Loja e re e Erdogan me Sirinë

Postuar në 01 Janar, 2023 22:49

Në media të ndryshme ka nisur të zërë vend përherë e më shumë një lëvizje e rëndësishme e Turqisë në raport me Sirinë. Presidenti turk, Erdogan, ka propozuar një takim tripalësh mes tij dhe dy presidentëve, atij rus, Putin dhe atij sirian Assad. 

Pyetja që shtrojnë të gjithë është se çfarë kërkon Erdogan? Lëvizja në fjalë pason kërcënimet për ndërhyrje ushtarake dhe vjen në kontekstin e një politike pa mesazhe të ShBA që është investitorja kryesore e kurdëve në rajon.

Sipas analizave të ndryshme, presidenti turk po luan për një fitore elektorale të radhës në kushtet e një popullariteti në rënie. Ndonëse ka përballë një opozitë jo shumë të fortë, pozitat e tij komentohen se janë në pikën më të ulët. Dhe si një njeri që ka justifikuar kthesat e shumta me frazën “në politikë nuk ka vend për inat”, Erdogan po synon të arrijë me diplomaci një fitore strategjike

Që konsiston në tre elementë: asgjësim -nëse mundet- i autonomisë kurde duke rakorduar marrëveshje mbytëse për ta me Rusinë dhe Sirinë, duke krijuar për pasojë një zonë të sigurtë në kufirin me Sirinë përmes kësaj marrëveshjeje dhe duke lejuar kështu kthimin e nisur tashmë të miliona refugjatëve sirianë në verilindje të vendit ku ka ndërtuar shtëpi, spitale dhe qendra tregtare dhe së fundmi duke krijuar kështu një zonë tampon të një opozitarizmi ndaj Damaskut si bërthamë subversioni ndaj tij në funksion të idesë së një fqinji të dobët, por jo në anarki permanente.

Të gjitha këto e ndihmojnë Erdoganin të zgjidhë sidomos një problem delikat siç është ai i refugjatëve sirianë, për të lënë kështu për Turqinë vetëm një çështje të hapur me jashtë: Greqinë. 

Analistë të ndryshëm vënë në dukje se Erdogan po vepron në mënyrë të dyanshme: së pari ai po vihet në lëvizje në kontekstin e një roli të ri që ka marrë me krizën ukrainase, ku e ka ndihmuar Rusinë, të cilës tani i kërkon një konçesion në Siri, por pa e poshtëruar. 

Së dyti, ky rol luan njësoj për ShBA që aktualisht nuk ka një politikë të sqaruar mirë se çfarë do bëjë dhe së treti, Erdogan ka në Siri interesa që gjeografikisht nuk interferojnë me zonën e interesit të Iranit, një tjetër aktor shumë aktiv në vend. 

Takimi i paralajmëruar dhe i paraprirë nga takimi i ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm është në këtë kuadër një zhvillim me shumë rëndësi që ilustron ndër të tjera se Ankaraja po luan politikë të pavarur tërësisht nga Perëndimi, i mbërthyer në krizën ukrainase pasi përndryshe asnjë politikë e koordinuar nuk do të lejonte lehtësimin e Moskës në këtë drejtim.

 Mbyllja me marrëveshje e problemeve në Siri nga treshja në fjalë me Iranin në sfond është një mesazh se Rusia dhe Irani, dy vende me shumë probleme luajnë ende si garantë të menaxhimit të një krize ndërkombëtare duke fituar kështu kredi politike për t’iu kthyer problemeve më immediate që kanë aktualisht. Asgjë nuk mund të parashikohet me saktësi, por lodrat me Sirinë ku qëndron ende “diktatori Assad”, i pranuar nga të gjithë tashmë, flasin se pas Pranverës Arabe që përfundoi si përfundoi, rendin e ri në Lindjen e Afërme po e përkufizojnë aktorë të tjerë nga Perëndimi. Dhe kjo është humbje shumë e madhe. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.