Ku të futemi nga "zero toleranca" e socialistëve?

Postuar në 19 Prill, 2024 16:09

Ky që është kryeministër tani, ka inaguruar edhe disa shprehje “tipike” në komunikimin publik, me gjasë për t’u dalluar nga turma dhe për të afirmuar se është edhe penë e publicistikës. “Në krye të herës”, “forca e shembullit dhe jo shembulli i forcës”, janë vetëm dy që vijnë si muzikë monotone në kujtesë. “Zero tolerancë” është një tjetër shprehje që është bërë gati si devizë e asaj që grupimi qeverisës e shpall si “shteformim”.

Dhe për zero tolerancë ka papagallisur sot edhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, që në një takim me 12 prefektët e vendit ndër të tjera tha:

Çdo bashki ka marrë listën me subjektet e miratuara, çka i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të lidhë kontratat definitive dhe subjektet të fillojnë të ndërtojnë beach-baret. IKMT do të jetë në territor për të verifikuar që leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton. Janë leje të përkohshme ndërtimi. Iku koha kur fillohej me një barakë dhe përfundohej me një pallat. Këtu nuk do të ketë tolerancë

A ka vallë humanoid më qesharak? Kjo është e njëjta ministre që miratoi dhe mandej mbrojti me zell salçiço-mezerinë e Butrintit, që siç u raportua e mori “si pikë shërbimi për turistët” një nga financuesit në fushatën elektorale. Sot zonja Kumbaro, një ndër përfaqësueset më tipike të farsës qeverisëse në këtë vend, vendos kufirin te thana shkelësve hipotetikë në territor dhe shpall: Zero Tolerancë!

Po si do ta zbatojë këtë politikë kjo zonjë e vetëpërdorur publikisht kaq keq? Me cilat kompetenca, me cilin tagër? A ka ajo struktura dhe aftësi të ndjekë rrugën ligjore për të çuar deri në ezaurim tolerancën e prefektëve për shkelësit eventualë të ligjit? A do bëjë ajo padi, kallëzime për shkelësit? Do inspektojë personalisht në terren?

Rreth një vit më parë qeveria miratoi një VKM për konfiskim të objekteve jashtë lejes, meqenëse “prokuroria po flinte”. Ndodhi gjë? Jo, u morën dy pallate dhe teatri mbaroi me aq. VKM-ja mund të jetë ende në fuqi dhe dispozitat e saj janë aty. Nuk duhet premtimi për zero tolerancë, por për zbatim autonom të ligjeve. Diçka që nuk ndodh sepse prefekti i radhës e di që ai që ka ndërtuar jashtë lejes e ka lidhur qerren te partia që ndërhyn për të zhbërë një urdhër, mandej ministrja do bëjë sikur nuk shikon dhe ja. Ne ritakohemi me Mirela Kumbaron që me buzëqeshjen e vet me katër korsi ta bën këtë vend shumë të pajetueshëm.

A nuk është kjo ministre që bëri sikur nuk pa që mediat po raportonin se një biznesmen i njohur të cilit i thonë Tani ndërtonte pa leje ne Ksamil? Për cilën zero tolerancë flet kjo? Këtu pyetja nuk lidhet me mosbesimin ose besimin te politika, por me çudinë se deri ku shkon mungesa e dinjitetit publik në këtë vend. Po a ka një minimum respekti kjo Mirela për veten xhanëm? Që edhe ta kursejë kur këput budallallëqe të tilla?

s.zaimi

Comments

Submitted by Vlora 97 (not verified) on

Kur ka beton ne plazhe thoni pse.
Kur shkojn ti heqin thoni pse
Po cfare doni ju gazetaria-gjyjatse supreme?

Submitted by haha (not verified) on

Dihet ku do futemi: Ne te Olta Xhaxhkes do futemi se duket si vend i sigurt .... megjithese dhe aty keq po behen punet

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.