështimet kryesore.

Që të besohet kjo gjë duhet që z. Rama të kishte ezauruar të gjitha instrumentet që ka kundër korrupsionit që nisin që nga legjislacioni e deri tek auditet dhe kallëzimet. Nuk ka asnjë rast të tillë, një të vetëm në 11 vjet që të tregojë se lufta kundër korrupsionit ka nevojë për një qasje të re për shkak të ezaurimit të mjeteve në fuqi. Duhet të mbajmë parasysh një fakt që ka më shumë rëndësi se të gjithë të tjerët: një ndër vërejtjet e raportit të DASH ishte fakti se një pjesë e ligjeve në Shqipëri janë të porositur, të lobuar. Ky është korrupsion i nivelit të lartë dhe nuk ka të bëjë shumë me frutikulturën informale të ministrave pasi nëse qëndrojmë këtu, mund të sjellim si kundërshembull 17 VKM-të e famshme për inceneratorët.

Këtij argumenti i vjen në mbështetje edhe deklarimi i kreut të SPAK, Altin Dumani, që pak javë më parë u shpreh se nuk ka bashkëpunim nga institucionet e ekzekutivit për luftën ndaj korrupsionit që nuk i takon vetëm prokurorisë. Më tej akoma, ai shtoi se me Policinë ka mosbesim të madh për shkak të implikimit të krerëve të saj në krim, një akuzë kjo shumë e rëndë. Edhe më e rëndë sesa ajo e RAI3 ndaj Engjëll Gaçit. Ky është një sinjal dhe qëndrim zyrtar që na jep të kuptojmë se “drejtësia e pavarur” të cilën z. Rama e ka ngritur së fundmi si flamur kundër korrupsionit që gjenerohet nga qeveria e tij, nuk mund të shërbejë si alibia për luftën dhe vullnetin ndaj shkeljeve dhe shpërdorimeve. Ajo është vetëm një ndër hallkat e domosdoshme në këtë luftë, por që vjen në radhë dhe sinergji me një vullnet politik dhe kulturë administrative për ta luftuar korrupsionin. Sikundër duhet kuptuar se dobësia e një opozite parlamentare nuk mundet dhe nuk duhet të interpretohet si shkaku i korrupsionit, pasi kontrolli dhe balanca e pushteteve në sistemin tonë nuk lidhet me abuzimet, por me kommeptencat që çojnë në abuzime kryesisht politike e mandej institucionale.

Në fund të fundit, instrumenti i padisë është funksional dhe nuk varet nga dobësia e paditësit apo statusi i tij. Mjafton të shohim se procedimet kanë ecur pas kallëzimeve që nuk kanë asgjë speciale. Dhe këtu konfirmohet se lufta kundër korrupsionit që në interpretimin e z. Rama është trajtuar si testament negativ i qeverive paraardhëse është një gjethe fiku që nuk mbulon dot më asgjë. Zoti Rama ka çdo pushtet në këtë vend: sigurisht që e ka edhe fuqinë të luftojë efektivisht korrupsionin. Mjafton të dojë realisht dhe të japë “forcën e shembullit”.

Comments

Submitted by haha (not verified) on

thone qe historia perseritet ne nje menyre ose tjetren.
kjo telefonata e ketij zdapit me RAI3 me kujton fiks filmin Telefonata e nje mengjesi, per ate kohe kur njerezit i benin filmat me kujdes se ju ikte koka.... ata qe e kane pare ndoshta do bien ne te njejtin emerues me mua.

Submitted by nje hidraulik (not verified) on

Qe Rama eshte nje funderrine kete as qe e ve ne dyshim. Kam qene perkrahes i Berishes dhe PD-es por tani jam perkrahes i PD-es por jo me i Berishes dhe aq me pak i Lulit. PD- ja ka shume njerez teafte qe po e tregojne veten e tyre por Berisha duke treguar diktatin e tij po i ndrydh, Per mendimin tim PD duhet te ndryshoje , dhe jo te hiqet Berisha e te vendoset Argita por te mblidhet kongresi e te zgjedhe. Ka kuadro si Jorina Tabaku , si Halim Kosova, Si Artan Hoxha o si ai doktorri tjeter qe ishte kandidat per K/Bashkiei Tiranes. apo Bardhi me shoke por mjaft me familjen Berisha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.