Po do ta ketë edhe Partia Socialiste ndonjë problem! Apo jo?

Postuar në 26 Prill, 2024 15:32

Partia e Lirisë i ngjan një gërmadhe të ngjashme me Rithemelimin. Kështu shkruan analisti i pavarur dhe i paanshëm (më shumë se ç’duhet në fakt)– Skënder Minxhozi në faqen “Java News”. Të njëjtin epitet e gjen ngado që ta kthesh shikimin në faqet e të majtës militante që popullon sot në masë hapësirën e mediave online.

Armiqtë e Partisë Socialiste janë të çorganizuar, të bërë lëmsh dhe mënyra dëshirore e kësaj “analize” është: u shofshin njëherë e mirë!

Dhe në fakt nuk është se ky konstatim nuk ka vërtetësi. Që nga nisja e pluralizmit e deri më sot asnjë parti nuk arriti të ngrihej në nivel organizimi dhe funksionimi si PS-ja. Të gjitha partitë që dolën rrugës, majtas apo djathtas, ishin shfaqje personale të njerëzve të ndryshëm që ose u dorëzuan, ose u rrëgjuan, ose u shitën. Kjo është e vërteta. Mirëpo është njëra gjë që të analizosh gjendjen e një spektri dhe tjetër të përcjellësh ndjesi triumfalizmi për dështimin e një krahu, që është dështim i paracaktuar kur sheh se kush ka mbetur të flasë.

Është tjetër gjë, sepse përqendrimi intensiv në një krah, ku po investohet përditë yshtja e miletit se opozita është e gjitha për SPAK, përfaqëson apo tradhëton një interes kryesor edhe të agjitpropallarëve si ky Minxhozi që në skenë PS-ja të mbetet përmes asgjësimit të të tjerëve. Xhanëm kjo është e vetmja mënyrë tashmë që kjo parti të vazhdojë të shpresojë se përfaqëson diçka më shumë sesa interesat ekonomike të krimit dhe të të korruptuarve.

Përndryshe, z. Minxhozi dhe analistë të tjerë të pavarur deri në rrezik këputjeje si ai, do të kishin minimumi kuriozitetin dhe mandej edhe mëshirën për ne të tjerët që të analizonin edhe PS-në.  Si është gjendja në këtë parti? Si funksionojnë institucionet në këtë godinë ku drejtuesit po bien njëri pas tjetrit për akuza korrupsioni?

Pse nuk hapet asnjëherë diskutimi për zgjedhjet, rotacionin, përzgjedhjet e kështu me radhë? Si mund të mbulohet me heshtje një parti që po plaçkit një vend të tërë, që farkëton karriera për të gjithë llojet e injorantëve në këtë vend, që largon e afron sipas midesë së një njeriu të vetëm dhe mandej u dashka quajtur ende Parti? Ose grupim vullnetar politik?

Po sigurisht që këto nuk duken pas malit të punëve të mëdha që po bën qeveria, nuk bien në sy, pasi socialisti i zakonshëm është me përkufizim modest, i përulur dhe fjalëpak. Është shumicë e heshtur, qytetar model që e di sesi ta lërë tymin të shkojë drejt në oxhakun e vet. Ndoshta analistët e pavarur ndaj edhe nuk shkruajnë për këtë kategori: dallojnë kaq shumë prej tyre ose nuk shquajnë asgjë interesante pse në fund të fundit populli nuk ishte kurrë protagonist i historisë që mban gjallë gazetarinë e parazitimit. Megjithatë, ndonjë problem do ta ketë edhe PS-ja, sado që selitet e parfumoset me heshtjen shurdhuese të analistëve që gdhihen e ngrysen me merakun se a do shkojë Meta me Berishën në burg? Ama, lista ta ndalet aty, mos të vazhdojë me Ramën, apo Veliajn, sepse SPAK nuk mund të përbaltë Shqipërinë kështu!

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk i vjen e keqja opozites nga mallkimi i socialisteve. Ata jane te mallkuar qyshse udhehiqen nga ajo kastr njerezish pa karakter. Ti pret qe populli te votoje Noken apo Bardhin? I par fitmosi nje zgjatje koncesioni per 100 milion euro kur nuk kishte me mandat si minister. I dyti deklaron me gojen plot ne nje televizion kombetar, se nuk ka bere nje leter por nje kallzim penal ndaj Olsi Rames ne Spak qe ne fakt nuk e ka bere dhe ne fund brohoret: e pate nuk kam shpifur, pra cfare kam thene per Olsi Ramen eshte e vertete.
Urdhero?!!!
Dhe une ti besoj pushtetin ketyre. Le te rrine ata qe jane persa kohe keta nuk i hapin rruge nje fryme te re ne te djathten shqiptare qe te jemi te sinqerte, fatkeqesisht nuk ka ekzistuar kurre.

Submitted by redaksia on

Dakord jam. Por problemi me siper ka te beje me simetrine ne analizen qe njerez te medias i bejne paleve. Sepse per nje qytetar te pavendosur, apo edhe pa rreshtim eshte me e lehte te vendose se per ke do te votoje nese ka nje pasqyre te asaj qe ndodh per te dyja palet. Sepse nuk shpjegon cdo problem te Shqiperise Berisha dhe Meta. Ka pushteti i tanishem pergjegjesi, faje, mekate? Pse nuk permenden keto nga njerez te medias? Pastaj tjeter pune qe njeriu zgjedh: megjithe problemet mendoj te votoj keta apo ata sepse mendoj ashtu apo keshtu. 

Submitted by X (not verified) on

Shume mire qe e paskeni analizuar ne kete kendveshtrim! Mllefi qe shprehin ndaj opozites qofte Minxhozi apo analiste si ky por edhe komentuesi i pare qe perfaqeson nje grup te madh njerezish, eshte paralizues per cdo mendim racional! Me kete brutalitet dhe egersi ekstreme ata paralizojne cdo analize apo diskutim objektiv ne lidhje me partine Socialiste qe gezon pothuaj 100% pushtet ne Shqiperi! Sikur problemet ne opozite jane burimi i cdo gjeje negative ne kete vend! Kjo eshte e qellimshme! Ne kete loje futet edhe ndonje ambasador mik i udheheqjes, me qellimin per te bllokuar zhvillimin e cdo ideje qe mund te cenoje ne te ardhmen pushtetin absolut te PS! Jane moniste ne bindje dhe veprojne me brutalitet ne funksion te vendosjes se nje monizmi modern! Ky eshte thelbi, te tjerat jane manipulime!

Submitted by Robert (not verified) on

Po shyqyr, gjallë qenka Skënder Minxhozi???
Se sa qe gjallë Ramiz Alia, së bashku me Lorenc Vangjelin i shihja çdo ditë të hynin e dilnin nga shkalla e pallatit ku banonte Ramizi. Pastaj se kam parë më. U bënë vite. Shyqyr që qenka mirë, se na duhet "objektiviteti" i tij.
Partia Socialiste do përfundojë njësoj si PD. Parti njëshash, ku kryesitë nuk luajnë asnjë rol dhe anëtarët janë aty për të përfituar diçka, jo për ide zhvillimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.